Albspirit

Media/News/Publishing

Basti i trefishtë i Theresa May për Mbretërinë e Bashkuar, SHBA dhe botën

Menjëherë pas fjalimit të kryeministres britanike Theresa May në Shtëpinë Lancaster, ku ajo nënvijëzoi objektivat e qeverisë së saj në negociatat e ardhshme të tërheqjes së Mbretërisë së Bashkuar nga Bashkimi Europian, një analist politik dhe ekspert i mirënjhur, që dikur punonte në Kryeministri, u impresionua pozitivisht. “Nuk bëhet më fjalë për ‘Albionin e pabesë’”, më tha ai kur e takova në një klub në Londër. “Theresa May ka qenë e qartë kristal: Brexit nënkupton dalje”.

Bashkëbiseduesi im kishte votuar në referendumin Brexit të qershorit për të qëndruar në BE, por ashtu si shumica e popullsisë në vend, ai e kishte mirëpritur fjalimin e May. “Nëse po kërkon për një imazh për të përshkruar Britaninë e sotme, flit për një ‘luan të mundur’,” më tha ai përpara se të theksonte tre pika kyçe.

Si fillim, ai tha se modeli europian i integrimit është në krizë dhe BE-ja ka provuar se është e paaftë të reformojë veten. Largimi nga blloku – jo si një mi që largohet nga anije në mbytje, por me stil – është provë e realizmit britanik. Për më tepër, ka pasur gjithnjë pakënaqësi mes Mbretërisë së Bashkuar dhe BE-së, sepse projekti i integrimit europian u prezantua kryesisht si ekonomik, kur ishte mbi mbi të gjitha i natyrës politike. Tregu i përbashkët i BE-së, ashtu si hekurudha Eurostar që lidh Londrën me Europën kontinentale, nuk ishte mjaftueshëm për t’i kthyer britanikët në europianë.

Së dyti, pavarësisht vështirësive të dukshme, një ndarje e pastër me BE-në është me gjasa më e thjeshtë sesa negocimi i një marrëveshje komplekse me 27 shtetet e mbetura, veçanërisht nëse prioriteti i dikujt është të mbajë Partinë Konservatore Britanike të bashkuar dhe në pushtet.

Dhe së treti, Britania e Madhe nuk reagon me mirësjellje ndaj presionit të huaj që e sheh si kërcënim. Disa vëzhgues britanikë mund ta shohin May si një Margaret Thatcher të re, por fjalimi i saj në Shtëpinë Lancaster të kujtonte gjithashtu Winston Churchill. Në fakt, shtetasit britanikë, që janë të bindur se ka alternativa ndaj Europës shpesh i referohen 1940 si – “orës më të mirë të Anglisë”.

Votuesit “të largohemi” ndiejnë një lloj nostalgjie perandorake. May, nga ana e saj, duket se po drejtohet nga politikat e brendshme për t’i dhënë prioritet sovranitetit kombëtar përpara ekonomisë. Por ndërsa Mbretëria e Bashkuar është sigurisht një demokraci, argumenti i saj për popullin britanik nuk është i ndryshëm nga ai që presidenti rus Vladimir Putin i thotë shtetasve të tij: askush nuk jeton vetëm me bukë dhe rikuperimi i sovranitetit dhe madhështisë kombëtare ia vlen rrezikun ekonomik.

Por është vizioni i May për Mbretërinë e Bashkuar realist, duke marrë parasysh kontekstin e ri ndërkombëtar? A mundet dikush të ëndërrojë ende të bëhet Athina e Re kur është një Romë e Re e kryesuar nga Donald Trump? Përtej mosbesimit të saj për Europën, May ka pak të përbashkëta me presidentin e ri të Shteteve të Bashkuara: ajo beson në tregti të lirë dhe dyshon te Rusia, ndërsa Trump po bën thirrje për protektionizëm dhe do të krijoë një partneritet special me Putin.

May dhe Trump gjithashtu kanë personalitete shumë të ndryshme. Ish-aktori i Hollivudit, i afërt dhe optimist Ronald Reagan dhe Zonja e Hekurt Thatcher shkonin shumë mirë bashkë përmes empatisë të përbashkët dhe një vizioni strategjik për botën. Por një raport i tillë mes yllit të zhdërvjellët amerikan të spektakleve televizive dhe kryeministres së vrazhdë britanike është thuajse i pamendueshëm.

Dikush mund të pyesë veten nëse gjërat do të kishin shkuar ndryshe nëse zgjedhjet në SHBA do të paraprinin referendumin Brexit. A do të kishin rrezikuar ende votuesit britanikë duke i thënë “jo” Europës nëse Trump do të kishte fituar tashmë? Historia nuk mund të rishkruhet; por shumë prej atyre që votuan për të qëndruar në BE tani shqetësohen se May i është dorëzuar dëshirave të së ardhmes.

Sigurisht, nuk të ndihmon edhe aq shumë ta përshkruash planin e May për t’u larguar si “të ashpër” apo “të butë” sepse opsioni i fundit, është tani e qartë se nuk ishte kurrë i mundur. Por ende, ndërsa fjalimi i May fillimisht dukej se do të eliminonte çdo dyshim rreth synimit të Britanisë në procesin e ardhshëm, Gjykata e Lartë Britanike tani ka vendosur se ajo duhet të konsultohet me parlamentin përpara se të hyjë në negociata me BE-në.

Pas Luftës së Dytë Botërore, Churchill i inkurajoi europianët të bashkohen, por ai gjithashtu tha se nëse Mbretëria e Bashkuar do të duhej të zgjidhte mes marrëdhënies së transatlantikut dhe Europës, do të zgjidhte të parën. Në atë kohë, blloku Perëndimor i kryesuar nga SHBA-ja ishte qendra e botës së Churchill dhe Kina ishte zhytur në luftë civile.

Por ky nuk është më rasti. Kina është gjithnjë e më shumë një rivale e SHBA-së dhe tani që Mbretëria e Bashkuar ka vendosur të ndahet, nuk ka garanci që SHBA-ja do ta marrë atë seriozisht. Me Trump që vë haptazi në pyetje rëndësinë e NATO-s, ky duket si një moment i pavend që Mbretëria e Bashkuar të luajë kartën “e izolimit madhështor”. Për arsye që lidhen veçanërisht me identitetin kombëtar, May po vë një bast të trefishtë, për Mbretërinë e Bashkuar, SHBA-në dhe botën.

May duket se po supozon se Vendet e Komonuelthit dhe organe të tjera ekonomike multilaterale mund ta zëvendësojnë BE-në dhe se Trump, do të rezultojë të jetë ashtu si Sekretari i Jashtëm Britanik Boris Johnson, një pushtetar racional që nuk mund të kontrollojë fjalët. Ajo e ka denoncuar globalizimin për pasojat e ashpra sociale, por një Britani që nuk është më në BE do të jetë më e varur nga shkëmbimi me vende të tjera. Ndërkohë, rritja e populizmit dhe rreziqeve gjeopolitike të ardhura nga presidenca e Trump nuk do të jetë më thjesht një shpjegim historik por  mund të shënojë fundin e globalizimit siç e njohim tashmë.

Pas Brexit dhe zgjedhjes së Trump, një gjë e sigurt është se marrëdhënia mes Francës dhe Gjermanisë do të jetë më e rëndësishme se kurrë për ruajtjen e Perëndimit gjeopolitik. Dhe me votuesit në të dyja vendet – veçanërisht në Francë – që përballen me tundimin e nacionalizimit populist teksa drejtohen në kutitë e votimit, kjo marrëdhënie gjithashtu, është tani në peshore.

Project Syndicate, 2017- BIRN

Please follow and like us: