Albspirit

Media/News/Publishing

Jorida Tabaku: Djalli fshihet (edhe) tek koncesionet

Mendoj se dy janë elementet kryesorë në politikat ekonomike të kësaj qeverie gjatë këtij mandati; taksat e larta dhe koncesionet. Të dy ecin paralelisht dhe ndonëse në logjikën e implementimit të tyre nuk ka pse të ketë konvergjencë, nën këtë mazhorancë dhe qeveri duket se ato kanë gjetur konvergjencën së paku në pamje të parë.

Gjatë 3 viteve të fundit kemi nisur një diskutim së pari për natyrën e koncesioneve që po jep qeveria dhe së dyti për borxhin e ri që po krijon, përveç atij publik të rritur tashmë me 890 usd për çdo qytetar shqiptar.

A ka ndonjë kundërshti PD ndaj koncesionit në vetvete?

Absolutisht që jo! Si një parti e djathtë e ngritur mbi parimet e tregut të lirë, ne nuk kemi asnjë kundërshtim ndaj koncesionit dhe asaj që definohet si politikë liberale ekonomike. Por atëherë ku qëndron problemi me këto koncesione për të cilat ne kemi folur gjatë gjithë këtij mandati në opozitë? Duke vërejtur mënyrën se si këto koncesione apo PPP janë ofruar, duke parë se çfarë politikash ka ndjekur në dhënien e tyre dhe interesin e përbashkët publik dhe mbi të gjitha çfarë politikash represive me taksa ka ofruar qeveria është shumë e kuptueshme që Rilindja nuk ka për synim liberalizimin e tregut (arsyeja së paku parimore e këtyre koncesioneve)por në të kundërt ka synim vendosjen e tregut në disa duar.

16265574_1257261041028525_6036144402318617878_nLe të sjell një shembull të freskët, qeveria ka vendosur këto ditë që të japë me koncesion me vlerën e 191.8 mln levë shërbimin e mirëmbajtjes së flotës tonë detare në të gjitha portet e vendit. Çfarë shërbimi i ofron tregut një koncesion i tillë?

Siç të gjithë e dimë kjo mazhorancë ka zgjeruar shumë aparatin buxhetor të ministrive dhe kryeministrit, këtë zgjerim ajo e ka justifikuar me të qenurit një qeveri e majtë. Atëherë si ka mundësi që një qeveri e majtë edhe krijon një qeveri më të madhe por edhe jep me koncesion pikërisht ato sektorë që duhet të mbulojë ky zgjerim? Çfarë pune do të kryejnë drejtorët e porteve si dhe agjencitë përkatëse pas kryerjes së këtij koncesioni nën një qeveri të majtë?

Pikërisht, këto mospërputhje groteske lindin sa herë që Rilindja vendos të jap me koncesion një të mirë të përbashkët jo në funksion të tregut, as në funksion të publik por në funksion të interesit personal të një klientele të caktuar. Të gjithë ne kemi parë se si ka dështuar me sukses e gjithë skema e shëmtuar dhe abuzive e koncesioneve në shëndetësi. Kemi qenë dëshmitar të miliona euro të vendosura në xhepat e disa oligarkëve të cilët kanë shfrytëzuar afrinë me kryeministrin dhe jo vetëm , për të përfituar paratë e taksapaguesve shqiptarë. Në këmbim, qeveria jo vetëm që nuk ka investuar në asnjë prej sektorëve që pati premtuar por u ka rritur taksat me mbi 1 mld USD shqiptarëve për 4 vite me radhë.

Në këmbim të taksave të rritura qoftë edhe për punën e çdo qytetari, Ministria e Financave u ka rezervuar një dhuratë me kosto vjetore 71 mln euro që është shuma që qeveria do shpërndajë në koncesionet e reja.

Në vlerë totale fatura e kontratave koncesionare do të shkojë 480 mln euro apo sa 4.5% e PBB-së, pra sa buxheti që qeveria duhet të shpenzonte për arsimin të cilin e ka dërguar në vlerat minimale.

Të gjitha këto koncesione jo vetëm që dukshëm nuk rrisin shërbimet publike ndaj qytetarëve por ato iu shtojnë kostot (përmes taksave të rritura të qeverisë si dhe tarifave që do të paguajnë tek koncesionare), nuk prodhojnë vlerë të shtuar në ekonomi (sikundër bën TAP apo hidrocentralet e tjera).

Ato shërbejnë specifikisht vetëm për të pasuruar disa persona në kurriz të taksave më të larta dhe borxhit që qeveria apo shqiptarët do t’i kenë këtyre bizneseve që u është falur në mënyrë abuzive një shërbim publik që fare mirë shteti mund ta kryente vetë.

Përballë kesaj alternative PD ka një alternativë serioze e cila jo vetëm që do të vendosë në sitë të gjitha koncesionet e dhuruara nga rilindja tek bizneset e saj. Duke dërguar përpara drejtësisë këdo zyrtar që ka abuzuar me të mirën e përbashkët dhe çdo zyrtar që ka shtrembëruar tregun përmes të ashtuquajturit liberalizëm koncesionar. Por mbi të gjitha, Partia Demokratike do të vendosë rregullin që në çdo koncesion të ardhshëm jo vetëm që liria e tregut, e mira që përfiton qytetari do të jenë në plan të parë por mbi të gjitha ne nuk do të ofrojmë asnjë koncesion monopolistik. Pra, nuk do të kemi vetëm një biznes që do të përfitojë mundësinë e ofrimit të shërbimeve publike, duke i qëndruar kësisoj më pranë parimit të lirisë së tregut dhe jo monopolizimit të tij.

Please follow and like us: