Korrupsioni, ambasada e SHBA refuzon vizat për disa gjyqtarë dhe prokurorë
Ambasada e SHBA në Tiranë, njoftoi sot se përpara procesit të pritshëm të vetingut, ka revokuar vizat për disa gjyqtarë dhe prokurorë, mes tyre edhe një rast që përfshinte abuzim flagrant të një vize zyrtare nga një prokuror i nivelit të lartë dhe bashkëshortja e tij.
Më poshtë njoftimi i plotë i Ambasadës së SHBA:
“Ambasada e Shteteve të Bashkuara ka revokuar vizat jo-emigruese për disa gjyqtarë dhe prokurorë shqiptarë pasi ka dalë në përfundimin që këta zyrtarë nuk kualifikohen për këto viza.
Për shkak se të dhënat e vizave janë konfindenciale sipas ligjit të Shteteve të Bashkuara, ne nuk mund të komentojmë mbi raste individuale.
Ambasada e Shteteve të Bashkuara e ka ndërmarrë këtë veprim përpara procesit të pritshëm të vetingut, i cili do të vlerësojë lidhjet e zyrtarëve të caktuar me korrupsionin, si dhe në përgjigje të një rasti që përfshinte abuzim flagrant të një vize zyrtare nga një prokuror i nivelit të lartë dhe bashkëshortja e tij, gjë që çoi në revokimin e vizave të tyre.
Ambasada e Shteteve të Bashkuara i merr seriozisht akuzat për korrupsion dhe do të vazhdojë t’i shqyrtojë vizat dhe aplikimet për vizë të zyrtarëve të drejtësisë me vëmendje të shtuar.
Departamenti i Shtetit ka një autoritet të gjerë për të mohuar dhe revokuar viza bazuar në informacione që tregojnë se zotëruesi i vizës mund të jetë i papranueshëm në Shtetet e Bashkuara dhe Departamenti i Shtetit do të vazhdojë ta përdorë këtë autoritet për të çuar përpara përpjekjet kundër korrupsionit në Shqipëri”.