Albspirit

Media/News/Publishing

Bisedë telefonike nesër mes Trumpit dhe Putinit

Zëdhënësi i Kremlinit, Dmitri Peskov, ka konfirmuar që të shtunën (nesër) do të ketë një bisedë telefonike mes Donald Trump dhe Vladimir Putinit. Lajmi ishte njoftuar më herët edhe nga mediat amerikane. Bëhet fjalë për bisedën e parë mes presidentit të ri të SHBA-ve dhe atij rus pas hyrjes së miliarderit në Shtëpinë e Bardhë.

Kremlini dhe Shtëpia e Bardhë shpresojnë që kjo të jetë një kthesë për riparimin e marrëdhënieve, të cilat kanë qenë mjaft problematike gjatë administratave të mëparshme amerikane.

Trump është zotuar se do të ketë raporte më të mira me Rusinë sesa paraardhësi i tij Barack Obama, ndërsa pritet që telefonata të jetë nën vëzhgimin e rreptë të kritikëve të presidentit amerikan, sidomos pas fërkimit që ai pati me agjensitë e inteligjencës për pretendimet se Rusia ndërhyri në zgjedhjet amerikane në favor të Trump.

Gatishmëri e hapur për raporte më të mira me administratën Trump është shprehur edhe nga Rusia, zyrtarë të së cilës disa herë kanë theksuar se me Barack Obamën raportet nuk ishin të lehta. Ditë më parë, vetë presidenti Putin tha se sfidat globale me të cilat janë përballur SHBA dhe Rusia tregojnë qartë se bashkëpunimi i këtyre vendeve mund të jetë një faktor kyç në stabilitetin dhe sigurinë në botën moderne.

Please follow and like us: