Albspirit

Media/News/Publishing

Kadare flet për lidhjen me Francën, prej qoshes në kafe “Rostand”

Ismail Kadare rikthehet në libraritë franceze. Botimet “Fayard” do të hedhin nesër në qarkullim veprën “Matinées au café Rostand” (“Mëngjeset në kafe Rostand”).

Mediat franceze njoftojnë lajmin, dyfish të rëndësishëm për ta, jo vetëm sepse bëhet fjalë për një nga veprat më të fundit të një prej shkrimtarëve më të mëdhenj botërorë, të gjallë, por edhe për një tjetër fakt.

“‘Mëngjeset në kafe Rostand’ përshkruan me emocion lidhjen me Parisin”. I ulur në qoshen e tij në kafen e njohur të shkrimtarëve, përballë Kopshtit të Luksemburgut, ku ka shkruar jo pak faqe të veprave të tij, ai do të rrëfejë lidhjen 40- vjeçare me kryeqendrën franceze, po jo vetëm. Krahas rrëfimeve për këtë lidhje me Francën nën regjimin komunist, ai shkruan për Tiranën, Moskën, Akademinë Franceze, figura të mëdha të letërsisë, që kanë ndikuar në jetën e tij, por edhe për shëtitjet parisiene. Dalja e kësaj vepre në gjuhën frënge do të shoqërohet edhe me një takim letrar që organizon Fondation Alliance Française, të martën, më 24 janar, në Paris. Në këtë takim homazh për shkrimtarin e madh shqiptar, që mbështetet nga Ambasada e Shqipërisë në Francë, do të marrin pjesë Antoine Boussin, ambasadori Dritan Tola dhe presidenti i Fondacionit Aleanca Franceze, Jérôme Clément.

NJË QOSHE NË KAFENENË FRANCEZE

“Mëngjeset në kafe Rostand” është një përmbledhje kujtimesh, letrash, sinopsesh, shënimesh, portretesh, që shkrimtari i madh i ka hedhur në letër, duke nisur prej ikjes së tij nga Shqipëria në Francë, deri pak para se libri të botohej për së pari në Tiranë, nën siglën e të përhershmit “Onufri”, në vitin 2014.

“Ideja për të shkruar diçka për kafe ‘Rostand’ më kishte ardhur aq natyrshëm, saqë s’e mbaja mend as kohën, as rrethanat. Ishte një ndjesi midis pendimit dhe mirënjohjes, e ngjashme me atë ndaj shoqes së jetës, që, duke qenë pranë teje në gjithçka, nuk e ke pasur, ose ty të duket se nuk e ke pasur vëmendjen e duhur.

Në këtë kafe kisha shkruar qindra faqe dhe po aq shënime për motive e sinopse, pa u kujtuar asnjëherë për atë vetë, kafenenë”, shkruan Kadare. Por, ndonëse një homazh Parisit, Kadare i jep këtij këndi një ngjyrim tërësisht shqiptar.

Një dëshmi kjo e dyzimit mes Shqipërisë dhe Francës, atdheut të lindjes dhe atdheut të dytë, që e mirëpriti dhe e vlerësoi në kohëra të vështira. Edhe pse ai është në tavolinën e tij, në kafenenë parisiene, mendimet e çojnë në Shqipëri, e ngjisin kalldrëmeve të Gjirokastrës, Sokakut të të Marrëve, në shtëpinë e madhe të Kadarenjve… pastaj vjen rritja, letërsia, njohja me shkrimtarët më të njohur shqiptarë, ata që kishin jetuar edhe Mbretërinë e ngjallnin një lloj kërshërie, për të vijuar me studimet në Moskë, shokët e klasës…

“Mëngjeset në kafe Rostand” në variantin shqip është një udhëtim përgjatë jetës së tij, prej fëmijërisë, deri sot. Nuk mungojnë edhe portrete poet- ësh, mes të cilëve edhe ai i Frederik Reshpjes, udhëtimin e jetës të së cilit Kadare e jep përmes “Një prill për Fredin”.

Please follow and like us: