Ministrja britanike: Shqipëria s’mund të jetë pjesë e BE, vend i varfër, me krim e korrupsion
Ministrja e Brendshme e Britanisë, Theresa May, ka deklaruar sot se vende të tilla si Shqipëria, Mali i Zi, Serbia dhe Turqia nuk mund të bashkohet me Bashkimin Evropian.
Ajo e argumentoi qëndrimin e saj duke i cilësuar vende të tilla “si të varfra, me probleme serioze të krimit të organizuar, korrupsionit dhe ndonjëherë edhe me terrorizmin”.
“Duhet të pyesim nëse është vërtet e drejtë që BE duhet thjesht të vazhdojë të zgjerohet duke u dhënë anëtarëve të rinj të njëjtat të drejta me themeluesit e unionit?” citon gazeta britanike “The Guardian”
Një tjetër konservator, pro daljes së Britanisë nga Bashkimi Evropian, Iain Duncan tha se mbështeste deklaratat e ministres së Brendshme.
“Sekretarja për Punët e Brendshme ka të drejtë që shqetësohet nga vende të rrezikshme si Shqipëria apo Turqia që mund të lejohen të hyjnë në BE. Nëse këto vende lejohen të bëhen pjese e BE-së, ata do të jenë një rëndesë më shumë për sistemin tonë të mbrojtjes për shkollat dhe shtëpitë tona. Është vetëm një rritje e rrezikut të shtimit të kriminalitetit dhe terrorizmit në rrugët tona,” tha ai, cituar nga mediat britanike.
“Pas kësaj deklaratë të Sekretares, May, a nuk duhet të dalë kryeministri dhe të shpjegojë nëse është dakord me qëndrimet e ministres së tij të Brendshme? Nëse ai nuk e bën këtë, duhet të shpjegojë qartë pse nuk pajtohet”, tha Smith.
Mediat britanike shtrojnë pyetjen nëse pas këtyre deklaratave, kryeministri David Cameron do të vërë veton për anëtarësimin e këtyre vendeve në BE, raporton Ora News.
“A do të vërë veton kryeministri për zgjerimin e Bashkimit Evropian me Shqipërinë, Maqedoninë, Mali e Zi, Serbinë dhe Turqinë në të gjitha rrethanat”, pyesin mediat britanike.
Deklarata të tilla vijnë gjatë fushatës për referendumin e Britanisë për daljen ose jo nga BE-ja.