Prezantohet Kryebashkiaku i Natës në kryeqytet
Tirana do të jetë një qytet, i cili do të mbushet me aktivitetet kulturore jo vetëm gjatë orëve të ditës, por dhe gjatë natës. Në një ceremoni të organizuar mbrëmjen e djeshme te Piramida, e cila u rihap për publikun, kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, prezantoi Kryebashkiakun e Natës, Briken Fejzullai, i cili do të ndjekë jetën kulturore të natës, dhe theksoi se kjo nismë është një koncept se si qyteti mund të gjallërohet e të jetojë 24 orë.
“Në fund të vitit të kaluar prezantuam një ide, e cila në fakt ekzistonte në katër qytete të tjera në Evropë, në Amsterdam, Paris, Zyrih dhe Londër. Kryetari i Bashkisë së Natës nuk është vetëm një person, është një koncept, një ide se si qyteti mund të gjallërohet e të jetojë 24 orë. Një nga gjërat që kam dashur shumë është që me të njëjtin ritëm që punojmë gjatë ditës, me infrastrukturën dhe me gjithë gjërat që ka nevojë qyteti, të kemi edhe një jetë të natës”, tha Veliaj.
Kryetari i Bashkisë u shpreh se jeta e natës është edhe një mundësi për kryeqytetin që të gjenerojë të ardhura dhe të rrisë punësimin e të rinjve.
“Ka disa klube, aktivitete, shfaqje, por një jetë e mirëfilltë e natës ashtu siç Tirana gjallëron gjatë ditës, nuk e kemi. Shumë qytete si Zyrihu, Londra, Parisi dhe Amsterdami kanë llogaritur që jeta e natës është shumë e rëndësishme për ekonominë e qytetit. Shumica e studentëve në këto qytete, por edhe në Tiranë, punojnë si kamarierë e banakierë dhe nesër bëhen arkitektë, inxhinierë e njerëz me talente të shkëlqyera, por secili kur është student punon sidomos në industri që lidhen me jetën e natës apo artin e kulturën që gjeneron ekonomi. Kemi llogaritur që edhe në Tiranë, shpenzohen disa milionë euro në aktivitete të jetës së natës dhe do të donim të kishim një qytet që funksionon 24 orë”, tha ai.
Veliaj theksoi se detyra e Kryetarit të Bashkisë së Natës lidhet me promovimin e aktiviteteve kulturore.
Veliaj theksoi se ambicia është për ta kthyer Tiranën një kryeqytet të rajonit të kulturës dhe të artit. Ai u shpreh se Piramida do të jetë e hapur për këdo që ka një ide që do t’i shërbejë qytetit, duke u shndërruar në një hapësirë funksionale për qytetarët me aktivitete e evente të natyrës artistike e kulturore. “Siç kemi funksionuar me hapësirën te “Reja”, do donim që edhe Piramida të jetë një hapësirë e hapur për këdo që ka ide inovatore, për këdo që do të bëjë art dhe kulturë inovative dhe do të pasurojë qytetin tonë”, tha Veliaj.
Ndërsa, Kryetari i Bashkisë së Natës, Briken Fejzullai u shpreh optimist se jeta e natës në kryeqytet do të marrë një tjetër zhvillim falë konceptit të ri për rritjen e aktiviteteve kulturore.
“Ideja jonë për jetën e këtij qyteti është se deri më sot çdo gjë është bërë në mënyrë sporadike. Bëhet gjithçka në rang vetjak, personal, por jo në nivel të qytetit. Do mundohemi të bëjmë më të mirën për çka na është caktuar të bëjmë”, tha Fejzullai.