Albspirit

Media/News/Publishing

Politizimi i Drejtësisë dhe rasti Sali Berisha

Artur Zheji

Tanimë kemi të bëjmë me një sulm të drejtëpërdrejtë, ndaj ish kryeministrit Berisha, lidhur me cështjen e ÇEZ dhe jo vetëm. Janë mbledhur tufë të gjithë ish miqtë e tij, ish krijesat e tija të dikurshme, të cilat kanë filluar një gjueti shtrigash ndaj një personi të vetëm, për ta pasur atë, Sali Berishën, një trofè për zgjedhjet e ardhshme të Përgjithshme. Berisha edhe mund të ketë përgjegjësi legale për cështjen Çez, apo të tjera, sepse ka qenë më së fundi 8 vite rresht kryeministër dhe korrupsion kishte, ashtu si edhe sot.

Por kështu si po kurdiset komisioni hetimor parlamentar për këtë çështje, ashtu si edhe janë kurdisur pasqyrimet dhe interpretimet mediatike të mediave të pushtetit, koncepti i Drejtësisë dhe përdorimi politik, janë përzier në një të vetme.

Kërkohet pra, me ngulm dhe sipas një skeme të mirëmenduar, binjakëzimi i sistemit të ri të drejtësisë, me goditjen personale të kollonës më të lartë dhe më të “rrezikshme” opozitare që ka sot për sot Shqipëria.

Personalisht nuk kam marrë kurrë ndonjë përfitim nga Sali Berisha. Madje më ka sjellë dëme në jetën time personale, duke më shkarkuar në mënyrë të paligjshme nga detyra që kisha në vitin 2006, ndërkohë që ministri asokohe i kulturës, më hoqi edhe gruan nga puna, si edhe më hoqën çdo priviligj të trashëguar nga detyrat shtetërore. Nuk kam asnjë detyrim ndaj tij, apo ndaj Partisë Demokratike, në mos qoftë krejt e kundërta.

Por tani arësyetimi lidhet ngushtë me të ardhmen e Sistemit të Drejtësisë në Shqipëri dhe me skemën e rrezikshme të “bërjes drejtësi të përzgjedhur” apo selektive, ndaj ish kryeminsitrit Berisha.

Kjo gjueti shtrigash, që njera palë po bën, me prapavijë dhe frymëzim të qartë politik dhe hakmarrës, e dëmton që në djep, ringritjen e një Drejtësie të Re, e cila duhet ti ketë sa më larg funksionit apo përfitimit të vet, përcaktimet e veta, të mbështetura në Ligj dhe jo në vullnet apo pikësynim elektoral.

Shqipëria po ndëshkohet edhe sot e kësaj dite nga një korrupsion galopant dhe rrënjë thellë. Llogjika ta do, që lufta legale kundër korrupsionit të drejtohet pikësëpari ndaj pushtetit të sotëm dhe pastaj të thellohet në të kaluarën, me të njetën rreptësi.

Sepse duhet ndëshkuar “pandëshkueshmëria e sotme” dhe jo të krijohet një epërsi e rreme morale si edhe është dogma e kryeministrit tonë të sotëm, që kërkon një përndezje të luftës ndarëse në të Mirë dhe në të Këqinj, ndërkohë që e keqja dhe korrupsioni nuk njeh as kufij dhe as sigla partish.

Nëse do të kemi një Drejtësi Socialiste kundër Sali Berishës, do të kemi një drejtësi politike, duke i dhënë kështu çdo fajtori dhe mëkatari real, alibinë e pafajsisë apo të “persekutimit” për arësye politike.

Thënë të gjitha këto, ish kryeministri Berisha, është dhe duhet të jetë një person pa imunitet ndaj Ligjit, ashtu si edhe ish ministrat e tij, porse ky është dhe duhet të jetë një proçes paralel, trasversal dhe gjithëpërfshirës.

Që do të thotë, që Drejtësia duhet të fillojë në mënyrë të shëndetshme, nga e sotmja tek e djeshmja dhe jo të fillojë nga e djeshmja, për të mos arritur kurrë tek e sotmja dhe që të shërbejë për pushtetin e nesërm, të atyre që janë sot në pushtet.

Ky dhe do të ishte një turp i ri dhe do të shënonte lindjen e një Drejtësie të Padrejtë, që do ta kishim mbi qafë edhe kushedi se sa vite të tjera.

Please follow and like us: