Gavrosh Levonja :Ku gabojnë socialistët në llogaritë që bëjne me LSI
Dje u njoha me parashikimet e një sondazhisti dhe një analisti lidhur me të ardhmen e koalicionit të majtë i cili fitoi bindshëm zgjedhjet në vitin 2013 dhe që vazhdon të qeverisë. Si sondazhisti ashtu dhe analisti ishin të një mendjeje duke paralajmëruar LSI se po të konkurojë e vetme do të humbasë disa mandate dhe se PS, falë votave të PDIU dhe Frymës së Re do të fitojë zgjedhjet pa pasur nevojë për kontributin e LSI. Mirëpo, sondazhisti dhe analisti i bëjnë llogaritë duke u bazuar në situatën dhe raportet e vitit 2013, vitit të “1 milion shuplakave” dhe jo me gjendjen e vitit 2017. Tashmë, kur mbi të gjitha xhepi i qytetarëve shqiptarë është cënuar si pasojë e politikave të Ramës, nga të cilat LSI ka ditur të distancohet pa cënuar koalicionin, një pjesë e atyre “1 milion shuplakave” do të kthehen në fytyrën e Ramës, pra PS nuk do të ketë atë mbështetje që kishte në vitin 2013. Së dyti duke llogaritur votat që do “i shtohen” një koalicioni pa LSI nga PDIU dhe Fryma e Re Demokratike, sondazhisti dhe analisti kanë harruar se PDIU hyri në parlament falë votave të elektoratit demokrat që Berisha u dhuroi Idrizit, e të tjerëve, që tani shpresojnë t’i marrin si lëmoshë nga PS falë pjesëmarrjes në koalicion. Nuk po flas për partinë tjetër e cila, të paktën deri tani ka mbetur vetëm frymë. Duke hyrë e vetmë në koalicion LSI, gjithashtu nuk do të kishte ndonjë detyrim për t’u dhënë vota të tjerëve për hir të konkurimit si koalicion.