Estonia, Lituania e zyrtarizojnë praninë e trupave amerikane
Dy shtetet baltike, Estonia dhe Lituania më 17 janar kanë marrë vendim për rritje të bashkëpunimit ushtarak me Shtetet e Bashkuara të Amerikës pak para inaugurimit të presidentit të zgjedhur, amerikan, Donald Trump.
Ato kanë nënshkruar marrëveshje bilaterale të mbrojtjes me Uashingtonin për të formalizuar praninë e trupave amerikane në vendet e tyre, njoftojnë ministritë e mbrojtjes së Estonisë dhe Lituanisë.
Letonia e ka nënshkruar një marrëveshje të ngjajshme gjatë javës së kaluar.
Marrëveshjet e lehtësojnë vendosjen e trupave amerikane në këto shtete duke mundësuar edhe ushtrime të përbashkëta dhe trajnime.
“Ne jemi të interesuar në praninë e vazhdueshme të trupave amerikane në Lituani, pasi kjo është një nga elementet kyçe të sigurisë sonë”, ka thënë ministri i mbrojtjes, Raimundas Karoblis.
Presidenti i zgjedhur amerikan, Donald Trump, i cili inaugurohet të premtën, ka vlerësuar se NATO-ja, aleanca ku bëjnë pjesë edhe këto vende baltike, është e “vjetëruar”. Këto komente kanë shqetësuar këto tri shtete që janë fqinjë me Rusinë.