Gasper Çurçia, Lui Armstrongu shqiptar, që e shpërfilli komunizmin
Rrëfimi i Sadik Bejkos “Ai e e njihte realitetin e regjimit. Shpesh thoshte: “ne jemi si ata gaztorët në një oborr të rëndë tiranik. Ne mundohemi që aty të sjellim gazin, por edhe gazi ynë është i kontrolluar”…
Edicioni i dytë i Festivalit të Artit të Ndaluar në mbrëmjen e tij të tretë trajtoi gjerësisht historinë e muzikantit të pazakontë Gaspër Çurçia. Një artist virtuoz, instrumentist, dirigjent, kompozitor, orkestrues, me ulje ngritje të pashembullta ne karrierën e tij gjate viteve të diktaturës, se fundi, ai u dënua nga regjimi me pushkatim për faj në dukje ordiner.
Por çfarë fshihej në marrëdhënien e tij të paqëndrueshme me levat drejtuese të regjimit? Si rrjedh historia e tij nga rrënjët e familjes tek përpjekjet e tij për të shkëlqyer në muzikë?
Në një bisedë të moderatorit Bledi Strakosha me poetin Sadik Bejko, mik i afërt i muzikantit, në skenën e “BUNK’Art”, u zbuluan shumë dimensione thuajse të panjohura nga jeta dhe karriera e këtij muzikanti. Po në këtë mbrëmje në formë homazhi për Gasper Çurçinë u interpretuan edhe disa pjesë muzikore frymëzuar prej muzikës së këtij artisti virtuoz nga Gent Rrushi dhe banda e tij.
Cili ka qenë ky autor kaq i famshëm, i cili për fat të keq u pushkatua? Ju si e keni njohur, në ç’rrethana? Ka qenë një miqësi fëmijërie, një miqësi profesionale?
E kam pasur mik Gaspër Çurçinë, njohja jonë ka qenë thjesht profesionale. Unë jam nga jugu i Shqipërisë, ai ishte shkodran, nga një familje e vjetër qytetare, katolike. Jemi njohur në shkurt 1971, kur jam emëruar redaktor për poezinë në Radio Tirana. Ishim pjesë e redaksisë së quajtur Redaksia e krijimtarisë muzikore. Aty prodhohej muzikë. Gjithçka që prodhohej si muzikë e re në të gjithë Shqipërinë kalonte nëpërmjet kësaj Redaksie. Dhe muzika e filmave, e dramës aty bëhej. Gaspër Çurçinë e gjeta aty. Më 1962 ishte emëruar në Radio Tirana fillimisht si trombist i orkestrës simfonike. Timbri i Gasprit nuk ishte timbri i muzikës klasike, timbër simfonik, por timbrër i muzikës së xhazit. Ky është një dallim shumë i madh për ata që janë specialistë. Megjithatë për nevojat e kohës, ai shërbeu për disa kohë si trombë e orkestrës simfonike. Në jetën profesionale Gaspri kishte shkëlqyer që në rininë e vet si trombist amator, autodidakt, pa shkollim muzikor. Me profesion ishte elektricist, i specializuar goxha në këtë fushë. Elektricistin për pak kohë e ushtroi si profesion dhe kur e hoqën nga jeta artistike. Dhe në rininë e tij e kishte ushtruar. Gaspri shkëlqeu si muzikant i orkestrave të famshme të hoteleve dhe të lulishteve në plazhin e Durrësit në periudhën kur në Shqipëri vinin turistët çekë, polakë, gjermanë, rreth viteve 50-60-të. Turistë “miq” prej vendeve të ashtuquajtura të demokracive popullore. Gaspri ishte tipi i muzikantit pa shkollim, por që kishte talentin të luante p.sh. këngën e fundit të luajtur një natë më parë në Sanremo ose një këngë të Eurovisionit që e kishte dëgjuar në Radio. I njihte shumë mirë të gjithë muzikantët, të gjitha rrymat e sidomos gjithë trombistët më të mëdhenj të kohës së tiji. Si trombist kishte një timbër brilant. Mund ta mbante audiensën gjithë natën me trombën e vet. Tipi i muzikantit, i instrumentistit të lindur që kalonte lehtësisht në notat më të larta, shpërthente deri në delir. Tromba ka një tingull shumë të gëzuar, përgjithësisht drithërues dhe me dritë. Dhe Gaspri si natyrë ishte me dritë, ishte njeri i gëzuar, shumë ekspresiv. Ishte nga ata që e çojnë gëzimin në kulm, në skaje. Ky temperament i gjallë, bashkuar me talentin e rrallë të instrumentistit, e bënin atë njeri shumë të dashur. Ka luajtur në Estradën eTiranës dhe në tavernat e“Dajtit”, para se të vinte në radiotelevizion. Kur kishte mundësi dhe ftesa të veçanta nga drejtori të caktuara të shtetit që përgatisnin pritjet, ai përherë ishte i pranishëm.
