Lazër Stani: Sot më pak të lirë se dje
Shkrimtari Lazër Stani sot është një nga penat më të mira të prozës shqiptare. Autor i disa vëllimeve të suksesshëm, fitues çmimesh kombëtare, publicist dhe gazetar i mirënjohur dhe mjaft aktiv. Në fillim të këtij viti, edhe shkrimtari Stani bën një lloj bilanci dhe njëherësh shpreh mendimin e tij për realitetin që jetojmë përditë. Ekskluzivisht për “360 grade”, Stani, ndër të tjera thekson se “Njerëzit janë më pak të lirë se sa ishin dy dekada më parë. Dhe kjo është një arsye për t’u alarmuar. Kur zgjohesh në mëngjes dhe e ndjen se sot je më pak i lirë se dje, instinktivisht e ndjen se je futur në një rrugë pa krye…”
Si e mbyllët vitin e shkuar dhe çfarë do të veçoni nga ky vit?
Pyetja juaj më kujtoi titullin e një libri të lexuar para disa vitesh, “Diary of a Bad Year”, (“Ditar i një viti të lig”) të John M. Coetzee. Ka qenë një vit i turbullt, i ankthshëm, një vit gërryes. Dhe jo vetëm për mua, po për shumicën e shqiptarëve. Por në këtë vit, gjithsesi ia dola të botoj një libër me esè, “Rrugë pa krye”. Eshtë një libër i ri për mua, diçka e re për mua, dhe besoj dhe për ata që e kanë lexuar ose do ta lexojnë në të ardhmen. Një libër për raportet e shkrimtarit me veten, me leximin, procesin krijues, të shkruarit, muzikën, udhëtimet; një libër për raportet me shkrimtarët e tjerë, fatin e njeriut, jetën dhe vdekjen; një libër i shkruar mbi eksperiencat e mia të të gjithë këtyre viteve, ndonëse përmban edhe element fiction, sepse, si prozator, nuk mund t’i shpëtoj pasionit të rrëfimit të historive. Një vit që sjell një libër të ri, për një shkrimtar gjithsesi nuk është vit i shkuar dëm.
Çfarë projektesh keni për 2017 dhe cili është angazhimi më i afërt publik i juaji?
Çfarë projektesh mund të kem tjetër veçse të shkruaj. Nëse ia dal të botoj një libër tjetër të ri, të ri për mua në radhë të parë, e pastaj edhe për lexuesin, do të jetë diçka e bukur. Asgjë nuk më kënaq më shumë se krijimi, të shkruarit në mënyrë kreative. E di se tingëllon disi absurde, ngjan me një çmenduri. E kush ka nevojë për librat, në një vend ku e bukura përbuzet, në një vend ku vlerat shkelen me këmbë, një një shoqëri që s’di ku ka kokën e ku këmbët, në një vend që orkestrohet nga duar të liga?! Askush. Po unë shpirtërisht jam i lidhur me atë pakicë të njerëzve që sfidojnë, që nuk nënshtrohen, kështu që them do të vazhdoj të shkruaj, pa patur asnjë angazhim tjetër publik. Të paktën për momentin nuk kam asnjë projekt për një angazhim të tillë.
Çfarë gjëje ju shqetëson më shumë sot, aktualisht, si shkrimtar, si qytetar?
Lista e shqetësimeve është e gjatë, por kujt t’ia thuash. Ne kemi humbur aftësinë për të dëgjuar. Jetojmë në një diktaturë shurdhimi, që është pothuajse e njëjtë me diktaturën ku liria e shprehjes ndalohej me ligj. Dhe një shoqëri e shurdhët, një shoqëri që ka humbur magjinë e fjalës, është shoqëri lehtësisht e sundueshme, e prirur të qeveriset nga diktatorë. E thotë mirë Eduardo Galeano: “Historia, në të vërtetë, nuk thotë kurrë lamtumirë. Historia thotë “Shihemi më vonë””. Ka shenja të dukshme se ne po përsërisim historinë tonë të dhunshme. Njerëzit janë më pak të lirë se sa ishin dy dekada më parë. Dhe kjo është një arsye për t’u alarmuar. Kur zgjohesh në mëngjes dhe e ndjen se sot je më pak i lirë se dje, instinktivisht e ndjen se je futur në një rrugë pa krye. Diktaturat mund të kenë fasada të ndryshme, valëvitin flamuj të ndryshëm, por në thelb kanë të njëjtën përmbajtje; e bëjnë njeriun tërësisht të varur, e shndërrojnë në vegël të pushtetit, në vidhë në ingranazhin e makinerisë shtypëse.