Kallzimet e KLSH dhe reforma në drejtësi
Si qytetar kam ndjekur një pjesë të mirë të mbi 276 kallzimeve penale të Kontrollit të Lartë të Shtetit në pesë vitet e fundit. I bie një kallzim penal në çdo javë! Janë mbi 500 punonjës të administratës publike, nga ministra në drejtorë të përgjithshëm, në drejtorë drejtorish e institucionesh qendrore, deri tek specialistët në institucione të ndryshme publike. Shumica abuzues me pronën publike dhe shkaktarë dëmesh kolosale për Buxhetin e Shtetit, pra për paratë e të gjithë neve. Si ekonomist kam ndjekur dëmet e zbuluara nga Kontrolli i Lartë i Shtetit në pesëvjeçarin 2012-2016. Shifra është impresionuese, mbi 1 miliardë euro dëme ndaj Buxhetit të Shtetit, të zbuluara nga ky institucion kushtetues, të vërtetuara si dëme dhe të kërkuara për dëmshpërblim. Sikur një e dhjeta e kësaj shifre kolosale të ishte kthyer në Buxhet, do të kishim sot 100 milionë euro më shumë për spitalet, shkollat dhe pensionet e 660 mijë pensionistëve tanë! Por këto para nuk kthehen, pse mungon ndjekja e fortë e rekomandimeve dhe masave të propozuara nga KLSH. Mungon nga qeveria një VKM(Vendim i Këshillit të Ministrave) për zbatimin rigoroz dhe me përparësi absolute të rekomandimeve të dhëna nga institucioni më i lartë i auditimit publik në vend. Mungon vullneti në nivelet më të larta qeverisëse për ta parë këtë institucion kushtetues si aleatin më të mirë në pastrimin e rradhëve të administratës publike nga të korruptuarit dhe abuzuesit. KLSH në rekomandimet e veta ka kërkuar edhe largime nga puna apo nga shërbimi civil të dhjetëra zyrtarëve nga më të lartë të administratës shtetërore. Por këto kërkesa kanë hasur në veshin e shurdhër të qeverisë, duke ushqyer drejt për së drejti antikulturën e pandëshkueshmërisë në Shqipëri. KLSH sërisht ka kërkuar në Kuvend për tre vite rradhazi përgatitjen dhe miratimin e Ligjit për Përgjegjësinë Materiale të Nëpunësit Publik. Po të ishte ky ligj, të paktën ato 100 milionë euro si një e dhjeta e dëmit të shkaktuar Buxhetit të Shtetit në pesë vitet e fundit, do të ishin rekuperuar në Buxhet! Të 276 kallzimet penale të KLSH duhet të qëndrojnë në ndërgjegjen e gjithsecilit qeveritar të vendit tonë si akt-akuzat më të rëndësishme, të dokumentuara plotësisht, për korrupsionin galopant në administratën tonë publike. Nëse do të duhej të gjenim një portë hyrjeje për nisjen e suksesshme të reformës në drejtësi, do të kishim « portikun » e këtyre dosjeve të KLSH-së! Ato janë që të gjitha denoncime të detajuara të dukurive korruptive përmes tenderave publikë dhe dhjetra deformimeve e manipulimeve të kryera nga njerëz të veshur me pushtetin qeverisës. Janë thirrje që tregojnë në detaje rrënjët e korrupsionit shqiptar dhe kryerësit e këtij korrupsioni! Janë dosje të gatshme për institucionet e reja që do të dalin nga reforma në drejtësi, që të hapen gjyqe shembullore për të goditur realisht korrupsionin. Përmes tyre, çdo prokuror dhe gjyqtar i epokës së re që po çel në drejtësinë shqiptare, do të orientohej drejt për të goditur fuqishëm dukurinë më kancerogjene të shoqërisë shqiptare. Të 276 denoncimet e KLSH janë hetimet e para të detajuara ndaj korrupsionit, dhe përbëjnë garancinë më të lartë e profesionale që sot kemi për suksesin e reformës në drejtësi. Konsiderimi i menjëhershëm i këtyre dosjeve nga institucionet e reja të drejtësisë do të përbënte qasjen e duhur për ta nisur shumë seriozisht dhe nga porta e duhur luftën reale ndaj korrupsionit. Njëlloj si besimi qytetar është ngritur nga denoncimet kurajoze të bëra këto pesë vitet e fundit nga KLSH, ashtu edhe reforma në drejtësi do të fitonte peshë në sytë e shqiptarëve, nëse do të niste hetimet pikërisht nga denoncimet e plota të sjella nga Kontrolli i Lartë i Shtetit.
Fatos ÇOÇOLI