Albspirit

Media/News/Publishing

Brexit dhe demokracia britanike

Pa vendimin e parlamentit nuk ka Brexit vendosi Gjykata Supreme në Londër. Por polemika mbi vendimin tregon se në rrezik janë dhe parimet demokratike, mendon Barbara Wesel.

Në fakt, ky proces nuk duhet të kishte qenë i nevojshëm. Sepse si mund të marrë guximin një qeveri që të nisë veprimet për daljen nga BE, pa marrë miratimin e përfaqësuesve të zgjedhur në lidhje me këtë gjë? Një gjë e tillë është anti-demokratike dhe një sjellje që njihet përndryshe vetëm nga autokratët e tipit Putin apo Erdogan. Theresa May nuk i ka bërë mirë vetes dhe legjitimitetit të saj me përpjekjen për ta anashkaluar vendimin e parlamentit dhe rezistencën politike për Brexitin.

Verbëri në të kuptuarin e demokracisë

Mosmarrëveshja mbi Gjykatën e Lartë dhe vendimi i saj ka nxjerrë në pah pika të turpshme të verbra në demokracinë britanike. Kjo lidhet nga njëra anë me një klikë të brexitsëve, të cilëve u duket çdo metodë e drejtë për të anashkaluar kundërshtarët e tyre politikë. Mosrespektimi nga ana e tyre i parimeve demokratike dhe mënyra e tyre e sjelljes tregon se konservatorët britanikë janë tashmë prej kohësh në rrugën e “trumpizimit” .

Puna ka shkuar aq larg, sa ministrja e Drejtësisë nuk i mori në mbrojtje gjykatësit më të lartë, kur shtypi i djathtë i akuzoi ata si “armiq të popullit”. Brexiti duket se ka marrë tashmë karakterin e një politike shtetërore superiore, e cila justifikon çdo gjë. Dhe Brexiti nuk po dëmton vetëm lidhjen me Evropën, por po dëmton seriozishte dhe vetë demokracinë britanike.

Barbara Wesel Kommentarbild App *PROVISORISCH*

Ofendime të padurueshme ndaj ngritëses së padisë

Vërtetë i pafalshëm dhe i neveritshëm është qëndrimi përkrahësve të Brexitit ndaj ngritëses së padisë, Gina Miller. Ajo i ka bërë vendit një favor me kërkesën në gjykatë për të zbatuar të drejtën e Parlamentit për këtë çështje të rëndësishme. Dhe ajo po paguan një çmim të lartë tani: ajo dhe familja e saj po marrin që prej asaj kohe kërcënime dhe po bombardohen me breshëri sharjesh. Gina Miller jo vetëm që u sulmua politikisht për nismën e saj, por edhe me fyerje të neveritshme seksiste dhe raciste. Dhe nga ana e Theresa May-it apo e ministrave të saj pro Brexit-it nuk pati paralajmërim që mosmarrëveshjet politike duhen të zgjidhen me forma civile dhe jo me anë të kërcënimeve me vdekje.

Boris Johnsonit, David Davisit dhe Liam Foxit, tre krerëve të grupit të Brexit-it u shkon për shtat çdo mjet për t’i mbyllur gojën opozitës. E në këtë mes nuk është ende vërtetë e qartë se si do të funksionojë dalja nga BE-ja. Dhe përfitimi i Britanisë së Madhe dhe ekonomia e saj vihet në pikëpyetje edhe më tej nga shumë ekspertë. Por përkrahësit e Brexitit vazhdojnë ta ndjekin qëllimin e tyre me një entuziazëm thuajse ndaj një feje dhe me të njëjtën mungesë arsyeje.

Ora e parlamentit

Për BE-në nuk ndryshon gjë prej gjykimit në Londër. BE-ja pret që Theresa Mey të marrë aprovimin e deputetëve të saj dhe pastaj të kërkojë largimin nga BE-ja në përputhje me nenin 50 të Traktatit të Lisbonës. Por për Parlamentin në Westminster vjen tani momenti i sprovës: përfaqësuesit e popullit duhet të mbrojnë interesat e qytetarëve britanikë lidhur me Brexit-in. Fjala është për të drejtat e punëtorëve dhe të konsumatorëve dhe shumë të tjera. Dhe ata duhet të mbrojnë njëkohësisht traditat demokratike të vendit, të cilat janë në rrezik prej referendumit për Brexit-in dhe propagandistëve të tij.

 

Please follow and like us: