Albspirit

Media/News/Publishing

Betimi i Trumpit, Kina: Delegacioni i Tajvanit mund të minojë marrëdhëniet tona

Lufta e fjalëve mes Kinës dhe Donald Trump është përshkallëzuar sërish, teksa Kina u ka bërë thirrje Shteteve të Bashkuara të mos lejojnë delegacionin tajvanez të marrë pjesë në betimin e tij.

Vetëm pak kohë më parë, Trump shkeli protokollin diplomatik prej disa dekadash, duke folur drejtpërdrejt me presidenten e Tajvanit, pasi fitoi zgjedhjet presidenciale të nëntorit të kaluar.

Kina tha se e kundërshton pjesëmarrjen e delegacionit tajvanez, i cili sipas saj mund të “shqetësojë dhe të minojë marrëdhëniet amerikano-kineze”.

“U bëjmë thirrje edhe njëherë palëve përgjegjëse në SHBA, që të mos lejojnë asnjë delegacion të autoriteteve tajvaneze të marrë pjesë në ceremoninë e betimit të Trumpit, e mbi të gjitha asnjë zyrtar amerikan të mos ketë kontakte me Tajvanin”, tha Hua Chunying, zëdhënëse e Ministrisë së Jashtme kineze. “Ky mesazh është dërguar qoftë për administratën në largim të SHBA-ve, ashtu edhe për ekipin e tranzicionit të Trumpit”.

Kina pritet të dërgojë ambasadorin e saj në SHBA, Cui Tiankai, në ceremoninë e betimit. Dihet që Pekini e sheh Tajvanin si një provincë të shkëputur, e shpeshherë ka përdorur kërcënime ushtarake në mënyrë që të ndalë çdo përpjekje për deklarimin formal të pavarësisë. Trump, nga ana tjetër, ka irrituar Kinën me fjalët se politika e “një Kine të vetme”, – një ‘status quo’ diplomatike sipas së cilës pretendimet e Pekinit nuk kundërshtohen, – mund të bëhet një mjet negociimi në bisedimet e ardhshme tregtare.

Një grup zyrtarësh të sigurisë dhe ligjvënësish nga Tajvani, të udhëhequr nga Yu Shyi-kun, një ish-kryeministër dhe drejtues partie, pritet të marrin pjesë në betimin e Trumpit më 20 janar.

Ministria e Jashtme e Tajvanit informoi se delegacioni thjesht sa do të “tregojë rëndësinë që i japin qeveria dhe populli ynë, marrëdhënies së afërt dhe miqësore mes dy vendeve tona”. Nga ana tjetër, një delegacion amerikan mori pjesë në betimin e presidentes së Tajvanit, Tsai Ing-wen, në vitin 2016.

Tajvani, edhe në të kaluarën ka dërguar delegacione në betimet e presidentëve amerikanë, por kanë qenë pikërisht shpërthimet e Trumpit mbi politikën e jashtme, ato që kanë tendosur marrëdhëniet me Kinën, që përpara se ai të hyjë zyrtarisht në Shtëpinë e Bardhë.

Please follow and like us: