Presidenti takohet me gjigandët e autoindustrisë amerikane
Presidenti Donald Trump u takua sot me drejtues të tre prodhuesve të mëdhenj amerikanë të makinave, General Motors, Ford dhe Fiat Chrysler, të njohur si tre të mëdhenjtë. Ai i kërkoi atyre që ta zgjerojnë prodhimin në Shtetet e Bashkuara, jo jashtë vendit.
Dje Presidenti priti në Shtëpinë e Bardhë drejtuesit e korporatave më të mëdha amerikane, të cilëve u kërkoi që të krijojnë vende të reja pune në sektorin e prodhimit në Shtetet e Bashkuara.
Zoti Trump i ka kritikuar më parë prodhuesit amerikanë të makinave për zgjerimin e operacioneve në Meksikë dhe i vlerësoi ata, kur njoftuan planet për shtimin e vendeve të punës në Shtetet e Bashkuara.
Presidenti Trump i paralajmëroi drejtuesit e bizneseve se do të përpiqet ta bindë Kongresin që të miratojë rritjen e taksës kufitare, ndoshta me 35 për qind, për kompanitë që e eksportojnë prodhimin jashtë vendit dhe pastaj i sjellin mallrat për t’iu shitur konsumatorëve amerikanë, në Shtetet e Bashkuara.
Ndërkohë, Presidenti tha se javën e ardhshme ai do të caktojë Anëtarin e Gjykatës së Lartë, për të plotësuar vendin bosh të gjykatësit Antonin Scalia, anëtari me pikëpamje konservatore, i cili u nda nga jeta vitin e kaluar, pasi shërbeu për 30 vjet në post.
I emëruari i zotit Trump do të zëvendësonte kandidaturën e zotit Obama, Merrick Garland, i cili njihet si një person i moderuar. Emërimi i tij në postin e lartë u bllokua nga republikanët në Senat, deri në fillimin nga puna të presidentit të ri.
Zoti Trump po shqyrton kandidaturat e 21 gjykatësve konservatorë për të plotësuar vendin bosh në Gjykatën e Lartë.