“NEW YORK TIMES”: Ngritja dhe rënia e meritokracisë evropiane
Kur nuk mund e kuptojmë pse njerëzit sillen në një mënyrë të caktuar, gjëja më e lehtë për të bërë është të bindim veten se njerëzit nuk dinë se çfarë bëjnë. Pikërisht këtë kanë bërë liderët evropianë politikë, të biznesit dhe medias në përgjigje të valës populiste që ka përfshirë kontinentin e vjetër. Ata ndjehen të tronditur që shumë prej bashkatdhetarëve të tyre votojnë për demagogë të papërgjegjshëm. U duket e vështirë të kuptojnë kundërshtitë e bujshme kundër elitave dhe meritokracisë të simbolizuar nga shërbyesit civilë të trajnuar mirë në Bruksel.
Pse ndodh kjo në një kohë kur kompleksiteti i botës tregon se njerëzit kanë nevojë për maturi? Pse njerëzit që mundohen shumë në mënyrë që fëmijët e tyre të diplomohen nga universitetet më të mira në botë, refuzojnë të besojnë te njerëzit që janë diplomuar tashmë nga këto universitete? Si është e mundur që dikush mund të pajtohet me Majkëll Govin, politikani pro-Brexit që thotë se njerëzit janë ngopur me ekspertët?
Duhet të duket qartë se meritokracia – një sistem ku më të talentuarit dhe të aftët, të mirëarsimuarit, ata që radhiten të parët në provime, janë vënë në poste udhëheqëse – është më e mirë se plutokracia, gerontokracia, aristokracia dhe, ndoshta, edhe se sundimi i shumicës, demokracia.
Por elitat meritokratike të Evropës nuk urrehen vetëm nga populistët fanatikë, por edhe nga njerëzit e zakonshëm.
Majkëll Jang, sociologu britanik, i cili në mes të shekullit të kaluar shpiku termin “meritokraci,” nuk do të befasohej nga rrjedha e ngjarjeve. Ai ishte i pari që shpjegoi pse “meritokracia” mund të tingëllojë mirë për shumicën e njerëzve, por një shoqëri meritokratike do të ishte katastrofë. Sepse do të krijonte një shoqëri egoiste dhe arrogante të fitimtarëve, dhe nga ana tjetër të humbësve të zemëruar dhe të dëshpëruar. Triumfi i meritokracisë, kuptoi Jangu, do të çojë në humbjen e bashkësisë politike.
Çfarë i bën meritokratët kaq të padurueshëm për kritikët e tyre nuk është aq shumë suksesi, por këmbëngulja e tyre drejt suksesit, fakti që kanë punuar më shumë se të tjerët, që janë më të kualifikuar se të tjerët dhe ngase kanë kaluar prova ku të tjerët kanë dështuar.
Paradoksi i krizës aktuale politike në Evropë i ka rrënjët në faktin se elitat e Brukselit fajësohen për të njëjtat arsye për të cilat lavdërojnë veten e tyre, për kozmopolitanizmin e tyre, rezistencën ndaj presionit publik.
Në Evropë, elita meritokratike është një elite mercenare, jo ndryshe nga mënyra se si lojtarët më të mirë të futbollit shpëngulen nëpër klubet më të suksesshme në të gjithë kontinentin. Bankierët e suksesshëm holandezë shkojë në Londër; burokratët kompetentë gjermanë shkojnë në Bruksel. Institucionet evropiane dhe bankat, ashtu si klubet e futbollit, shpenzojnë shuma kolosale parash për marrjen e “lojtarëve” më të mirë.
Por çfarë ndodh kur këto ekipe fillojnë të humbasin ose ekonomia ngadalësohet? Tifozët i braktisin. Kjo për shkak se nuk ka asnjë marrëdhënie të lidh “lojtarët” dhe tifozët e tyre përtej fitoreve. Ata nuk janë nga e njëjta lagje. Nuk kanë miq të përbashkët apo kujtime të përbashkëta. Shumë nga lojtarët nuk janë as nga të njëjtat vende si ekipet e tyre.
Në sytë e elitave meritokratike, suksesi i tyre jashtë vendit është dëshmi e talentit të tyre, por në sytë e shumë njerëzve, kjo lëvizje është një arsye për të mos u besuar.
Njerëzit u besojnë udhëheqësve të tyre jo vetëm për shkak të kompetencave, por edhe për shkak të guximit dhe angazhimit, për shkak se besojnë se udhëheqësit e tyre do të qëndrojnë bashkë me ta në kohën e krizave, nuk do të fluturojnë jashtë me urgjencë. Paradoksalisht, kompetencat e konvertueshme të elitave aktuale, fakti se janë po aq të aftë për të drejtuar një bankë në Bullgari ose në Bangladesh, ose për të dhënë mësim në Athinë apo Tokio, bëjnë që njerëzit t’i shohin në mënyrë të dyshimtë. Njerëzit kanë frikë se në kohë fatkeqësish, meritokratët do të zgjedhin ta lënë vendin ta përballojë vetë koston e qëndrimit.
Pikërisht për këtë arsye është besnikëria – domethënë besnikëria e pakushtëzuar ndaj grupeve etnike, fetare ose sociale – ajo që qëndron në zemër të ankesës së populizmit të ri të Evropës. Populistët u premtojnë njerëzve të mos i gjykojë ata bazuar vetëm te meritat. Ata premtojnë solidaritet, por jo domosdoshmërisht drejtësi. Ata nuk premtojnë të shpëtojnë njerëzit, por të qëndrojnë me ta. Ata premtojnë të rivendosur kufizimet kombëtare dhe ideologjike që janë hequr nga globalizimi. Ata premtojnë të rivendosin lidhjen midis elitave dhe popullit. Dhe shumë njerëzve në Evropë sot u duket tërheqës ky premtim.