Ardhja e tij në Radio Tirana, që atëherë ishte prodhuesi dhe distributori më i madh dhe i vetëm i muzikës, nuk kërkonin veç njeriun e talentuar, amatorin e shkëlqyer. Duhej që të përputheshin të dy prirjet, talenti i lindur me dijen, me kultivimin si profesionist, profesionist i cili duhej të dijë të orkestrojë muzikë, duhej të dijë të drejtojë një orkestër. Shumë shpejt, falë pasionit dhe këmbënguljes që ta jep talenti, duke qenë në rrethin e muzikantëve më të mirë të kohës, (Radiotelevizioni dhe Opera mblidhnin muzikantët më të mirë të vendit), Gaspri e pa veten duke prishur, duke shkruar e grisur, duke mësuar.
Njohja personale me personalitete të muzikës, si: Agim Prodani, Tonin Harapi, Tish Daija, me kryemuzikantin Çesk Zadeja dhe shumë muzikantë të tjerë të Shqipërisë ishte shkollë për Gasprin. Thonë se nga ky lloj bashkëpunimi që lind në punë, që ta kërkon nevoja, fiton atë që nuk ta japin as 20 universitete. Gaspri u poq si muzikant, u bë i tillë që Çesk Zadeja, këtij amatori, këtij instrumentisti, i jepte këngët e veta për t’ia orkestruar. Kënga e Festivalit të 11-të që këndohet nga Dorian Nini, kompozuar nga Çesk Zadeja, është orkestruar dhe drejtuar nga maestro Gaspër Çurçia.
Gaspri kishte dhe aftësinë tjetër. Ashtu siç shikojmë sot nëpër filmat amerikanë, ai mund ta nuhaste që një djalë, muzikant amator, punësuar diku p.sh. si tornitor, në potencë mund të ishte një instrumentist shumë i mire. E zbulonte si talent dhe e merrte në orkestrën e tij. Kështu e krijonte orkestrën e tij me të talentuar… të marrë nga rruga.
Mzika gjente shteg për të mos iu bindur politikës së asaj kohe, apo jo…?
Dikush, ndoshta Bethoveni ka thënë që “tingujt janë të lirë, por fjala është në pranga”. Atëherë, në fakt, jo vetëm fjala por dhe tingujt ishin në pranga. Në radhë të parë, kishte një programim zyrtar antimodernist, një fobi politike ndaj muzikës së bukur. Pasonte dhe dashakeqësia, injoranca e drejtuesve, e aparatçikëve partiakë. P.sh. Gaspër Çurçia me trombën e tij të famshme, siç thamë, kishte çaste kur nga vetë lënda e muzikës lartohej deri në delir. Tromba regëtinte duke u mbajtur lart, vetëm lart. “Gaspër, po e ngrite prapë lart atë trombën tënde, mua më heqin nga kolltuku im, më çojnë drejt e në minierë, prandaj ule, duhet t’i biesh trombës ultas, kokulur”. Si mund t’i biesh trombës kokulur, me hinkën e saj poshtë midis gjunjëve? Ajo është një vegël e krenarisë, e gëzimit. E shpërthimit në tavan, në qiell. Por Gaspër, ule trombën, ule… Deri këtu arrinte puna. Mënyra se si interpretohej atëherë ishte ndryshe nga sot. Kishte ndrydhje emocionale, më pak gjeste, këngëtari s’mund të ishte i lirshëm etj., edhe dredhjet e belit quheshin shfaqje të huaja.
Gaspri ishte fytyrëbardhë, me flokë kafe të çelur. Vinte disi i shëndoshë, por edhe pse me pak mbipeshë ishte një njeri që në skenë fluturonte. Kishte një temperament gati elektrik.
Një këngë e Krajkës “Djaloshi dhe shiu” që dhe sot mund të bëjë përshtypje për ritmin tuist, atëherë u këndua nga Besnik Taraneshi dhe nga Vaçe Zela. Vaçja përfitoi për arsye të tjera, ndërsa ai Taraneshi që interpretoi si këngëtarët në RAI, u hoq nga skena dhe s’këndoi më kurrë. Kënga u quajt ritmike, xhaz…. muzikë “borgjeze”. Realisht ashtu ishte. Dhe sot tingëllon moderne. Në këtë Festivalin e 2-të të këngës në Radio Tirana u dënuan shumë kompozitorë dhe këngëtarë. Duhet të dimë që kompozitorët dënoheshin por dhe vinin prapë në skenë , ndërsa këngëtarët flakeshin përgjithmonë nga skena. Sot të tilla gjëra nuk mund t’i mendosh, por kështu ka ndodhur.
Siç thamë, muzika e mirë në Shqipëri vazhdonte të dëgjohej, të shijohej nëpërmjet radios. Mund të mos vinin librat më të fundit, letërsia e shek. XX, por valët, frekuencat e radios nuk mund t’i ndalonte askush.
Çfarë e frymëzonte Gaspër Çurçinë, cili kompozitor, cili këngëtar?
Siç thashë, Gaspri ishte i prirur ndaj muzikës së xhazit dhe ç’ishin më të mëdhenjtë e xhazit në kohë ai i njihte. Fotografinë e Lui Armstrongut e mbante me vete. Njihte shumë mirë meloditë, orkestrimet, skemat ritmike të të gjithë muzikantëve të shquar të kohës së vet.
Atëherë politika mendoi , se meqë rinia, koha, po kërkonin një muzikë dhe të veglave frymore, duhet të lejohej një orkestër e këtyre veglave. Gaspër Çurçia, tashmë i maturuar si muzikant, muzikant i prirur nga muzika moderne, u lejua të drejtonte një orkestër të këtij lloji. Ishte një iniciativë dhe e tij, por sigurisht u arrit me lejen e autoriteteve sepse atëherë s’kishe asnjë mundësi të bëje ndonjë lloj orkestre pa marrë leje nga shteti. Mënyra se si do të interpretohej, se çfarë muzike futi Gaspri aty, kjo ishte dëshmi e talentit, e veçantive të tij. Atëherë kur bëhej muzikë me vegla frymore quhej muzikë xhaz, ndërsa kur bëhej me orkestrën e madhe simfonike të Radio Tiranës, pra edhe me vegla të tjera muzikore, kjo nuk quhej xhaz. Xhazi me vegla frymore ishte i ndaluar dhe quhej muzikë e gabuar. Duke mbyllur një sy, diktatura e toleronte si me zor orkestrën frymore të Gasprit.
Atij iu dha në fund dënimi kapital. Çfarë ndodhi me familjen për të cilën ai kishte merak të madh, sidomos për fëmijët. Ka pasur tre djem apo jo?
Po. Kishte tre djem: Markun, Edin dhe Fredin. Ai donte që i vogli të studionte për muzikë. Dhe ai e mbaroi Liceun Artistik. Gruaja e Gasprit, Vasilika, një grua shumë e mirë, fjalëmbël, nikoqire, ishte arsimtare. Gaspri, përtej natyrës së tij gazmore, prapë ishte familjar. Nëna e Gasprit, kroate, punonte si rrobaqepëse për të mbajtur familjen dhe fëmijët e saj. Gaspri ka një vëlla dhe një motër në Shkodër. Nëna ka jetuar me Gasprin këtu në Tiranë dhe këtu vdiq në vitin 1971. Gaspri ishte një prind siç ishin atëherë prindërit e kohës. Ne u bërtisnim fëmijëve, donim që si baballarë të ishim autoritarë. Gaspri dhe kishte, dhe s’kishte kohë. Përgjithësisht jeta kryesore e tij ishte ajo e artit. Jeta artistike nuk ka orare. Sidomos pasditet janë të zëna sepse në atë kohë zhvillohen aktivitetet muzikore. Siç thashë, ai ishte dirigjent i mirë, kishte një orkestër, ishte instrumentist nga më të mirët për trombën në kohën e vet, mos themi, më i miri në llojin e muzikës xhaz, i shquar për trimbrin e tij të veçantë. Ishte edhe kompozitor. Orkestronte gjithashtu. Orkestrimi dhe sot është një gjë e jashtëzakonshme. Ajo kohë ka pasur disa orkestrues të mire, si: Radoja, Prodani, Kareco, Gjon Simoni, Aleksandër Lalo, dhe midis këtyre orkestruesve që kishin studiuar në universitet, ishte Gaspër Çurçia, një amator, të cilit i besonin këngët e tyre kompozitorët më të mirë të vendit. Ka kompozuar dhe ka incizuar disa këngë origjinale të muzikës së lehtë, ka kompozuar disa pjesë orkestrale të shkëlqyera, edhe muzikë për filma. Ka kompozuar muzikë për një kinokomedi, një muzikë argëtuese.
Përse u dënua z. Çurçia? Përse me një vendim kapital?
Është një histori e gjatë për të vajtur deri atje. Ai ishte tipi i njeriut të lirë. Në natyrën, në lëkurën e vet kishte lindur i lirë. Si çdo njeri, kishte frikë nga ajo kohë, por me miqtë që zgjidhte, në intimitet ma ta, nuk kishte frikë. Gaspri, midis nesh, fliste keq për diktatorin e asaj kohe. Përgjithësisht fjalë të tilla të çonin në burg. Por Gaspri kur krijonte miqësi, nuk kishte frikë. Nuk di se çfarë mund të ketë për atë njeri në dosjet e Sigurimit, sepse, siç e njoh unë, ai ishte natyrë e lirë. Ishte dhe njeri këmbëngulës që gati-gati edhe murit i binte me kokë për të arritur atë që dëshironte. Natyrshëm, si muzikant i talentuar, kishte edhe adhuruesit e tij. Pra, kishte dhe jetën e tij private, kuptohet. aq sa mund të arrihej kjo në komunizëm. Gaspri me natyrën e vet tentonte drejt kësaj, sepse ishte njeri shumë i lirë. Aq problem e kishin drejtuesit e tij të redaksisë, sa, kur mbaronte orkestrimin, mbaronte këngët, i kishte bërë gati, atij i thoshin që për nja dy ditë të mos shkonte në punë. Sepse, kur këngët do t’i nënshtroheshin kontrollit, atij mund t’i bënin pyetje për pjesë të ndryshme të muzikës që kishte kompozuar apo orkestruar. Pyetje: pse duhet kjo vegël muzikore këtu, po flauti apo ky saksi pse këtu etj. Gaspri nuk dinte t’ u përgjigjej në mënyrë zyrtare pyetjeve të tilla. Kompozitorët e tjerë dinin t’i flisnin me gjuhë profesioniste një zyrtari duke ia shpjeguar me qetësi. Ndërsa Gaspri nuk dinte ta bënte këtë, por i binte shkurt: “Ku merr vesh ti nga muzika, çfarë të duhet ty”. Një eprorit tënd nuk mund t’i flasësh në këtë mënyrë. Por Gaspri… kishte natyrën e jokonformistit. Në jetën e përditshme ishte tipi i njeriut shend e verë. Dhe muzika e tij ishte e gëzuar, dhe natyra e tij ishte e gëzuar.
Megjithatë, besoj se në një moment apo në një tjetër është dashur që të bëjë kompromis me kërkesat e kohës. Kishte ai ndonjë peng në krijimtarinë e tij, ndoshta për ndonjë tingull që nuk ishte sipas pasionit apo dëshirës së tij, që mund ta ketë diskutuar me ju?
Të flasim troç. Gaspër Çurçia e dinte shumë mirë ku ishte dhe kush ishte. Shpesh thoshte që “ne jemi si ata gaztorët në një oborr të rëndë tiranik. Ne mundohemi që aty të sjellim gazin, por dhe gazi ynë është i kontrolluar”. Gaspri si antikonformist i lindur dhe i bindur, thoshte: “Shiko se si është puna. Ne po bëjmë një festival të muzikës. Ky popull tani mund të mos ketë bukë të hajë, por do të dëgjojë këngët e festivalit dhe do të ndihet i gëzuar”. E dinte mjaft mirë se çfarë ishte roli i një muzikanti në një vend ku s’ka bukë dhe liri. Këtu duhet të kesh shumë kujdes. Por dhe kurajo që këtij populli t’i japësh pak gaz, pak muzikë të bukur. Nuk ishte njeriu të cilit i jep një detyrë dhe ai e bën përulësisht këtë detyrë. Gaspri ishte krijues, jo zbatues urdhërash.
Për sa i përket Festivalit të 11-të, dua të ndalemi pak, sepse ka qenë festivali ndoshta më i bukur si spektakël dhe më famëkeqi për pasojat. Shumë artistë u dënuan. Po sjellim si shembull rastin e Çurçisë, por ka pasur shumë karriera të tjera fatkeqe, jetë të thyera të artistëve, ndëshkime për shkak të artit.
Kjo ndodhte gjithmonë kur gjoja diktatura hapej pak, zbutej pak. Zhgënjimi do të pasonte. Papritur klima egërsohej. Pllakosnin fatkeqësi në letërsi, në muzikë, në teatër….
Qëllimisht?
Jo. Si në çdo kohë ka pauza, si të thuash, nevojitet dhe paqëtim. Pas tensioneve të mëdha kërkohet pak zbutje. Por lufta, egërsimi, jo zbutja është në natyrën e diktaturave.
Klima e butë e premtuar nga Festivali i 11-të, nuk ishte problem vetëm i Radiotelevizionit. Atëherë u bë një ekspozitë pikture shumë e bukur, ku morën pjesë dhe piktorë të rinj si Edi Hila, Edison Gjergo etj. Edison Gjergoja këtë e pagoi me burg, më pas vrau veten. Po ashtu Edi Hila u ndëshkua. Kjo pikturë kishte si përparësi ngjyrën dhe figurën, jo përmbajtjen. Në gazetën “Drita” disa shkrimtarë të rinj botuan poezi gati-gati surealiste. (U lejuan t’i botonin…) Në skenë po viheshin pjesë si “Njollat e murrme” e M. Jeros, “Orfeu zbret në ferr” e Tenesi Uilliams, “Banja” e Majakovskit, me regjisorë Luarasin, Spahivoglin. “Njollave të murrme” iu dha flamuri në darkë dhe u dënua të nesërmen. Artistët në atë kohë e dinin që po bënin një punë pak si mbi mina, por ata ndiqnin, si të thuash, instinktin e tyre. Siç thamë, artisti duhet të jetë më i miri në kohën e vet dhe kohës së vet duhet t’i japë diçka speciale. Thonë…u lejua festivali, u lejua poezia, piktura si e tillë. Por pyetja është: ku ishin, nga dolën njerëzit që bënë muzikën, pikturën, teatrin, artin që dhe sot është i bukur? Ishin aty, në mes të Tiranës. Ishin të aftë të bënin art në cilësinë më të ngritur të kohës .. Mund dhe të mos e bënin. Nuk do t’u ndodhte asgjë e keqe, po të mos e bënin. Por ata e bënë. Ata e donin këtë gjë. Më pas u ndaluan, u mallkuan. Kjo ishte tjetër, ishte përtej tyre… Ata e kishin bërë të vetën.
Mund të ndalemi pak më gjerësisht te Festivali i 11-të, festivali më famëkeq. Pse u dënuan aq shumë artistë?
Festivali i 11-të ka shumë shpjegime. Tani për tani, thuhet dhe që ka qenë një farë gracke. Ndonjëherë diktaturat të lejojnë të bësh diçka të ndaluar, që të justifikojnë spastrimet, fushatat ndëshkimore. Koha nga viti 1971, kur ndodhi hapja në kulturë, deri në vitin 1982, kur u pre koka e ministrit të Brendshëm, ka qenë një periudhë fatkeqësish të njëpasnjëshme. Dolën 3-4 lloje “grupesh” të kulturës, të ekonomisë, të ushtrisë, të Sigurimit, ndodhi dhe vetëvrasja e Mehmet Shehut.. Prologu i këtyre gjëmave ishte pikërisht Festivali i 11-të.
Spastrimet nuk kapën vetëm muzikantët. Minush Jeroja, një dramaturg, shkoi në burg dhe u zhduk nga jeta artistike; Mihallaq Luarasi shkoi në burg dhe duhej të vinin vitet 90-të që të dilte nga harresa. Një tjetër si Kujtim Spahivogli, një regjisor i madh, shkoi në Fier, punoi në prodhim e s’e ngriti kokën më etj., etj.
Ishte një fshesë që përgjithësisht kapi artistët. Por jo vetëm ata.
Prapë Festivalin e 11-të, si realizim artistik, mund ta quajmë një nga spektaklet më të bukura që janë bërë në diktaturë.
Nëse mund të shtoj diçka. Në momentin që i shikon ato regjistrime të duket gati sikur shikon Sanremon, sikur shikon një festival italian apo tipik perëndimor…
Po, ishte regjia, ishte muzika, prezantimi, ishte gjithçka e bukur. Në një farë mënyre ai festival u lejua të bëhej. Po këtu fshihet një enigmë. Mendohet se Shqipëria, e braktisur nga Kina, deshi të hapej nga Perëndimi (Spartak Ngjela). Thuhet se paskan ardhur francezë në Shqipëri për ta vërejtur hapjen, zbutjen e diktaturës shqiptare.
Atëherë Kina u hap ndaj Amerikës me takimin e famshëm Mao-Nikson. Presidenti francez Zhorzh Pompidu shkoi dhe bisedoi me Maon. Ishte një kohë ndryshimesh ndërkombëtare.
Rrethanat tona të brendshme apo tensionet ndërkombëtare bënë që Shqipëria të mos hapej. Ajo u mbyll prapë. Kjo mbyllje pati ato pasoja që i dimë. Kthesa së prapi preku deri figurat më të larta të Komitetit Qendror si Fadil Paçramin, Todi Lubonjën. Edhe familjet e tyre u shkatërruan. Gaspër Çurçia doli nga skena, Sherif Merdani shkoi për vite të tëra në burg, këngëtarë të tjerë si Justina Aliaj etj., nuk dolën më në skenë. Goditja në kulturë me Plenumin e 4-t u shtri si “luftë ndaj shfaqjeve të huaja” në gjithë shoqërinë. Jeta artistike, pas këtyre goditjeve mezi e mori veten. U ndje një tkurrje, një ngjethje në të gjitha artet. Ndëshkimi u shtri deri te “qafëleshët”, djemtë e rinj me flokët e gjatë, me favorite, me pantallona kauboj. Këndohej një këngë: “Porsa dola nga shtëpia,/ më arrestoi policia,/ pantallonat kauboj,/ favoritet gjer në gojë”. E lejonin të këndohej këtë këngë, që të frikësohej rinia. Çunave u qetheshin publikisht flokët…
Pra, nuk e pësoi vetëm muzika. Nga lart poshtë ndjehej një prerje tërthore. Nga jeta e çunave me pantallona kauboj e favorite deri te jeta e anëtarëve të Komitetit Qendror. Ishte një prerje, një qethje, një zhveshje nga gjërat që e bëjnë jetën të bukur.
Si e përjetoi Gaspër Çurçia daljen nga skena?
Gaspër Çurçia daljen nga skena e përjetoi rëndë. Ai dhe disa nga miqtë. Unë shkova në minierë në Memaliaj rreth 6 vjet për të nxjerrë qymyr. Gasprit i thanë të shkonte si muzikant diku në Veri. Ai mori librezën e punës se në emërtesë nuk ishte kuadër. Kuadro atëherë quheshin ata me arsim të lartë. Gaspri tha: “Unë me profesion jam elektricist. Më jepni librezën të punoj elektricist”. Në fillim e çuan elektricist të hapte e të mbyllte portat e Liqenit Artificial të Tiranës. Pastaj e çuan në Ndërmarrjen e Librit Shkollor “Hamid Shijaku”. Atje prodhoheshin vegla muzikore, mjete mësimore.
Trombës i bihet me diafragmë, ata që janë profesionistë ushtrohen si të tillë. Gaspri luante në trombë si amator dhe, prej kësaj kishte pësuar dëmtime të lehta në mushkëri, çarje të vogla. Miq e shokë kishte dhe me këtë pretekst mori një raport mjekësor. Pas kësaj punoi si portier, si roje ose në punë të tjera nga më të rëndomtat. E merrnin nëpër ndërmarrje që të orkestronte muzikë, të përgatiste grupe muzikore. Emri kurrë nuk i dilte. Për një artist, të punojë në mënyrë të tillë, si skllav, është vuajtje shumë e madhe. Siç thamë, për natyrën e Gasprit, natyrë shumë e lirë, ky largim nga njerëzit, kjo mbyllje e rrugës ishte asfikësi vrastare.
Në këtë periudhë e realizoi atë shpikjen me veglat muzikore?
Po, për të dalë nga kjo situatë Gaspër Çurçia provoi diçka tjetër. Njihet, p.sh. në Greqi, në Rusi ekzistojnë familje muzikore moderne të buzukut, të balalajkës tradicionale. Ka orkestra muzikore vetëm të një familjeje me buzuk-tenor, buzuk-bariton, buzuk-bas etj. Mund të ketë 10-15 vegla muzikore që krijojnë një familje të tillë. Gaspri mendoi të bëjë familje me vegla popullore të temperuara, të cilat t’i përgjigjeshin muzikës moderne. Kjo është punë për një institut, por ai, edhe me ndihmën e mjeshtrave të ndërmarrjes “Hamid Shijaku”, ia arriti kësaj.
Gaspri vinte nga një familje që kishte shtëpi pushimi në Razëm, kishte shtëpi në Koplik, në fëmijëri kishte qenë në Firence, dinte shumë mirë frëngjisht, italisht dhe serbo-kroatisht. Duke lexuar një libër italisht “Fizika e tingujve” shpiku mënyrën se si me tela të temperuara, nga veglat tradicionale mund të sajoheshin vegla të reja si familja e çiftelive, familja e lahutave, familja e bagllamave. Këto vegla muzikore u realizuan dhe shkuan deri në Ministrinë e Arsimit, u vlerësuan nga specialistët si Ramadan Sokoli, Çesk Zadeja. Anglezit Loid, që interesohej për muzikën dhe festivalet e Gjirokastrës, iu duk një mrekulli ky evoluim i veglave të folklorit në vegla të përshtatshme për muzikën e kohës. U mor dhe miratimi zyrtar që të bëhej një koncert me to. Gaspri orkestroi, përgatiti muzikantët. Ky ishte një sukses dhe Gaspri u gjallërua. Mendoi se po dilte nga harrimi. Mirëpo, siç i ndodhte gjithmonë, papritur e ndërprenë. Ai ka pasur me vete një demon të zi që s’e linte të ngrejë kokë. U dha urdhri që të mos dilte më në skenë. Veglat u mbyllën diku, në një bodrum të ish-kinema “Partizanit”. Aty u mykën e u prishën. Iku dëm gjithë ajo punë. Gaspri shkroi një monografi ku tregonte të gjithë procedurën që kishte ndjekur për të arritur tek ato vegla. Megjithatë, gjithçka mori fund.
Në Festivalin e 11-të ai orkestroi dhe drejtoi orkestrën me këngët e Tish Dajisë, Çesk Zadejës, Agim Krajkës etj. Ata nuk pësuan gjë. Ai e pësoi me jetë. Diku lart për të ishte marrë vendim që të mos dilte më në skenë. Për të nuk duhet të kishte rehabilitim.
Erdhi dhe dalja në pension. Ishte 50 vjeç.
Në këtë periudhë Gaspri u godit nga një dramë personale. Provoi shumë dhimbje prej kësaj
E tërhoqi një grua. Për mendësinë shqiptare kjo ishte dramatike: edhe burri, edhe gruaja do të ndaheshin nga familjet e tyre. Do t’i çonin diku, në ndonjë një fermë. Të banonin në ndonjë stallë. Një tmerr i vërtetë. Unë isha miku i tij dhe erdha me vrap për ta takuar. M’u kujtuan ca historiza të tij… por kësaj here ishte ndryshe. Më tha se ishte i dashuruar. Në atë kohë një burrë në pension, 50 vjeç, konsiderohej i plakur, që s’mund të dashurohej, s’mund të shkatërronte familjen. “Janë ligjet e zemrës, – thoshte, – zemra ka ligjet e veta, s’mjafton vetëm logjika. Ju na shkatërruat vetëm me logjikën e ftohtë. Takohemi dhe qajmë të dy me atë grua”. Ky ishte Gaspri. Kjo krrusmë e dëshpëroi rëndshëm. Por nuk mund të merrte një vendim ekstrem. Do ta bënte të lumtur, apo fatkeqe në kulm gruan që donte? Ne miqtë e tij ngulmuan që të mos e ndërmerrte këtë hap. Për kohën, do të ishte gati vdekjeprurëse. Për familjen e tij, për atë vetë, për gruan e dashuruar, për të dyja familje shqiptare. Ishte më tepër se sa një ndarje.
Në këto kushte, Gaspri, një pensionist, që veten e konsideronte ende të ri dhe me energji, (në fakt ashtu ishte), Gaspri të cilit jeta i ishte prerë mes për mes disa herë, nuk i mbetej tjetër, veç të bënte atë që mund të bëjë një njeri i dëshpëruar: vetëvrasjen.
Ç’doni të thoni me vetëvrasje?
Ai që kishte një mendje shpikëse, që gjithnjë kishte shpikur mënyra për të afirmuar veten, kishte bërë orkestra, vegla muzikore, kishte nxjerrë muzikantë, tashmë shpiku një tjetër gjë, por së prapthi, një vegël me të cilën falsifikonte bileta treni. Kur e kapën, ai deklaroi se e priste që ta kapnin, e dinte që ashtu do të ndodhte. Pra… bëri një vetëvrasje.
Ishte një protestë. Ishte njeriu që i thotë jetës: “Shko tutje, nuk të dua më. Ma keni marrë shpirtin kaq herë, sa tani nuk e dua më”.
Kjo ne na dëshpëroi shumë se ne ishim miqtë e tij, miqtë e një muzikanti të shkëlqyer. E kishim mik shumë të mirë. Tani ne duhet të mbyllnim gojën se atë njeri e vranë në këtë mënyrë. Po them e vranë Gaspër Çurçinë… sepse, mirë, ai bëri një gabim, falsifikoi dhe e dënuan për 20 mijë lekë, po fëmijët e tij ç’kusur kishin. Në qoftë se ky ishte një faj ordiner, jo politik, përse fëmijët e tij, të tre djemtë dhe gruaja e tij merren nga Tirana me të gjitha plaçkat e shtëpisë dhe çohen në rrëzë të malit të Tomorit. Atje ku mbaron banimi. Më lart s’ka, fillon ariu. Atje u internuan djemtë e Gaspër Çurçisë. Çfarë kishin bërë? Njërin e hoqën nga viti i fundit i studimeve në Liceun Artistik. Mirë Gaspër Çurçia ishte një falsifikator, po fëmijët çfarë bënë? Siç duket, shteti kishte një inat tjetër me Gasprin, një inat të madh me këtë njeri, të cilit gjithnjë ia shtypnin kokën dhe ai dinte ta merrte veten e të ngrihej përsëri. Ja, erdhi një ditë që jo vetëm e vranë, por i ndëshkuan dhe familjen. Për ne ishte shumë e rëndë, sepse nuk mund ta qanim, nuk mund të flisnim për këtë njeri.
Sot unë e them me plot gojën dhe jam i bindur që kjo është tragjedia e një artisti shqiptar në diktaturë.
Post Scriptum
Shpesh diktaturat komuniste kanë bërë transformimin e figurës së krimit. Krimin politik e kanë shkërbyer si krim ordiner. Kanë bërë, po e quajmë, degradimin, zbritjen në rang të krimit orgjinal. Eleminimin për motive mirëfilli politike, e kanë orkestruar publikisht si ndëshkim për faje ordinere. Priftërinjve u çonin armë në kishë që t’i akuzonin dhe ekzekuzonin si vrasës ordinerë, jo si priftërinj. Dy poetët e Librazhdit u akuzuan dhe ekzekutuan si sabotatorë në ekonomi, për mos t’i vrarë si poetë. Havzi Nela, mbi njëzet vjet i burgosur dhe i internuar politik, u var në litar si terrorist. Dhe Gaspër Çurçisë, për t’i marrë nderin si artistit modernist, antikonformist, i gjetën sebepin, për ta vrarë si kriminel të vogël, si hajn, si falsifiktaor. Gaspër Çurçisë i bën nder një fund i tillë. Një rebel si ai nuk mund të vdiste i përshtatur, i përvuajtur, me kokën ulur gati fetarisht. Ai i urrente ata që me plumb ia drodhën trupin, ia derdhën përdhe gjakun, ia fluturuan në qiell shpirtin.
Diktatura e kishte me hile. Ai ishte armik politik dhe plumbin e saj e kishte hak.
Një minibiografi e Gasper Çurçisë
Gasper Çurçia lindi në Shkodër në vitin 1934 në një familje të kamur tregtarësh. Gjyshi dhe i ati i tij ishin përfaqësues të Kompanisë Ford për Shqipërinë. Gasperi i vogël filloi të marrë mësime muzike nga pianistja Ida Melgushi në Shkodër. Përveç pianos ai mësoi të luante në kitarë, fizarmonikë, harmonikë, por vegla e tij e preferuar u bë tromba. Me gjithë mësimet e marra, mund të thuhet se ai qe autodidakt.
Pasi kryen shërbimin ushtarak në moshën 20 vjeçare vjen në Tiranë. Fillimisht punon si instrumentist nëpër lokale. Me krijimin e Estradës së Shtetit fillon për herë të parë një punë më serioze, në orkestër dhe kontribuon në shumë harmonizime dhe orkestrime së bashku me Alqi Karecon. Gjatë këtyre viteve ai kompozon muzikë të lehtë si dhe një muzikë për film, por kryesisht orkestronte.
Aktiviteti i Gasperit nuk u kufizua vetëm në muzikën e lehtë. Ai arriti të studiojë, projektojë dhe prodhojë instrumente të muzikës popullore si dhe të kompozojë për këtë orkestër. Por mbi të gjitha ai ishte një magjistar, një Lui Armstrong shqiptar, ishte një trombë në një gjysmë vajtim – shprehen kolegët e tij.
Në vitin 1962, ai u bë pjesëtar i orkestrës së Radio Tiranës për festivalet e këngës. Ai ishte orkestruesi i këngëve dhe dirigjenti i të parës orkestër xhazi në skenë. Kjo ka qenë arritja më e madhe e tij. Edhe me mjetet e sotme është vështirë të arrihen orkestrime të atij niveli. Mjafton të përmendim aranxhimin në xhaz të këngës “Natën vonë” që tingëllon aq i kohës sot e kësaj dite. Pas Festivalti të 11-të si edhe shumë artistë të tjerë, u dënua nga regjimi. Fillimisht u e dërguan të punonte si punëtor në Ndërmarrjen “Migjeni”.
Pas disa vitesh edhe aty filloi pas orarit, punën e muzikantit në lëvizjen amatore, duke organizuar një grup xhazi vetëm me femra. Më 1978 punon në një ndërmarrje tjetër, i angazhuar me prodhimin e instrumenteve popullorë, që i projekton dhe ndërton me pajisje të ideuara nga ai vetë.
Mendja e tij nuk rreshti së krijuari deri sa më 1984 akuzohet për një krijim të një lloji të veçantë, sikur kishte fallsifikuar bileta treni, një akuzë që çoi në pushkatim.
Gjithë veprimtaria e tij artistike u ndalua rreptësisht dhe u asgjësua. Më 11 Prill 1984 muzikanti Gasper Çurçia ekzekutohet.
Fjalët e tij të fundit ishin: “Të kini mëshirë për fëmijët e mi, po më pushkatoni për njëzet mijë lekë”.
Lajmi i pushkatimit të Gasper Çurçisë, megjithëse i pashpallur, u përhap fshehurazi në botën artistike të Tiranës. Qe një zi në heshtje. Ndërsa familja e tij nisi kalvarin e gjatë të vuajtjeve dhe persekutimit…