Albspirit

Media/News/Publishing

Debati Clinton-Trump, shumë ashpërsi dhe pak butësi

trump clinton Dy kandidatët për presidencialet amerikane u përabllën dje në një debat shumë të tensionuar dhe të pazakontë në politikën amerikane, ku si rrall herë filluan një debat televiziv pa i dhënë dorën njëri-tjetrit.

Trump lëshon një bombë

Në një reagim që tregonte tonin jashtëzakonisht të acaruar në debatin që pritej të fillonte, Donald Trump kishte organizaur një konferencë të shkurtër për shtyp, pak para debatit, me tre gra që akuzonin Bill Clinton se i kishte sulmuar seksualisht dhe një të katërt që deklaronte se Hillary Clinton kishte ndihmuar në lirimin e agresorit të saj të dyshuar kur ajo ishte një avokate e re.

“Trump ndoshta ka thënë fjalë të ulta, por Bill Clinton më ka dhunuar dhe Hillary Clinton më ka kërcënuar”, akuzoi një nga gratë, Juanita Broaddrick.

Katër gratë më pas asistuan, me ftesën e kampit Trump, debatin duke qëndruar në publik ku ndodhej gjithashtu Bill Clinton. Ndërsa miliarderi i përmendi akuzat e tyre sapo filloi debati.

“Bill Clinton ka abuzuar me gratë. Nuk ka pasur kurrë në historinë e politikës së këtij vendi ndonjë që ka abuzuar kaq shumë me gratë”, deklaroi Trump.

Fjalët e Trump mbi femrat

Donald Trump u përpoq të zvogëlojë deklaratat që datojnë në vitin 2005, në të cilat ai mburet për një sjellje që i afrohet një ngacmimi seksual dhe që ka tronditur fushatën e tij që prej të premtes.

“Nuk besoj se keni kuptuar. Bëhet fjalë për muhabete tavoline. Nuk jam krenar, kam kërkuar falje tek familja ime dhe amerikanët”, iu përgjigj miliarderi moderatorit Anderson Cooper i cili e akuzoi se ishte mburur për faktin që kishte sulmuar seksualisht disa gra.

Demokratja Hillary Clinton nga ana tjetër tha se deklaratat e miliarderit nuk e kishin habitur.

“Është e dukshme për të gjithë që e kanë dëgjuar se bëhet fjalë për të”, tha ajo.

“Ne e pamë të ofendonte gratë, ne e pamë të përcaktonte gratë, nga pamja, t’i klasifikonte nga një në dhjetë. Ne e pamë të vinte në siklet gratë”, theksoi Hillary.

Do të jesh në burg

Duke kaluar në çështjen e email-eve private të Hillary Clinton, kur ajo ishte shefe e diplomacisë amerikane, Donald Trump premtoi të emëronte një prokuror të veçantë nëse do të zgjidhej president për të zhvilluar hetime mbi kundërshtaren e tij.

“Nëse fitoj, do të urdhëroj ministrin tim të drejtësisë të emërojë një prokuror special për të zbardhur këtë situatë, pasi nuk ka pasur kurrë kaq shumë mashtrime, kaq shumë gjëra të fshehta”, theksoi ai.

Hillary regaon, “është e vërtetë që dikush që ka temperamentin e Donald Trump nuk duhet të ngarkohet me ligjet e vendit tonë”.

Trump përgjigjet majë më majë, “sepse ju do të jeni në burg”.

Rusia në fushatë

Hillary Clinton akuzoi Rusinë se po përpiqet të influencojë zgjedhjet amerikane të nëntorit në favor të Donald Trump.

“Kurrë në historinë e vendit tonë nuk jemi gjendur në një situatë ku një kundërshtar, një fuqi e huaj, të bëjnë kaq shumë përpjekje për të influencuar rezultatin e këtyre zgjedhjeve”, deklaroi ajo, duke pohuar se këto përpjekje ishin në favor të kandidatit republikan.

Uashingtoni akuzoi hapur të premten Moskën se po përpiqet të ndërhyjë, falë piraterisë informatike, në procesin zgjedhor amerikan, një zhvillim i ri ky që rrit edhe më shumë tensionet mes dy vendeve që përplasen në shumë dosje ndërkombëtare, me Sirinë në krye.

Nga ana tjetër kremlini i cilësoi këto akuza si false.

Pak butësi

Në një moment të rrallë qetësie në një orë e gjysmë debat shumë të tensionuar, një spektator pyeti kandidatët të citojnë një pikë pozitive tek kundërshtari i tyre.

Hillary Clinton citoi fëmijët e miliarderit duke i cilësuar si “jashtëzakonisht të aftë dhe të dedikuar, dhe mendoj se kjo tregon shumë për Donald-in”.

Miliarderi u përgjigj në një aspekt më personal për sa i përket rivales së tij, “ajo nuk dorrëzohet kurrë, ajo nuk tërhiqet asnjëherë dhe e respektoj këtë, e them sinqerisht”.

“Jam në kundërshtim me shumicën e gjërave për të cilat ajo lufton por është një luftëtare”, përfundoi ai, më pas dy kundërshtarët i dhanë dorën njëri tjetrit.

Please follow and like us: