Tensionet Tiranë-Athinë, Ekathimerini: Situata do të përshkallëzohet, shkak janë çamët
Është e qartë se tensionet mes Tiranës dhe Athinës në këtë periudhë janë në përshkallëzim. Mediat greke, njësoj si në Shqipëri kanë ndjekur me vëmëndje deklaratat mes dy ministrive të jashtme, që orët e fundit kanë replikuar në distancë duke kontribuar çdo ditë në krijimin e një ngërçi në nivel diplomatik. Një shkrim i Ekathimerini tenton të shpjegojë tensionin që ekziston mes palëve, duke marrë shkas nga ndërhyrja greke për projektin e qendrës së Himarës dhe statusi i Edi Ramës për Akropolin në Facebook.
“Shpërthimi më i fundit mes dy vendeve vjen si pasojë e rritjes së tensioneve për komunitetin çam, që kërkon kompensim pas u dëbimit nga veriperëndimi i Greqisë, pas Luftës së Dytë Botërore. Athina ka hedhur poshtë pretendimet, duke thënë se ato ishin bashkëpuntorë të nazistëve. Greqia është në pritje të përshkallëzimit të mëtejshëm të tensioneve, ndërsa Shqipëria do të shkojë në zgjedhje në Qershor të vitit të ardhshëm” shkruan Ekathimerini duke hedhur idenë se kjo është një strategji.
“Analistët besojnë se do të burojë ende shumë retorikë nacionaliste nga Tirana ndërsa marrin si referim- edhe si provë e ekzistencës së një plani të mirëllogaritur për të sjellë çështjen çame në qendër të vëmëndjes- demonstratat që u organizuan nga pjestarë të komunitetit çam gjatë një vizite në Qershor nga Ministri i Jashtëm Nikos Kocias, dhe ngritjen e një parrulle për “genocid” në Greqi, gjatë një ndeshjeje të Kampionatit Europian në Francë” mbyllet shkrimi në të përditshmen greke.