Maqedoni: Ambasadori amerikan bën thirrje për zgjidhjen e çështjeve të hapura
Ambasadori amerikan në Shkup, Jess Baily tha sot se Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian do të vazhdojnë të punojnë për t’u siguruar se marrëveshja e 20 korrikut ndërmjet katër partive më të mëdha politike, do të respektohet. Ambasadori theksoi se politikanët u morën vesh më 31 gusht për mbajtjen e zgjedhjeve dhe se komuniteti ndërkombëtar po angazhohet në këtë aspekt. Por, siç shtoi ambasadori, vendimet mbi këto çështje u përkasin drejtuesve politikë të vendit dhe qytetarëve. “Ka ende çështje të hapura, të cilat ju duhet t’i zgjidhni”, tha ambasadori amerikan, Baily.
Të premten që vjen, në Shkup pritet të shkojë komisioneri evropian për zgjerimin, Johannes Hahn, për të bindur palët se data e zgjedhjeve, e caktuar për më 11 dhjetor, nuk duhet të shtyhet më.
Frika nga mundësia e shtyrjes së datës së zgjedhjeve vjen pas mosmiratimit të kërkesave të Prokurorisë së Posaçme nga ana e parlamentit të Maqedonisë. Prokuroria kërkonte një ligj të ri për mbrojtjen e dëshmitarëve dhe vazhdimin e mandatit të veprimit të saj, por ligjvënësit e partisë VMRO-DPMNE në pushtet që përbëjnë shumicën, i refuzuan ato. Ndërkohë, një deputet i një partie të vogël ka ngritur një nismë të re në parlament për përmbushjen e kërkesave të Prokurorisë së Posaçme.
Zgjedhjet e parakohshme parlamentare që shikohen si mundësi për t’i dhënë fund krizës politike që po zgjat më tepër se një vit në Maqedoni, dështuan dy herë për shkak të mungesës së konsensusit midis partive kryesore.