Albspirit

Media/News/Publishing

Gjyqtari i Durrësit: Kam fituar 33 milione lekë në skedina

Prokuroria e Krimeve të Rënda ka marrë në pyetje 3 gjyqtarët, që janë nën hetim për korrupsion pasiv. Gjyqtarët janë paditur se janë sponsorizuar në dy udhëtime jashtë vendit nga një biznesmen durrsak, i cili ishte palë në një proces civil që po shqyrtohej prej tyre.

Të dhënat e siguruara nga BIRN prej dosjes hetimore tregojnë se tre gjyqtarët kanë ndërmarrë një udhëtim në Spanjë në tetor 2014, për të parë ndeshjen e futbollit Real Madrid – Barcelona.

Prokuroria dyshon se ky udhëtim është bërë në shoqërinë e biznesmenit – pronari i një kompleksi turistik në Durrës – dhe është paguar prej tij. Por, ndërkohë gjatë marrjes në pyetje tre gjyqtarët e Gjykatës së Apelit Durrës kanë mohuar të kenë marrë përfitime nga biznesmeni durrsak.

Gjyqtarët kanë pretenduar se i kanë paguar vetë shpenzimet e udhëtimit, ndërkohë që relatori i çështjes, vetë gjyqtari i përfshirë Klinton Spahiu deklaroi se shpenzimet e udhëtimeve i kishte paguar me paratë e fituara në lloto sportive.

Në deklaratat e pasurisë së dorëzuara në Inspektoratin e Lartë të Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive rezulton se gjyqtari Kliton Spahiu ka raportuar disa skedina fituese për të justifikuar pasurinë.

Ai ka deklaruar se ka fituar në total 2 791 676 lekë dhe 4246 dollarë prej llotove sportive në vitet 2012-2014, që në total arrijnë në mbi 33 milionë lekë të vjetra.

Please follow and like us: