Albspirit

Media/News/Publishing

“Lufta e ftohtë” Rusi-SHBA. Për çfarë po bëhet gati Moska?

rusia-1-933x445

Agjencitë ruse të lajmeve citojnë një zyrtar të lartë të Mbrojtjes të ketë thënë se Moska po shqyrton mundësinë e rihapjes së bazave ushtarake ruse në Vietnam dhe Kubë. Këto komente vijnë ndërkohë që marrëdhëniet mes Uashingtonit dhe Moskës po keqësohen.

I pyetur të premten në Parlament, nëse forcat ruse do të riktheheshin në vende si Kuba dhe Vietnami, Zv/ministri i Mbrojtjes Nikolai Pankov u përgjigj duke thënë thjesht se “po shqyrtohet”, pa dhënë hollësi të tjera.

Në fillim të viteve ’60 Bashkimi Sovjetik kishte ngritur një bazë përgjimi në Kubë dhe në fillim të viteve ’70 një bazë detare në Vietnam. Të dy bazat funksionuan edhe disa vite pas shpërbërjes së Bashkimit Sovjetik, por u mbyllën në vitin 2001 dhe 2002.

Aktualisht Rusia ka ngritur një bazë detare dhe një bazë ajrore në Siri. Sipas agjencive ruse të lajmeve, zëdhënësi i Kremlinit Dmitry Peskov, i pyetur po të premten rreth bazave në Kubë dhe Vietnam, nuk pranoi të përgjigjej, duke thënë se pyetja i duhej drejtuar ministrisë së mbrojtjes. Megjithatë Peskov, citohet të ketë thënë: “Situata ndërkombëtare nuk është statike, ajo është në ndryshim e sipër. Dy vitet e fundit kanë sjellë përgjithësisht përshtatje të mëdha përsa i përket çështjeve ndërkombëtare dhe regjimit të sigurisë ndërkombëtare. Pra natyrshëm, gjithë vendet, në përputhje me interesat e tyre kombëtarë po i rivlerësojnë këto ndryshime dhe po marrin masa siç e shohin të arsyeshme”.

Në vitin 2014, Presidenti Vladimir Putin i mohoi zërat se Rusia po planifikonte të rihapte bazën e përgjimit ushtarak në Kubë.

Të hënën Uashingtoni pezulloi bisedimet me Moskën për armëpushimin në Siri, duke përmenduar si shkak sulmet e vazhdueshme ndaj objekteve civile atje. Të njëjtën ditë, Presidenti Putin pezulloi një marrëveshje me Shtetet e Bashkuara rreth depozitimit të mbetjeve radioaktive të plutoniumit të pasuruar për përdorim në armët bërthamore, duke përmendur si shkak “veprimet jo-miqësore” të Uashingtonit, një referencë kjo për sanksionet ndaj Moskës për shkak të veprimeve të saj në Ukrainë.

Të mërkurën Rusia pezulloi një marrëveshje tjetër me Shtetet e Bashkuara rreth kërkimeve shkencore për përdorimin e energjisë bërthamore për prodhimin e energjisë.

Please follow and like us: