Buzagazi dhe rënia e dytë e Ilir Metës
Zbythja nga presioni ndaj PDIU-së pas dështimit të “precedentit Spahiu”, si dikur për vetting-un.
Nuk ka asnjë njeri brenda strukturave të Lëvizjes Socialiste për Integrim që guxon të thotë diçka e aq më pak të bëjë deklarata të rëndësishme politike, pa marrë bekimin e kryetarit Ilir Meta. Por, Ilir Meta po përpiqet të na thotë se ka njerëz në LSI që kanë mendimin e tyre dhe nuk i marrin leje atij, megjithëse “ndonjëherë nuk janë korrektë politikisht”. Është krejt e pabesueshme kjo deklaratë e kryetarit të LSI-së, i kësaj partie, ku nuk ka asnjë diskutim autoriteti i tij. Disa deklarata të bëra nga ministra të LSI-së, për Ilir Metën paskan shkaktuar buzagaz, ashtu si dhe deklaratat e përfaqësuesëve të PDIU-së apo partive të tjera, të cilat kërkojnë nga LSI të pozicionohet qartë, nëse është në mazhorancë apo në opozitë. Për këto deklarata Meta foli mbrëmë në një intervistë në News 24.
“Nuk dëshiroj të komentoj as reagimet e deputetëve të partive të caktuara apo qoftë edhe të deputetëve apo të ministrave të caktuar të LSI-së, që ndonjëherë mund të mos jenë korrekte nga ana politike. Kështu që thjesht unë do të vë buzën në gaz”, tha thënë Meta.
Më shumë se sa buzagaz, duket që kjo deklaratë e LSI-së, dëshmon tërheqjen nga goditjet nën brez ndaj PDIU-së. Nëse i kthehemi historisë së qëndrimeve “personale” të zyrtarëve të LSI-së kuptohet fare lehtë që ato kanë qenë provokime të Ilir Metës përmes njerëzve të tij të bindur në parti.
Kësaj here u përdor i binduri i Metës, Ylli Manjani, i cili sulmoi PDIU-në, por më herët këtë rol e ka luajtur një tjetër zyrtar i LSI-së, për të bërë presion ndaj SHBA-së, në kohën kur LSI po bënte përpjekjet e fundit për të ndalur miratimin e vetting-ut. E mbani mend deklaratën e deputetit të LSI-së, Përparim Spahiu, kur foli për nevojën e respektimit të sovranitetit të Shqipërisë? Ishte një provokim i hapur i Ilir Metës ndaj ndërkombëtarëve për të mos lejuar monitorimin e procesit të vetting-ut nga ndërkombëtarët.
“E kuptoj dhe jam dakord që sovranitetin e vendit tonë të përbashkët duhet ta ndajmë me NATO-n, me KE-në, shpresoj dhe me BE-në. Por, nuk jam gati të votoj ndarjen e sovranitetit me Operacionin Ndërkombëtar të Monitorimit. Çfarë përfaqësojnë këta?!”, shkruate në twitter deputeti i LSI-së, Spahiu, ato ditë të debatit për miratimin e ligjit të vetting-ut.
Në atë kohë, LSI dhe Ilir Meta, morën masa “të rrepta” ndaj deputetit Spahiu. E përjashtuan nga grupi parlamentar i LSI-së. Por, Përparim Spahiu është rikthyer në grupin e tij parlamentar pa vendim të strukturave të partisë (madje “guxoi” të kandidojë edhe për kryetarë të LSI-së duke sfiduar kryetarin Ilir Meta…).
Me sa duket partia ia hoqi “njollën”, sepse debati për rolin e ndërkombëtarëve në procesin e vetting-ut është tashmë i tejkaluar. “Presioni Spahiu” nuk funksionoi me ndërkombëtarët dhe ligji i vetting-ut u miratua, edhe pse u desh të viheshin në provë shumë faktorë politikë, bashkë me peshën e tyre në koalicionin qeverisës. Ai moment provoi për herë të parë rënien e mitit LSI, si faktori përcaktues i shumicave qeverisëse. Edi Rama dhe Partia Socialiste në të vërtetë i garantuan votat e nevojshme për të vazhduar qeverisjen dhe një ndër faktorët stabiliues për këtë ishte PDIU. Votat e PDIU-së nisën të shihen si kërcënim nga LSI prej asaj kohe. Kjo frikë u reflektua në rastin më të parë që iu dha Metës, në formë ndëshkimi ndaj PDIU-së ai mbajti një qëndrim të dyshimtë për Çështjen Çame, kur vizitoi Greqinë disa muaj më parë.
Debati për koalicionet parazgjedhore është prova e dytë e precedentit “Spahiu”, kësaj here me protagonist Ylli Manjanin. Është në fakt presion i hapur ndaj Edi Ramës duke sulmuar PDIU-në. Presion që u shkërmoq gjatë rrugës dhe që u kthye në “buzagazin” e Ilir Metës. Është rënia e dytë e Ilir Metës brenda koalicionit qeveritar. Me sa duket PS e ka dhënë shpejt përgjigjen për trysninë e Metës. Nëse “strukturat” e tij vendosin të dalin nga koalcioni me PS-në, Edi Rama nuk ka më asnjë lutje për të, Meta është lënë i lirë të zgjedhë nëse do të dalë i vetëm në zgjedhjet e 18 qershorit. Ndaj, Ilir Metës iu kthye “buzagazi” si një shpikje e re pas shprehjes “me qetësi dhe dashuri”.
Buzagazi, qetësia dhe dashuria do të vazhdojnë edhe pak muaj më pas, kur beteja elektorale e 18 qershorit, do të jetë përcaktuese se kush do të qeshë e kush jo. Si duken bathët, në qoftë se Meta do të vazhdojë të qëndrojë me buzagaz brenda koalicionit, do të jetë i detyruar të pranojë peshën specifike të PDIU-së në këtë aleancë./27.al/