Thimi Mitko dhe Shoqëria “Vëllazëria shqiptare” në Egjipt
Për herë të parë faksimile nga gazeta greke “Pandora” e viteve 1859-1869, ku atdhetari i shquar Thimi Mitko botoi shkrime që mbronte çështjen shqiptare të Korçës në polemikë me historianin grek, Panajot Aravantinoi. Po ashtu faksimilet e statutit të themelimit shoqërisë “Vëllazëria shqiptare” në Egjipt më 1894.
Nga Arben Llalla
Në Egjipt nga shekulli XIX dhe nga mesi i shekullit XX ka ekzistuar një komunitet i madh i shqiptarëve, të cilët kanë luajtur një rol të rëndësishëm në lëvizjen e Rilindjes Kombëtare. Shqiptarët e parë në Egjipt kanë ardhur nëpërmjet Perandorisë Osmane si drejtues ushtrie dhe ushtarë. Kolonia shqiptare u forcua shumë në kohën e sundimit të Mehmet (Aliu) Pashë Kavallës në vitet 1805-1848. Shqiptarët në Egjipt kanë qenë shumë aktivë në drejtim të çështjes shqiptare. Në vitin 1903, Fan Noli shkon atje për të punuar si mësues në një shkollë greke dhe u njoh me disa atdhetarë shqiptarë, të cilët e bindën që të shkonte në Amerikë duke i paguar dhe harxhimet e udhëtimit.
Mbledhësi i madh i folklorit shqiptar, Thimi Mitko e zhvilloi pjesën më të madhe të veprimtarisë së tij në Egjipt. Po ashtu, atje vepruan edhe shkrimtarë dhe poetë të mëvonshëm si Andon Zako Çajupi, Filip Shiroka, Aleksandër Xhuvani e të tjerë. Në Egjipt u themeluan disa shoqata dhe janë botuar gazeta, libra dhe broshura të ndryshme që luajtën një rol të madh në zhvillimin e gjuhës shqipe dhe ngritjen e nivelit të vetëdijes kombëtare. Gazetat që u botuan vetëm në Kajro ishin: “Toska”, “Besa”, “Sëpata”, “Shkreptima” e disa të tjera.
Pra, me Egjiptin lidhen shumë figura të shquara shqiptare që kanë vepruar në këtë vend. Por, për fat të keq në ditët tona kolonia shqiptare e dikurshme është zhdukur, ka mbetur vetëm në kujtesën e historisë sonë.
Thimi Mitko
Në histografinë shqiptare na mungojnë shumë biografi të njerëzve të shquar që kanë dhënë një kontribut të madh në çështjen kombëtare. Ka mungesë të qyteteve, ku kanë lindur, familjet nga vinin dhe trashëgimtarët e tyre. Mendoj se ka ardhur koha që studiuesit tanë të punojnë nëpër arkivat e huaja për të gjetur sa më shumë të dhëna për këta atdhetarë të vyer të kombit shqiptar. Vendi fqinj me Shqipërinë, Greqia fsheh shumë dokumenda që kanë lidhje me shqiptarët dhe Shqipërinë. Në arkivat greke mund të gjinden shumë libra, gazeta, broshura që janë botuar në gjuhën shqipe dhe greke në shekujt XVIII-XIX, të cilat dëshmojnë për gjuhën, historinë tonë kombëtare që nga koha e Aleksandrit të Madh e deri më sot. Nga kërkimet e mia nëpër këto arkiva kam ndeshur me qindra libra të autorëve grekë që shkruajnë për shqiptarët si trashëgimtarë të pellazgëve, Pirros dhe Aleksandrit të Madh. Ndoshta ky sinqeritet i shumë shkrimtarëve grekë të shekujve të shkuar ka bërë që shteti i tyre t’i fshehë ose t’i zhdukë këto libra me vlera të larta. Por, megjithatë ka nëpër bibliotekat private dhe universitare libra të ruajtura me kujdes që lidhen me shqiptarët dhe Shqipërinë e hershme që u kanë shpëtuar “konservimit të zhdukjes”. Ndër shumë libra, broshura dhe gazeta të shekujve XVIII-XX që kam gjetur në arkivat greke, ka edhe materialet që lidhen me aktivitetin e Thimi Mitkos. Janë faqe të gazetës “Pandora”(ΠΑΝΔΩΡΑ), në të cilën shkrimtari shqiptar polemizon me historianin grek Panajot Aravantinoi që bënte shtrembërime historike për qytetin e Korçës dhe zonën për rreth saj. Një pjesë e kësaj polemike është botuar në veprën e Thimi Mitkos “Bleta Shqiptare”, 1981, Tiranë. Por, për fat të keq përgatitësit e veprës nuk kanë botuar qoftë edhe një faksimile të gazetës greke “Pandora”, ku janë botuar shkrimet e Mitkos për ta paraqitur veprën më të pasur dhe të besueshme. Po ashtu, në Historinë e letërsisë shqipe, ku shkruhet për Thimi Mitko, nuk janë faksimilet e gazetës greke në fjalë. Prandaj, e pashë të udhës të nxjerr nga arkiva e gazetës greke “Pandora” (në të vërtetë ka qenë revistë, jo gazetës si na e kanë paraqitur në veprën e Thimi Mitkos), e cila u themelua më 12 dhjetor 1849 dhe doli në qarkullim në prill të 1850, dy herë në muaj. Kjo revistë u botua deri në vitin 1872 dhe e përgatitej nga Nikolla Dragumi (që ishte arvanitas), Kostandin Paparigopulo, Aleksandro Riyo Ragapi, Kristo A. Duka.
Pra, në faqet e kësaj reviste Thimi Mitko ka dhënë një kontribut të madh duke botuar shkrimet e tij për të vërtetën e Korçës dhe Maqedonisë së atëhershme. Gjatë kërkimeve nuk munda të gjejë pjesën e fundit të vazhdimit të polemikës së Thimi Mitkos me historianin grek Panajot Aravantinoi. Ndoshta ajo pjesë nuk u botua asnjëherë për arsye të ndryshme, por pjesa më e madhe e pa dritën e botimit për të sqaruar më mirë lexuesin grek të atyre viteve që ushqeheshin me keqinformime për fqinjët e tyre, të cilët ende ishin nën pushtimin osman. Titulli i shkrimit të Mitkos është “Shënime mbi Maqedoninë dhe Korçën” (ΠΕΡΙ ΤΗΣ ΕΝ ΜΑΚΕΔΟΝΙΑ, ΚΟΡΙΤΣΑΣ).
Interesant është fakti se shkrimet e Thimi Mitkon për Korçën u botuan dy në vitin 1859 dhe dy pas 8 vjetëve më 1867. Mendoj që në stafin e revistës greke “Pandora” për botimet e shkrimeve të Mitkos duhet të ketë ndikuar ndonjë nga punonjësit e brendshëm, sepse shkrimet janë botuar me emrin anonim “Një nga pajtimtarët”. Në ato vite ka qenë e vështirë për të mbrojtur çështjen shqiptare në shtypin grek, për arsye se sapo ishte hedhur projekti për realizimin e Greqisë së Madhe (Megalo Idhea) më 1850. Në programin e “Megalo Idhea” Mbretëria e Greqisë donte të përfshinte brenda saj të gjithë orthodoksit e Ballkanit dhe të Azisë së Vogël. Greqia kërkonte kufirin me Shqipërinë deri në lumin Shkumbin. Një pjesë e këtij projekti u realizuan në vitet 1912-1914 me marrjen e qyteteve të Artës, Janinës, Prevezës dhe Konicës.
Shoqëria “Vëllazëria shqiptare” në Egjipt
Më 22 mars të vitit 1890 shuhet Thimi Mitko në qytetin Beni Suef. Ai ishte atje vendosur në fillim të viteve 1860. Në Beni Suef kanë jetuar dhe punuar në përgjithësi shqiptarët që ishin me origjinë nga zona e Korçës dhe Pogradecit.
Gjatë kërkimeve gjeta statutin e shoqërisë “Vëllazëria shqiptare”, inicialet e njërit nga atdhetarët shqiptarë që ka vepruar në qytetin, ku vdiq Mitkoja. Bëhet fjalë për K. E. Mitko, njërin nga themeluesit e shoqërisë “Vëllazëria shqiptare” në Egjipt. Ndoshta iniciali K., tregon emrin Kosta dhe E., Efthimio. Thimi Mitko në të vërtetë emrin e pagëzimit e kishte Efthimo, por ai ashtu si Fan Noli parapëlqenin të njiheshin me emrat që nuk tregonin kuptimësi greke si Efthimio-Thimi, Theofan Mavromati-Fan Noli. Në këmbimet të letrave me De Radën, Jovan Mitkon, J.U. Jarniku, Fr. Krispi e Italisë, Thimi Mitko emrin e tij e shkruante E. Mitko, ndërsa në letrat që u ka dërguar Kristo Zhapës, Th. Kreit, K. Kristoforidhit me Th. Mitko. Ka mundësi K. E. Mitko të jetë djali i madh Thimit, Kosta Mitko.
Shoqëria “Vëllazëria shqiptare” në Egjipt në rregulloren e saj mban datën e themelimit 1 maj 1894, në Beni-Suef. Kryetar i kësaj shoqërie ishte zgjedhur I. A. Bakllava, nënkryetar N. Dhuci, arkëtar Marko M. Marku, sekretar K. E. Mitko dhe anëtarë të tjerë të Këshillit Drejtues ishin M. Dhimitriu, X. Vito, P. E. Plluska.
Qëllimet kryesore të kësaj shoqate ishin të ndihmonin shqiptarët në Egjipt dhe në Shqipëri. Për ruajtjen e traditave kulturore kombëtar dhe gjuhën shqipe. Anëtar i kësaj shoqate mund të bëhej çdo shqiptar i lindur në Egjipt dhe jashtë tij, pa dallim feje dhe krahine. Duke bërë një kërkesë që ia dorëzon kryetari dhe 20 franga me dy këste. Po të refuzohej anëtarësimi kërkuesi nuk kishte të drejtë të kërkonte arsyet e refuzimit të kërkesës. Anëtarët rregullisht duhet të paguanin 10 franga në vit kuotën e anëtarësimit. Shoqëria pranonte dhe dhurata në të holla, të cilat pranoheshin me një kërkesë nga dhuruesi, edhe përse duhen të përdoreshin këto të holla. Shoqëria ishte jo politike dhe punonte që shqiptarët të kishin vendi që u takonte në Egjipt si një diasporë e madhe që ishin.