Auron Tare: Gravura e rrallë e një pinjolli kastriotas, ja si Europa ruajti mitin e Skënderbeut me shekuj
Në fundin e një ditë që shënonte përvjetorin e vdekjes së Skënderbeut, gazetari dhe studiuesi Auron Tare sjell jo atë, por një pinjoll nga gjaku i tij, portret i rrallë i vendosur në një gravurë, pjesë e Koleksionit Mbretëror të Anglisë. Është diçka tejet e rrallë, dhe ekzotike sigurisht. Ajo, siç e sqaron dhe Tare në komentin shoqërues të gravurës, shpërfaq faktin se miti i Skënderbeut ishte mjaft i gjallë në Europë dhe shumë shekuj pas vdekjes….
Nga Auron Tare
Meqënëse të gjithë vrapuan për të postuar diçka në kujtim të të madhit Skënderbe, hapa edhe unë arkivin tim për të parë mos kisha ndonjë gjë për të.
Më poshtë po sjell diçka shumë interesante dhe të rrallë për të kuptuar se miti i Skënderbeut vazhdonte ende në Europë shekuj pas vdekjes se tij në Lezhë.
Në Koleksionin Mbretëror të Anglisë, ndër materialet e rralla në arkivën kolosale të saj ndodhet edhe një gravurë e shek të 18-të. Kjo gravurë jep portretin në profil të një personi ende të panjohur nga histografia jonë me titullin e Princit të Albanisë.
Se kush është ky person mbetet për t’u zbuluar, por fakti që ndodhet në koleksionin Mbretëror të Anglisë tregon për interesin që ende pas 4 shekujsh miti i Skënderbeut ishte i gjallë në Europë.
Imazhi i gravurës me përmasa 13.3 x 8.8cm ka profilin e Princit i cili çuditërisht nuk ka përdorur shqiponjën me dy krerë por një shqiponjë perandorake.
Më poshtë mbishkrimi që shoqëron portretin e këtij princi i cili pretendon se vjen nga linja e të madhit Skënderbe:
“Nuk është një vdekatar por është Apollo që flet me zërin e tij”
Ndërsa në medalion shkruhet:
Princi Kastriot i Shqipërisë stërnipi i 11 i të Madhit Skënderbe 18.Shkurt 1751.