Presidenti, ambicia e LSI-së që po kërcënon koalicionin me PS
Debatet për zgjedhjen e Presidentit, kanë kohë që kanë filluar në media. Tek-tuk, ka edhe ndonjë emër kandidatit, si Mimi Kodheli nga PS apo Ilir Meta nga LSI. Ndërsa meta, kategorikisht e ka mohuar që të tentojë kandidimin për postin më të lartë të shtetit, Mimi Kodheli nuk e ka bërë një gjë të tillë.
Por, përpos dëshirës së fshehur të Mimi Kodhelit, dhe jo vetëm, LSI nuk e fsheh ambicien që kreun shtetit ta zgjedhë si propozim të sajin.
Më pak se një javë më parë, ministri i Drejtësisë Ylli Manjani, duke “konfirmuar” moskandidimin e Ilir Metës, “zbuloi” se LSI ka edhe emra të tjerë kandidatësh për president.
Por, mbrëmë, mistri tjetër i LSI-së, ai i i Transporteve dhe Infrastrukturës Sokol Dervishaj, shkoi edhe më tej, kur emrat mediatikë për President i cilësoi “spekulime”, ndërsa “sanksionoi” se “LSI ka kapacitete të spikatura për President të Republikës” duke “promovuar” ambicien e pa shprehur me zë e figurë, për një President, nga kandidaturat e LSI-së.
“Presidenti është ende në detyrë. Në gjykimin tim ka qenë një President i respektuar. Është procesi ai që do të thotë kush do të jetë President i ri i vendit. Qarkullimet në media janë më shumë spekulime se sa diskutime reale. LSI ka kapacitete të spikatura për President të Republikës. Për sa kohë ne kemi një marrëveshje 8 vjeçare që ju thatë, besoj që edhe kjo çështje do të diskutohet në raportet e duhura institucionale”, u shpreh Ministri i Transporteve dhe Infrastrukturës, Sokol Dervishaj në një intervistë për “Tonight Ilva Tare” në Ora News .
Siaps Dervishajt, Lëvizja Socialiste për Integrim po analizon të gjitha opsionet për garimin në zgjedhjet parlamentare të qershorit, qoftë edhe duke dalë e vetme.
Me një qëndrim përfundimtar për koalicionin LSI duket se do dalë pas një analize të thellë.
“Kur hyjmë në një koalicion, eksperienca e këtij koalicioni apo ndonjë koalicioni të mëparshëm na ka mësuar që në koalicione nuk hyhet thjesht për të krijuar ekuilibrat, numrat. Është me rëndësi të ndajmë projektet politike, prioritetet, të negociojmë për ato që janë qëllime madhore të koalicionit. Shpesh jemi bashkuar pa i diskutuar këto, hajt se i flasim rrugës”, u shpreh Dervishaj. DRONI.al