Redi SHEHU: Politika dhe mediat online
Në epokën e mediave online, sigurisht që edhe politika nuk do të mbetej jashtë këtij procesi. Ajo (politika) i ka parë gjithmonë mediat online si mënyra më e mirë dhe më e kollajshme për të penetruar në intimitetin e qytetarit, për arsye se gjatë kësaj marrëdhënieje njerëzit nuk komunikojmë vetëm me njëri-tjetrin, por, përveç të tjerash, ata komunikojnë me vetveten. Ky komunikim i qytetarit me vetveten shfaqet shumë joshës edhe për faktin se komunikimi online ka shkurtuar kohën midis politikës dhe reagimit qytetar dhe shpesh ka ndërtuar një realitet mbi realitetin, i cili ka zvogëluar distancën tradicionale të qytetarit me politikën. Media e vetme nuk mund të ndryshojë mendjen e njerëzve, thanë Elihu Katz dhe Paul Lazarsfeld, dy sociologët e famshëm amerikanë, pas studimit që i bënë opinionit publik në zgjedhjet presidenciale amerikane të 1948-ës. Ata thonin se informacionet së pari transmetohen nga media dhe më pas jehona e këtyre informacioneve shumëfishohet nga miqtë, familja, kolegët, etj. Është pikërisht në këtë hap të dytë që opinionet politike formohen në audienca nga diskutimi me rrethin e afërt të të njohurve. Kurse sot, mediat online e bëjnë të menjëhershëm procesin e feed back-ut nga të afërmit, sepse, për shkak të ndërlidhjes në kohë reale të njerëzve me njëri-tjetrin, opinionet e tyre bashkëshoqërojnë informacionin dhe përmes komenteve dhe diskutimeve opinioni politik formohet në kohën më të shpejtë të mundshme, e kështu distanca mes reagimit qytetar dhe politikës tashmë është pothuajse e zhdukur. Është pikërisht për këtë arsye që për politikën ka më pak rëndësi lajmi sesa bashkëbisedimi apo komentet rreth tij, pra, reagimi qytetar.
Përveç kësaj, ajo që i jep forcë komunikimit online është aftësia e tij për të ndërtuar raporte me pushtetet e tjera në të njëjtën kohë dhe me intensitet të lartë; pushtete në fushën e politikës, ekonomisë, kulturës, etj., të cilat ndërthuren në një masë në kohë në komunikimin online. Pikërisht për këtë arsye politika e sheh shumë të favorshëm këtë tipar të mediave për t’i shumëfishuar mesazhet e veta në të gjitha pushtetet njëkohësisht dhe me të njëjtin intensitet.
Ekziston dhe një anomali në këtë, le të themi, ”martesë dixhitale” mes politikës dhe komunikimit, e cila ka të bëjë me kohën në të cilën jetojmë, që karakterizohet nga një politikë komplekse dhe e sofistikuar, nga njëra anë, dhe mesazhionline që politika jep, që në përgjithësi është i shkurtër dhe i thjeshtëzuar, siç është rasti i twitter-it, në formën e rrufeve dixhitale. Sa më shumë që të mediatizohet politika, aq më shumë thjeshtëzohet ajo, duke anuar më shumë nga e e bardha dhe e zeza, dhe sa më e thjeshtëzuar që bëhet politika, aq më shumë ajo del nga esenca e vet, sepse tashmë flet me një gjuhë që nuk është e saj, por një gjuhë e konstruktuar për një audiencë online, një gjuhë e cila nuk fokusohet tek produkti politik, që më së shumti lidhet me aksionin politik, por te individi politik, që duhet të përmbushë dhe të kompensojë këtë thjeshtëzim të mesazhit. Për këtë arsye, përmbytja e imazhit të politikanit është aq e ekzagjeruar, saqë kthehet në një diktaturë të prezencës së figurave politike. Dalja nga thelbi politik ndodh pikërisht duke u shmangur drejt mendimit për politikanin si individ dhe drejt figurës së tij, e jo ideologjisë që ai ndjek, duke e kthyer atë në qendër të vëmendjes. E tashmë më i rëndësishëm bëhet humori i filan politikani sesa aksioni i tij politik dhe pasojat që ai ka mbi shoqërinë. Vëmendja e elektoratit nuk përqendrohet tek reformat ndaj sistemit, por tek dëshira për të reformuar personat politikë; e rëndësishme është se çfarë mendojnë Rama, Basha, Meta, dhe jo se si funksionojnë institucionet demokratike!
Një mesazh politik i dhënë nga mikrofoni ka shumë ndryshim nga i njëjti mesazh i dhënë në rrjetet sociale. Ky i fundit godet më shumë për shkak të tipareve të përhershmërisë dhe kudondodhjes që media online gëzon, lidhur kjo me teknologjinë që e rrethon individin e sotëm, të mbyllur hermetikisht në individualitetin e tij. Një qëndrim që lëviz nga objektiviteti drejt subjektivitetit të përdoruesve, edhe sepse media online e fuqizon mesazhin në mënyrë të shpejtë, të lirë, dhe, mbi të gjitha, në mënyrë më depërtuese se të gjitha format e tjera të komunikimit.
Dilemat e politikës u shtuan kur mediat online hoqën ekskluzivitetin e ligjërimit publik që politika e gëzonte, duke ia dhënë këtë të drejtë çdo individi, shoqëruar me tiparin e mungesës së hierarkisë që zakonisht haset në politikë; ky i fundit u bë tashmë i lirë të shfaqte kudo dhe kurdo mendimin e tij politik. Në këtë situatë të mungesës së ekskluzivitetit mbi ligjërimin publik, politikës i duhej që, në një boshllëk të realizimit të premtimeve të veta në këtë përballje të përditshme dhe të imponuar online, t’u drejtohej dy formave për të siguruar mbijetesën e saj, censurës dhe propagandës. Në raste të ndara, por edhe shpesh të koordinuara. Sa më të mëdha mosrealizimet, aq më e madhe censura dhe aq më e madhe dhe propaganda e konceptuar në formën e një make-up-i mediatik mbi atë që në fund të ditës nuk është gjë tjetër, veçse një punë e zakonshme e administrimit politik dhe e administrimit të vullnetit elektoral.
Si censura, ashtu edhe propaganda, synojnë drejt disnformimit. E para, duke ndërhyrë në politikën e transmetimit të lajmit përmes qindra formash të trafikut të influencave, ndërsa, e dyta, duke ndërhyrë në bymosjen e të zakonshmes deri në mit. Kjo ka direkt pasojat e veta në procesin demokratik, sepse dëmton informimin. Formula e legjitimitetit politik e Alexis de Tocqueville, e cila thotë se, “Në demokraci, njerëzit meritojnë qeverinë që kanë,” apo e Joseph De Maistre, që thotë, “Çdo komb përfiton qeverisjen që meriton,” bazohet kur vota merr kuptim të vërtetë vetëm nëse informimi i elektoratit ka qenë në nivelin e së vërtetës. Njerëz të painformuar apo të keqinformuar janë të paaftë dhe të papërgjegjshëm në zgjedhjet politike që ata bëjnë. Kështu, informimi apo informacioni kthehet në përcaktuesin kryesor mes popullit dhe qeverisjes që ai ka. Dështimi për t’i informuar saktë zgjedhësit çon në dështim të përcaktimit të udhëheqësve të drejtë. Pra, vota e zgjedhësve ndaj të zgjedhurve është demokratike sa kohë ajo është e bazuar mbi informimin e saktë; në momentin që vota jepet bazuar në keqinformim, atëhere edhe procesi demokratik dëmtohet rëndë.
Në këtë pikë, fomula e legjitimitetit politik, më shumë sesa, “Në demokraci njerëzit meritojnë qeverinë që kanë,” do të duhej të shtrohej mbi premisën se, “Në demokraci njerëzit meritojnë median që kanë.” A meritojmë ne median që kemi? Fakt është që gënjeshtra tek ne ka kohë që nuk i ka më këmbët e shkurtra, dhe se e vërteta ka ngelur invalide përballë gënjeshtrës që del mediatikisht gjithmonë. Shpesh mediat online ose jo kanë pranuar të bëhen këmbët e zgjatura të gënjeshtrës politike. Pavarësisht efektit demokratizues që rrjetet sociale përhapin, përsëri ato qëndrojnë në kuadrin e individuales dhe çorganizimit në raport me kompanitë e mëdha mediatike.