Albspirit

Media/News/Publishing

PD nxjerr vendimin e gjykatës për deputetin Alfred Peza: Sa e ka patur realisht pagën?

Partia Demokratike ka publikuar një vendim të gjykatës së Tiranës, në të cilin thuhet se deputeti Alfred Peza, në kohën që ka drejtuar televizionin Ora News, ka deklaruar pranë kësaj gjykate një pagë prej 80 mijë lekësh të reja në muaj. Disa ditë më parë, pas publikimit të të dhënave se bashkëshortja e deputetit Peza ka blerë 1 % të aksioneve të Credins Bank për afro 1 milionë dollarë, Peza tha se këto para i kishte nga pagat prej mijëra eurosh që kishte marrë duke punuar si gazetar apo drejtor lajmesh. PD thotë se deputeti duhet të përgjigjet se sa e ka patur realisht pagën, 80 mijë lekë sa deklaronte në gjykatë në vitin 2010 apo 10 mijë  euro siç ka deklaruar ai vetë?

Deklarata e PD

Deputeti i Edi Ramës, Alfred Peza, në përpjekjen për të justifikuar pasurinë duket se ka kryer një mashtrim tjetër.

Peza tha se është paguar deri në 10 mijë euro në muaj në media, dhe ka qënë i adhuruar për këtë.

Por ky dokument që ka dalë në media, tregon se ai është paguar me 800 mijë lekë të vjetra në muaj.

Dokumenti është një vendim gjykate, dhe nuk besohet se ka shkresë më zyrtare në vend, se sa një vendim gjykate.

Atëherë, publiku ka të drejtën të dijë;

A është paguar 10 mijë euro në muaj deputeti i Ramës, apo 800 mijë lekë të vjetra në muaj.

Nëse Peza është paguar aq sa pretendon, a i ka paguar taksat? Taksat që shkojnë nga 2300 euro në muaj deri në vitin 2008, dhe 1000 euro në muaj pas vitit 2008 kur u vendos taksa e sheshtë?

Po institucionet e kontrollit dhe verifikimit të pasurisë, mbi cilat dokumente punojnë, mbi pretendimet e Pezës, apo dokumentat zyrtare?

Kështu do ta bëjnë ata dhe vetingun e gjykatësve dhe prokurorëve, sic kanë vepruar me deputetin socialist?

Qytetarët e kanë dëgjuar variantin e deputetit. Për të gjitha këto cështje, sot është mirë të përgjigjet Edi Rama.​

Please follow and like us: