Gruevski, historia e një antishqiptari
Nga Petrit Saraçini
Pas zgjedhjeve të parakohshme parlamentare të 11 dhjetorit, negociatat në Maqedoni rreth Qeverisë së re janë në pat-pozitë. Ali Ahmeti “është në hall të madh” – të zgjedhë mes Gruevskit e VMRO DPMNE-së dhe Zaevit e LSDM-së. Ose, mes pesë skenarëve të ndryshëm – siç i shpalosi ai dhe partia e tij në media.
E për t’ia “lehtësuar” hallin, paskan filluar të shtohen zërat në mediet shqipe jashtë Maqedonisë, të cilat po tentojnë të favorizojnë mendimin e të bindin shqiptarët se Gruevski qenka opsion më i mirë për ta?!
Ndoshta në kilometra, Shkupi e Tetova nuk duken aq larg nga Prishtina e Tirana, por shikuar nga distanca e ofruar prej byrove të analistëve mendjehollë, duken larg sikur Plutoni. Ai planeti, në skaj të Sistemit Diellor. Ose, sikur nuk flasim për të njëjtën situatë, vend, e për të njëjtin njeri.
Po të më pyesni mua, më duket shumë më i përafërt varianti se këta zëra që kakarisin budallallëqe, kanë qenë “të lyer” e “të akorduar”, në mënyrë adekuatë, për të kënduar këtë “këngë të bukur” e për t’i thurur lavde Gruevskit. Kësaj, në shkencën e profesionin që i përfaqësoj, i thonë klientelizëm mediatik. Ose, instrumentalizim i medies për qëllime dhe përfitime politike e të tjera.
Por, ta zëmë se jam gabim. Ta zëmë se mbi 90 për qind të shqiptarëve, të cilët në të gjitha sondazhet relevante (e bile edhe në ato jo relevantet) në Maqedoni për të gjitha këto vite janë shprehur negativisht ndaj Gruevskit, qenkan budallenj.
Ja, ta zëmë që, ajo që Gruevski është “gogol” për shqiptarët e Maqedonisë, nuk është rezultat i asaj që ai në vazhdimësi ka përdorur shqiptarët si “gogol”. Si material, për të sendërtuar politikën kyçe me të cilën ai fiton vota – antishqiptarizmin, si bazë nismëtare për “patriotizmin” e tij.
Ja, të themi që shqiptarët nuk qenkan “gogoli”, i cili në këto 10 vjet i ka kryer më shumë punë Gruevskit sesa të gjithë “gogolët” tjerë së bashku. Duke filluar nga greku dhe çështja e emrit, Brankoja (ish-lideri i LSDM-së, edhe një “gogol” i vjetër, edhe për shqiptarët), Amerika, Evropa, masonët, fuqitë e errëta, furgonët e verdhë me antena që u “shfaqën” sipas Gruevskit gjatë skandalit të përgjimeve, shërbimet e huaja, Zaevi, për të përfunduar me “gogolin” e fundit – Sorosin famëkeq.
E po, çfarë të mirash na solli Gruevski neve shqiptarëve të paditur të Maqedonisë, që jeni rrokur penash, o ju të ndriturit e kombit, për të na nxjerrë nga terri? E di që nuk e dini, sepse ju nuk merreni me cikërrimat, siç janë faktet.
“Të mirat” për të gjithë, përfshirë dhe shqiptarët
Ja, të themi, se shqiptarët janë të helmuar, siç thotë tash Gruveski, nga Sorosi dhe propaganda e tij.
Mirëpo, i njëjti ai Gruevski, para pak më shumë se dy vitesh, kishte fajtor tjetër. Ata që mbajnë mend mirë (e për ata që nuk mbajnë mend, rroftë Google), mu para zgjedhjeve (përsëri të parakohshme) parlamentare në Maqedoni në vitin 2014, Gruevski iu drejtua në fushatë me video klip – shqiptarëve. Atëherë, për imazhin e tij të keq te ata nuk e fajësoi Sorosin, por partitë e shqiptarëve, të cilat ia paskëshin vjedhur meritat për projektet dhe e paskëshin paraqitur keq para tyre.
Në atë klip legjendar, Gruevski i fajëson partnerët e tij shqiptarë se kanë menduar shumë më tepër për interesat personale, sesa për ato të popullit. Se nuk kanë menduar për punësime, për ekonomi, për infrastrukturë, por i kanë gënjyer me gjuhë e flamur. Përkundër këtyre mashtruesve (me të cilët tash bën negociata për qeveri), lavdërohet me të mirat që ai ua paska bërë votuesve shqiptarë, enkas, por edhe në kuadër të të mirave “për të gjithë qytetarët”.
Dhe, filloi të rendisë, ato që i rendit çdo ditë, në dhjetëra mediet që kontrollon propaganda e tij.
Filloi me subvencionet për bujqit (që i marrkan edhe shqiptarët) – përderisa bujqësia çdo vjet në Maqedoni prodhon më pak (e thotë Enti Shtetëror i Statistikës), e subvencionet janë edhe një skemë për korruptim dhe shantazh të votuesve. Përmendi aparaturën dhe modernizimin e spitaleve (ku shkojnë të gjithë, a po) – në të cilat çdo ditë vdesin njerëz, shpesh nga pakujdesia dhe amatorizmi, mungesa e kuadrove, mjeteve, barnave….U lavdërua me studimet e disperzuara – në fakt, me reformën e dështuar kolosalisht në arsimin sipëror, që prodhoi dhe prodhon analfabetë funksionalë. Foli për bursat për shkollim në universitetet elite botërore, të cilat s’e besoj t’i ketë shijuar ndonjë shqiptar, së paku jo nga “plebenjtë” jashtë BDI-së.
Vazhdoi me premtimet me autostradat, që do të filluaka t’i ndërtojë (e që do t’i shfrytëzuakan edhe shqiptarët) dhe rrugët në vendbanimet me shqiptarë. Hej, në 2014-ën, pas tetë viteve pushtet me vetëm tetë kilometra të ndërtuara, i ra ndër mend që shteti i ka mbetur pa autostrada, ose me asfaltin e arnuar nga koha e Titos! Apo, s’iu kujtua që për tetë vite rresht deri atëherë nuk bëri asgjë, përkundrazi, e frenonte sa mundte Korridorin 8, i cili përfshin edhe Shqipërinë?
Si zakonisht, u lavdërua me uljen e papunësisë, në vendin me mbi gjysmë milionë banorë të emigruar brenda 10 viteve të fundit, sipas Bankës Botërore! Në vendin në të cilin një e treta e popullatës jeton në varfëri të skajshme, e pothuajse 60 për qind e rinisë është pa punë! Merreni me mend, sa shumë të mira u paska bërë Gruevski, jo vetëm shqiptarëve, po mbarë qytetarëve të Maqedonisë, pavarësisht përkatësisë!
Nejse, e zgjata pak me elaboratin e të mirave për shqiptarët, të thëna e sublimuara nga Gruevski në vitin 2014. Për pak do t’i harronim të pathënat. E lista e tyre është shumë më e gjatë, sepse ky njeri më shpesh i realizon ato që nuk i premton, sesa ato që i premton. Por, do të veçojmë disa prej “të mirave” kryesore që ai dhe pushteti i tij ua bënë shqiptarëve, si dhe anasjelltas.
Mjeshtri i “të pathënave”: Nga ngritja në opozitë, deri te marrja e pushtetit dhe forcimin e tij – me antishqiptarizëm
Fillimisht, na nevojitet një hyrje dhe kontekst. Gruevski, prej një personi që konsiderohej i pagdhendur politikisht dhe nën hijen e patronit të tij politik, ish-kryeministrit dhe liderit të VMRO-së Georgievskit, nisi rritjen e tij në rejtingje dhe në yjësinë politike në Maqedoni në vitin 2004, si lider i sapoardhur i partisë më të madhe opozitare, mu me çështjen e ligjit për ndarjen territoriale, që mundësoi një pozitë pak më të favorshme për shqiptarët sa u përket komunave dhe vetëqeverisjes lokale.
VMRO-DPMNE, atëbotë e sulmoi ligjin e sjellë nga qeveria LSDM-BDI si një koncesion ndaj shqiptarëve që çon në federalizim dhe ndarje të shtetit (ju duket e njohur?). Atë vit, opozita nisi zyrtarisht iniciativën për referendum për të parandaluar ligjin. Referendumi, në të cilin dominoi retorika antishqiptare, dështoi, sepse LSDM-ja dhe BDI-ja (dhe shqiptarët në përgjithësi) e bojkotuan referendumin. Mirëpo, Gruevski dhe VMRO-ja opozitare fituan mbi 500.000 vota, që e tregoi qartë trajektoren e fituesit të ardhshëm – në zgjedhjet parlamentare, dy vjet më vonë.
Mirëpo, Gruevski nuk u ndal këtu. Ai para zgjedhjeve të 2006-s përsëriste shpesh publikisht se do të vendosë “moratorium në çështjet ndëretnike”, se për të Marrëveshja e Ohrit është çështje e mbyllur, se do të fokusohet në ekonomi…E më së shumti përsëriste se ai “nuk do të bëjë qeveri me terroristë”. Pas zgjedhjeve të 2006-s, të cilat i fitoi me shumicë të ngushtë, Gruevski i realizoi synimet e veta. Edhe krahas asaj që BDI fitoi përsëri shumicën dërrmuese të votave shqiptare, ai për bashkëqeverisje zgjodhi partnerin e vjetër, PDSH-në e Menduh Thaçit.
Dy vitet e ardhshme, kaluan me pak ekonomi, e më shumë në bllokada e bojkote parlamentare të BDI-së. Në nëntor të vitit 2007, njësitet speciale të policisë maqedonase u futën me armatim të rëndë në fshatin Brodec të Tetovës dhe u përleshën me një grup të armatosur shqiptar, që rezultoi me 8 shqiptarë të vrarë e dhjetëra të arrestuar, por edhe me qindra banorë të bastisur, të rrahur e keqtrajtuar në forma të ndryshme.
Po atë vit, Gruveski shfrytëzoi dëshpërimin mbarëkombëtar me veton te maqedonasit dhe me zgjedhje të shpejta (kuptohet) të parakohshme parlamentare, me ndihmën e BDI-së, me të cilën bëri Marrëveshjen e Majit, të cilën nuk e respektoi asnjëherë deri në fund, i deklasoi opozitarët socialdemokratë, të cilët u portretuan si “tradhtarë” që “duan ta shesin emrin”. BDI-ja, e cila tash i vë si kusht bisedat për emrin dhe integrimet, atëherë e konsideronte këtë “punë të maqedonasve”.
VMRO-BDI: Rënia në dashuri, Pjesa 1 (2008-2011)
Me pushtetin e ri VMRO-BDI, duke futur ‘dy ekstremë’ në një thes e në një zgjedhë, pra, ata që shiheshin përmes shënjestrave gjatë konfliktit në vitin 2001, u arrit stabilitet politik. Së paku ashtu u dukej në fillim ndërkombëtarëve. Po, së shpejti, “komandantët dhe komitët” kuptuan se edhe mund të “bashkëpunojnë”. Shpeshherë, duke shfrytëzuar çështjet ndëretnike për përfitim politik ose për shpërqendrim të vëmendjes prej problemeve aktuale, prej korrupsionit dhe krimit.
Ndërkohë, Gruevski nuk rreshti së bëri “të mira” ndaj shqiptarëve, të gjitha në funksion të strategjisë së tij politike.
Në vitin 2008, pushteti e përgatiti edhe të ashtuquajturin ligj “për fëmijën e tretë”, që parashihte ndihmë financiare për familjet që do të kenë fëmijë të tretë, mirëpo vetëm në komunat ku ka problem me shtimin natyror, gjë që automatikisht shkyçte komunat ku banojnë shumicë shqiptarësh! U desh që të bëhet iniciativë para Gjykatës Kushtetuese, që të anulohen pjesët diskriminuese të këtij ligji.
Gruevski ishte edhe “inspiratori dhe promotori” kryesor i Enciklopedisë së famshme, që u botua në vitin 2009, në referencat e të cilës shqiptarët, mes tjerash (ato të zakonshmet për “gogolin”), cilësohen edhe si “malokë”.
Në zgjedhjet (çuditërisht të rregullta) presidenciale në po këtë vit, edhe një lojë e vockël e Gruevskit në terrenin “shqiptar”. Në raundin e parë, mbi 100.000 vota, kyçur këtu dhjetëra mija vota të maqedonasve, shkuan në konton e Imer Selmanit, një politikan pa strukturë e makineri tradicionale partiake prapa tij! Ai në media u konstruktua si imazh i “Obamës së Maqedonisë”, që i bashkoi maqedonasit dhe shqiptarët. Ndoshta për naivët.
Për ata që i dinë gjërat më mirë, dhjetëra mijëra votat maqedonase për Selmanin (ish-ministër i shëndetësisë dhe zëvendëskryeministër në qeverinë e parë të Gruevskit, atë me PDSH-në), ndonëse ka pasur edhe të tillë që i kanë dhënë me sinqeritet, shumica ishin vota partiake të VMRO-DPMNE-së që kishin qëllim: t’ia ulin “çmimin e pazarit” BDI-së, sepse Selmani fitoi shumë më tepër vota se kandidati i saj Agron Buxhaku, si dhe të dobësojnë sa më shumë pozitat e Lubomir Fërçkoskit të LSDM-së, i cili përveç kësaj bartte edhe bagazhin negativ ndaj shqiptarëve, që nga koha e qeverisjes së tij si ministër i brendshëm i LSDM-së në vitet e ‘90. Fitorja e mandatit të parë si kryetar, më këtë “parapërgatitje”, bile edhe për një të humbur politik siç është Gjorge Ivanovi, nuk vihej në pyetje.
Po në këtë periudhë, u prezantua edhe ideja për projektin që shënoi vjedhjen e shekullit – Shkupin 2014. Gruevski edhe aty shfrytëzoi jo vetëm narrativin “antik”, por edhe “karshillëkun” ndaj shqiptarëve. Prodhoi një projekt pothuajse tërësisht monoetnik, me qindra statuja të maqedonasve (ose atyre që historia e Gruevskit i konsideron si maqedonas), të cilave më vonë (kuptohet me marrëveshje e negociata politike si për çështje të “madhe”) iu shtuan disa buste të shqiptarëve, vendosja e të cilëve zvarritej me vite.
Kur veç më flasim për skulpturat, artin, teatrin dhe Artan Grubin, patjetër të përmendim edhe një prej episodeve të serialit gjigant me motive të dashurisë dhe urrejtjes mes partnerëve VMRO dhe BDI, atë të Kalasë të Shkupit në vitin 2010, që ishte një uverturë për zgjedhjet (e çfarë tjera, përveçse) të parakohshme parlamentare të vitit 2011.
Gruevski filloi të ndërtojë kishë (apo kishë-muze, siç arsyetohej më vonë) në Kala. Politikanët shqiptarë u çuan peshë, shkuan natën dhe me ca ushtarë partiakë i thyen vetë ndërtimet e nisura. E, e gjitha kjo paraprakisht ka kaluar edhe në Qeveri edhe në buxhet, pa kundërshtim të shqiptarëve! Ditët në vijim në rrjetet sociale filluan thirrjet publike për “mbrojtje të Kalasë” mes grupeve të tifozëve huliganë dhe grupeve nacionaliste maqedonase, ku dominon ndikimi i VMRO-DPMNE. Nuk vonoi në dakik kundërpërgjigjja shqiptare, nga strukturat e ngjashme të afërta me BDI-në. “Beteja” e cila u zhvillua te Kalaja mes muskujve partiakë dhe huliganëve të atyre që bashkëqeverisnin, ishte cirk në vete. Polici maqedonas arrestonte shqiptarin, zëvendës-ministri shqiptar e lironte, para kamerave. Me tërë këtë skenar të “mbrojtjes së Kalasë”, BDI dilte e fortë në sytë e shqiptarëve, ndërsa Gruevski, me fillimin e ndërtimit të kishës në “Kalanë myslimane” dhe “mbrojtjen”, doli po ashtu i fortë në sytë e elektoratit të tij.
VMRO-BDI: Përsosja e lojës ndëretnike për përfitime politike, Pjesa 2 (2011 – 2014)
Për zgjedhjet e 2011-s, LSDM u konsolidua në krye me Cërvenkovskin e riaktivizuar partiakisht, pas përfundimit të ushtrimit të detyrës si kryetar i shtetit në vitin 2009. Por, jo mjaftueshëm për të mposhtur Gruevskin. Ai veç më kishte filluar të përdorë edhe “metoda tjera” për të fituar votat, për të cilat dëgjuam më vonë hollësira në bisedat e përgjuara që i publikoi LSDM, nga goja e vetë funksionarëve nga rrethi më i ngushtë i Gruevskit.
Kur veç më jemi te “bombat” e Zaevit, të rikujtojmë se nga goja e bashkëpunëtorëve më të afërt të Gruevskit, nga ministrja e punëve të brendshme Jankulloska dhe kryeparlamentari Veljanoski, dëgjuam se si na quajnë “shiptari”, “indianë”, se do t’i kapin shqiptarët për qafe për të votuar për VMRO-në. Vetë Gruevski, për një rast të rrënimit të një godine pa leje në Gostivar, pasi qenka te shqiptarët, i tha ministrit për transport: “Atje mos ta zgjasim shumë, me dinamit”.
Por, t’i kthehemi rekapitullimit dhe “të mirave” të Gruevskit ndaj shqiptarëve.
Gjatë verës së vitit 2011, akoma pa bërë formalisht qeverinë, shumica parlamentare e VMRO-së dhe BDI-së votoi interpretimin autentik për ligjin e amnistisë për konfliktin e vitit 2001, me të cilin u mbyll çështja e rasteve që u kthyen nga Gjykata e Hagës (edhe kjo pjesë e Marrëveshjes së Majit prej disa viteve më parë), e në të cilat kishte hapësirë për përndjekje të një pjese të lidershipit të dikurshëm të UÇK-së dhe aktual të BDI-së. Gruevski nuk pati kurajë që këtë ta bëjë me qeveri të formuar dhe të marrë përgjegjësi politike për këtë hap, por u fsheh prapa deputetëve të tij dhe para opinionit maqedonas të arsyetohet se gjoja amnistia qenka me iniciativë të tyre! Merre me mend, Gruevskin e paskan detyruar të ndërmarrë një hap ata që nuk shkojnë as në nevojtore pa e pyetur shefin.
Por, mos t’i harrojmë gjërat më të rëndësishme që ndërtuan kontekstin e kësaj periudhe.
Fitoren e zgjedhjeve të 2011-s Gruevski e “kremtoi” me viktimë të brutalitetit policor në mes të sheshit të qytetit, Martin Neshkovski, i cili u rrah për vdekje nga sigurimi i kryeministrit gjatë festimit në mbrëmjen e zgjedhjeve, në çastet kur Gruevski ishte i pranishëm mes simpatizuesve. Vijuan protesta disamujore.
Brutaliteti policor u përsërit pas disa muajve në Gostivar, në shkurt të vitit 2012, kur në një zënkë për parkim, polici Jaqim Trifunovski vrau dy të rinj shqiptarë. Zëdhënësi i policisë Kotevski, po të njëjtën ditë, pa u bërë ende asnjë hetim, e klasifikoi publikisht këtë rast si vetëmbrojtje, ndërsa makineria propagandistike e pushtetit u vu në mbrojtje të policit. Pasuan protesta masive të shqiptarëve dhe tensionim i serishëm i marrëdhënieve ndëretnike.
Gjatë tërë vitit 2012 tensionet ndëretnike vazhduan të rriten në mënyrë të përshpejtuar. Një seri e ngjarjeve, e cila filloi me përqeshjen e Kuranit në Karnavalin e Vevçanit, pasuan raste të djegies së flamurit maqedonas dhe atij shqiptar në disa protesta dhe ndeshje futbollistike, rrahje nëpër autobusë e shkolla… Ngjarjet kulmuan me rastin e Liqenit të Smillkovës dhe vrasjes së gjakftohtë të pesë njerëzve të përkatësisë etnike maqedonase, në ditën e Pashkëve ortodokse, në prill të vitit 2012.
Pasuan arrestime, bastisje masive dhe shqetësim i qindra familjeve shqiptare, dhunë dhe rrahje… Ministrja Jankulloska, pa prezantuar asnjë dëshmi, shpejtoi t’i kualifikojë publikisht të arrestuarit si terroristë e islamistë. I gjithë rasti, si dhe procesi gjyqësor me të pandehurit për këtë vrasje makabre, sipas vlerësimeve edhe të brendshme por edhe të jashtme, është i inskenuar dhe është me prapavijë politike. Për këtë, gjatë shpalljes së “bombave” në pranverë të 2015’s u prononcua edhe lideri i opozitës, Zoran Zaev, i cili tha se janë të burgosur edhe njerëz të pafajshëm, por nuk i shpalosi “bombat” për rastin Monstra, duke u arsyetuar me ndjeshmërinë e tyre, por ia dorëzoi Prokurorisë Speciale.
“Të mirat” vinin njëra pas tjetrës. Diskutimi për stemën e shtetit, për luanin e VMRO-së, të maskuar në luanin dardan, për shembull.
Ose, pritja e madhërishme me mbarë kreun shtetëror që iu bë të dënuarit për krime lufte Johan Tarçullovskit në prill të 2013-s, pas kthimit të tij nga vuajtja e dënimit në Hagë, për vrasjen e 10 civilëve shqiptarë në Luboten. Sot, Johanin e keni deputet dhe partner të mundshëm koalicioni me shqiptarët. Kuptohet, nëse shkojnë në koalicion me shefin e tij Gruevskin, i cili qenka i mirë për ne?!?
Dhe, ja, arritëm te 2014-a, zgjedhje si zakonisht të jashtëzakonshme parlamentare, rinxitja e retorikës nacionaliste dhe shfaqja e “armiqësisë” mes tender-dashnorëve. Atëherë, kur Gruevski prej elektoratit kërkoi mbështetje prej 63 deputetëve, që të mund të formojë qeveri edhe vetë pa u kushtëzuar nga shqiptarët, ndërsa Ahmeti kërcënohej se ai ka “prishur një Jugosllavi” (demek lëre më për një Maqedoni…), dhe kërkonte 25 deputetë nga elektorati që të mund t’ia rrahë tavolinën Gruevskit, t’i kërkojë gjuhën, e cila në disa fushata parazgjedhore shpallej si e zyrtarizuar, e në disa se do të zyrtarizohet, varësisht nga nevoja. Të kërkojë president konsensual, një prej tre posteve kryesore në shtet ta kenë shqiptarët, buxhet i cili do të ndahet në përqindje adekuate edhe për shqiptarët, hyrje në NATO dhe BE. Si dhe, të luftojë për flamurin. Por, kuptohet, pa 28 nëntorin si festë.
Ose, u kthyem në fillim të kësaj meseleje, te videoja e Gruevskit ku u drejtohet shqiptarëve, duke u folur për të mirat e tija. Po ai Gruevski, i cili deri këtë vit, 2017-n, nuk e pa të arsyeshme për më shumë se një dekadë të japë qoftë edhe një intervistë për një medie shqiptare, as në Maqedoni, e as në Kosovë e Shqipëri. Dhe, e dha më në fund për “Gazetën Ekspres” nga Kosova, e udhëhequr nga një nga mendjet e ndritura të kombit, që duan të na bindin se ai na qenka i mirë. Nga Kosova, ore, me zyrtarët e të cilës nuk dëshiron të takohet bilateralisht Gruevski!
Kur jemi te mediet, që të mos e zgjas më shumë ketë histori se e bëra tërkuzë, t’ua rikujtoj vetëm në ca fjalë edhe shërbëtorët mediatik të Gruevskit – Llatasin, Mirkën, Milenkon etj… të cilët në të gjitha këto 12 vjet e më shumë, që nga ngritja e tij në opozitë, marrja e pushtetit në 2006-n dhe zhvillimi i tij në një autokrat tipik ballkanik, nuk e ndalën retorikën antishqiptare, për asnjë moment. Na krahasonin me qen, me fise indiane dhe afrikane, na quanin radikalë, fundamentalistë e ekstremistë islamik, terroristë, kërkonin Maqedoni të pastër, na shumëzonin me zero. Janë fjalët e atyre, të dashur analistë e publik, që së bashku me veprat e Gruevskit, e ndërtuan “gogolin” e 90-përqindëshit të shqiptarëve, që nuk duan t’ia shohin surratin as tij, as dashnorëve e shërbëtorëve të tij!
VMRO-BDI: “Bombat” e Zaevit, Kumanova, Përzhina, zhveshja dhe rënia e maskave – Pjesa 3 (2014-2016)
Zgjedhjet e vitit 2014 përfunduan me fitore të partnerëve në pushtet, por as VMRO-DPMNE nuk e arriti 63-shin, e as BDI 25-shin. Mirëpo, rezultatet e këtyre dy partive përsëri ishin impozante. BDI fitoi 153.000 vota, më shumë se në 2002-shin, kur mbante “oreolin e fituesit” nga konflikti i vitit 2001! Koalicioni i Gruevskit fitoi dy deputetë më pak nga numri që kërkonte. Opozita maqedonase që në ditën e përfundimit të zgjedhjeve nuk i pranoi rezultatet dhe nisi bojkotin e Parlamentit.
BDI harroi shpejtë kërkesat e zgjedhjeve, e VMRO harroi “kushtëzimet” e shqiptarëve dhe vazhdoi dashurinë me BDI-në. Mirëpo, kjo idile nuk zgjati shumë. Në vjeshtën e 2014-s, Zaevi paralajmëroi se ka dëshmi shumë të fuqishme për qindra krime të pushtetit dhe filloi takime me Gruveskin për të negociuar për qeveri teknike dhe zgjedhje të parakohshme. Gruevski zvarriste sa mundte, i jepte goditje opozitës, mirëpo, më në fund, “bombat” me bisedat e përgjuara filluan të shpallen në shkurt të vitit 2015. Pasuan protesta masive.
Mu në këtë kontekst, kur filloi zhveshja e pushtetit në sytë e qytetarëve, ndodhi rasti i Kumanovës, në fillim të majit të vitit 2015, e para tij edhe rasti me “okupimin” e karakollit të Gushincës, kur forcave të Maqedonisë u nevojiteshin mbi 13 orë për të arritur te vendi i ngjarjes pas sulmit, në të cilin përkohësisht ishin zënë rob 4 policë kufitarë të Maqedonisë!
Në Kumanovë, në Lagjen e Trimave, ku ishte strehuar grupi i armatosur, u nisën forca speciale të policisë të armatosura deri në dhëmbë, por me informata të gabuara se do të ballafaqohen me një grup të zakonshëm kriminelësh, siç dëshmuan në media disa pjesëtarë të policisë. I gjithë aksioni rezultoi me 8 policë të vrarë, mbi 10 të vrarë mes pjesëtarëve të grupit ekstremist, dhjetëra të arrestuar, shumë shtëpi të shkatërruara dhe familje të lëna pa kulm mbi kokë. Një skëterrë e vërtetë.
Disa medie kritike në Maqedoni, mes të cilave edhe javorja politike “Fokus”, dolën me informata se Kumanova është pjesë e një skenari të parapërgatitur nga një PR kompani franceze, me titullin “Le petitte guerre” (Luftë e vogël), me qëllim të zhvendosjes së vëmendjes të opinionit prej krimeve të pushtetit në terrenin e marrëdhënieve ndëretnike, aty ku VMRO dhe BDI luajnë më së miri. Dolën edhe informata që shërbimet sekrete të Maqedonisë kanë qenë në kontakt me grupin ekstremist para aksionit, dhe se ky grup në fakt ka qenë i joshur përmes përfitimeve materiale (ish-gjenerali policor Angellov përmendi shumën prej 2 milionë dollarëve) në këtë grackë dhe skenar.
Fatmirësisht, ky skenar nuk pati rezultat. Protestat për demokratizimin e Maqedonisë vazhduan akoma më fuqishëm. Më 17 maj u organizua protesta më e madhe multietnike e bërë ndonjëherë në Ballkan.
Atë që ndodhi më tutje, e dini. Pasoi marrëveshja e Përzhinës me vazhdimet e saja, në vjeshtë të 2015-s erdhi formimi i Prokurorisë Speciale Publike dhe qeveria e përkohshme me kyçje të ministrave dhe zëvendës-ministrave të opozitës, e në fillim të 2016-s erdhi edhe dorëheqja e Gruevskit nga posti i kryeministrit. Zgjedhjet e caktuara për prill u shtynë për qershor dhe përfundimisht për dhjetor të vitit 2016. Gjatë tërë procesit të negociatave, siç deklaruan publikisht edhe ndërmjetësuesit ndërkombëtarë (Vanhautte), partitë shqiptare i kanë mbajtur më shumë krah Gruevskit dhe nuk kanë shfaqur asnjë iniciativë serioze, përveç mbështetjes “së natyrshme” për realizim të Marrëveshjes së Ohrit, e cila duhej të përfundonte me realizim që në vitin 2004!
Çfarë do 90-përqindëshi i shqiptarëve?
Në zgjedhjet e 11 dhjetorit, shqiptarët votuan në një mënyrë të pjekur, që rrallëherë shihet, jo vetëm në këtë rajon! Edhe po deshi dikush që këtë ta realizojë si skenar, nuk do të mund ta bënte në mënyrë kaq matematikisht precize.
Për shkaqet për të cilat folëm gjerësisht më lart, e përgjysmuan BDI-në në vota dhe mandate dhe pothuajse e zhdukën nga skena PDSH-në e Thaçit. “Besnikëria deri në vdekje” ndaj Gruevskit kushton shtrenjtë. Shqiptarët votuan dy opsione të reja politike të cilat gjatë fushatës u pozicionuan me retorikë opozitare, duke u dhënë tetë deputetë. Dhe, në fund, shqiptarët i dhanë me dhjetëra mijëra vota Zaevit, konkurrentit dhe armikut të vetëm të Gruevskit me potencë reale, që luftonte armikun e tyre të dëshmuar. I dhanë vota LSDM-së, e cila vetëm para disa viteve nuk ndryshonte shumë në qasjen dhe retorikën ndaj shqiptarëve, edhe pse, në esencë, ka pasur dallim – së paku në kuptim të “oblandës” apo “dorëzave”.
Mirëpo, tash Zaevi po flet një gjuhë të re për shqiptarët, e cila ndoshta për fillim, pa pasur pushtet në dorë, është vetëm retorikë. Por, ky narrativ premton një frymë të re në ndërtimin e marrëdhënieve dhe në dialogun mes shqiptarëve dhe maqedonasve.
E, që ky dialog të fitojë shans të zhvillohet, shqiptarët në politikë duhet të dëgjojnë porosinë e votuesve shqiptarë nga 11 dhjetori. Të heqin Gruevskin nga skena. Dhe, t’i japin fund historisë së një urrejtësi, rrenacaku dhe krimineli, i cili bëri karrierë në kurriz të tyre!
*Autori është gazetar, hulumtues mediatik dhe aktivist për të drejtat e njeriut