Dosja nr.2912 dhe disa të vërteta për dosjet
Nga Kastriot Dervishi
Sot dëgjova shumë të pavërteta në lidhje me dosjet e Sigurimit si dhe me “dosjen e parë” që u “hap” që i takon Musine Kokalarit. Emetimi i lajmit u bë në një formë shumë qesharake sikur Shqipëria shpëtoi nga një sëkëlldi e madhe dhe shyqyr që erdhi kjo ditë e na nxori në dritë duke hapur një epokë të re. Vonesa në marrjen e informacionit nuk është kurrë lajm i parë, por vetëm vonesë. Ka më shumë se 10 vjet që familja Kokalari është njohur me këtë dosje që mban numrin arkivor 2912, por si duket tani duhej një deklarim televiziv dhe propagandistik. Kjo dosje e përbërë nga 119 fletë, i takon kohës së përpunimit të saj, është “gatuar” nga 12 punëtorë operativë. Pavarësisht se ka shumë dokumente të dosjes hetimore-gjyqësore dhe ndonjë element përpunimi nga vitet 1945-1946, përpunimi i Musinesë fillon rregullisht në vitin 1955. Deri në vitin 1962 ka qenë në përpunim aktiv 2A. Në vitet 1962-1978 ka qenë në kontroll operativ 2B dhe në vitet 1978-1983 sërish në përpunim aktiv 2A.
Dita e sotme përveç propagandës që është bërë gjellë e përditshme, tashmë kishte edhe shumë lajme të pavërteta, në lidhje me sasinë e dosjeve që janë subjekt i ligjit.
Dosje përpunimi (përndjekje) personash janë rreth 10 mijë. 99.99% e personave për të cilët është hapur dosje, kanë vdekur. Nga ky grup (këtë e kam nga përvoja ime), të interesuar mund të jenë deri 5% e trashëgimtarëve të këtyre dosjeve. Kot mundohen ta shtojnë apo ekzagjerojnë shifrën e dosjeve të këtij lloji me dosje të tjera administrative dhe hetimor-gjyqësore, apo duke vlerësuar kartelat model 1 dhe model 2 si dosje. Në këtë kuptim, thelbi i ligjit bie vetvetiu. Nuk është kurrë e tepërt që miliona euro që do harxhohen kot së koti për eksperimente propagandistike të këtij lloji të kalojnë për rrjetin arkivor të Shqipërisë se është në ditët më të vështira të tij. Unë i kujtoj autoritet që kanë në dorë financat se rrjeti arkivor i Repubikës së Shqipërisë nuk ka depo. Është e tepërt të tallesh në këto forma pasi nuk ke përmbushur detyrimin ndaj arkivave. Asnjë autoritet i këtij lloji në vendet e lindjes nuk ka shkatërruar arkiva siç po vërehet në Shqipëri.
Së fundit, meqë ra fjala, për kureshtje, 5 dosjet e para i takojnë këtyre personave:
1-Irfan Majuni
2-Selman Ndreu
3-Isuf Limaja
4-Thoma Katundi
5-Nikolin Goçi