Albspirit

Media/News/Publishing

MASHA MA, stilistja që po bën histori

Kina ka nisur të fitojë terren kundrejt perëndimit në fushën e modës. Stilistja kineze Masha Ma është një nga produktet e valës së re të dizajnit të viteve të fundit. Ajo është pjesë e një grupi stilistësh të cilët po sfidojnë mendimin se Kina është më e mirë në prodhimin e produkteve dhe jo krijimin e tyre. Me gjysmën e fytyrës mbuluar nga një perde flokësh, Ma me stilin e saj shik thotë se eviton cliché-të e së kuqes kineze. “Nuk shkoj pas dragojve dhe feniksëve,” thotë Ma. Në vend të këtyre asaj i pëlqen gjeometria, këtë e shohim dhe në një nga krijimet e saj të fundit inspiruar nga një muze dizajnuar nga arkitekti kino-amerikan I.M. Pei.

“Dua ta ndryshoj idenë nga ‘Prodhuar në Kinë’ në ‘Dizajnuar në Kinë,'” thotë ajo. “Ka ardhur koha që marka kineze të shkëlqejë në tregun botëror.”

Ma, e lindur në Pekin dhe e arsimuar në Londër, u frymëzua nga bota e modës kur pa në një revistë një artikull për stilistin Alexander McQueen, me të cilin përfundoi duke punuar kohë më pas., Masha është quajtur si një nga stilistet me vision të veçantë. Elementët që formojnë stilin dhe mbajnë shenjën e krijimeve të saj janë ngjyrat dhe silueta e veshjes. E pavarësisht gjithçkaje, sipas Angelica Cheung, kryeredaktores së revistës ‘Vogue China’ ende ekziston një hapësirë e madhe mes perceptimit të njerëzve për tregun kinez dhe asaj që ky i fundit mund të ofrojë realisht.

Masha Ma në Kinë por edhe jashtë saj vlerësohet për stilin e saj shik. Ajo shkëlqeu gjatë prezantimit të koleksionit të saj në Javën e Modës në Paris ku shumë prej krijimeve të saj u morën për butikun Spiga 2, butik në Milano, hapur nga Dolce & Gabbana.

Dy vite më parë, Masha Ma, ka futur në sfilatat e saj maska të dekoruara me gur Swaroski.

Veshjet e saj janë përdorur nga Lady Gaga, Ora Rita, Naomi Campbell dhe Lana del Rey….por lista vazhdon.

Reputacioni i Ma-së në Europë u shtua gjatë “Paris Fashion Week” në vitin 2012.

Në vitin 2013, Ma hapi studion e saj në Shangai, suksesi i së cilës u bë frymëzim për stilistët e rinjtë Kinës.

“Masha arriti të transformonte elementet kineze në një gjuhë ndërkombëtare,” thonë njerëzit që punojnë pranë saj.

Brenda vetëm pak vitesh, Ma shpreson të hapë 100 butikë në të gjthë Kinën, duke u fokusuar tek prerjet aziatike në atë mënyrë që mund të sfidojnë në tregun europian. “Ajo është shumë e aftë për moshën që ka,” thotë Angelica Cheung, kryeredaktorja e “Vogue China”.

Angelica (张宇) është një nga stilistet më të njohura në industrinë e modës kineze; ajo gjithashtu është kryeredaktorja e “Vogue China”. Angelica është e bija e një diplomati kinez, u lind në Pekin ne vitin 1966 dhe u diplomua pranë Universitetit te Pekinit për drejtësi dhe gjuhë e literaturë angleze. Studimet master i ka përfunduar në Universitetin e Australise Jugore. Më pas ajo nisi me sukses karrierën e saj si gazetare në fillim të viteve ’90, dhe më pas ndikoi fuqishëm në modën kineze. Kur nisi për herë të parë Vogue në Kinë, Angelica u caktua si kryeredaktore.

“Tradita ime vjen nga Lindja dhe Perëndimi,” thotë Ma. “Kjo është Kina e re.”

Kur ishte fare në moshë të re kishte talent pikturën dhe fitoi shumë çmime. Familja e saj gjithnjë mendonte se vajza do bëhej piktore. Një ditë ajo pa një artikull rreth Alexander McQueen dhe ndjeu se duhet të bënte të njëjtën gjë. Në atë moment ajo nisi të krijonte. Dhe në atë kohë u pranua nga 5 shkolla të ndryshme, ku Saint Martins ishte zgjedhja e saj. Sapo u diplomua, Masha-s iu ofrua menjëherë punë— pranë Liebrich Horne, Donna Karan, Calvin Klein, Alberta Ferretti.

Ajo e quan veten me fat, pasi ka shumë talente nga Kina, ajo thjesht u ndodh në kohën e duhur në vendin e duhur kur u përzgjodh nga Central Saint Martins MA Fashion. Shpeshherë ajo gjen qetësi tek leximi– që nga revistat e ndryshme deri tek Kafka.

Edhe pas suksesit në Europë, MA u rikthye në Kinë pasi gjithnjë e më shumë kinezë e kërkojnë stilin e saj. Sot ajo ka një studio 550m2 në Shangai dhe ka të punësuar rrth 45 njerëz, dhe ka hapur dhe shumë pika të tjera në qytete të tjera të Kinës.

“Kur erdha këtu në Shangai nuk kisha asgjë, madje as gërshërë,” thotë Ma.

Për të konkurruar në tregun e jashtëm duhet të fokusohesh tek puna dhe të përmirësohesh dita ditës thotë MA.

Tani, ajo punon për të ndryshuar steriotipin rreth modës kineze thjesht duke qenë vetvetja.

MA udhëton shpeshherë drejt Parisit ku ka dhe zyrën e saj si dhe në New York dhe Londër. Ajo është e vendosur drejt rrugës së saj të suksesit për ta çuar industrinë kineze të modës drejt majave botërore. Ajo është shumë realiste dhe mantra e saj është “të mos jesh më e mira, por të përmirësohesh vazhdimisht”.

Please follow and like us: