Albspirit

Media/News/Publishing

Monumenti Kadare

Ndue Ukaj • 21 Nëntor 2016 • 

Dëshiroj ta filloj këtë tekst me vlerësimin që Ibrahim Rugova i bëri veprës së Kadaresë me 1980, në tekstin “Një mbrëmje me Kadarenë”, në të cilin shkroi: “Kadare përgjigjet për çështje më të rëndësishme e të ndërlikuara, pa komplekse inferioriteti dhe pa imponim autoriteti. Sepse ai sot është një nga autoritetet më të mëdha të letërsisë sonë edhe në raportet ndërkombëtare…Prandaj mund të thuhet se Kadare është shkrimtar, apo thënë më mirë, intelektual me kulturë të gjerë e me vrojtim të thellë. Është në rrjedhën e kohës, i çliruar nga kompleksi i metropoleve, sepse ekziston nëpër metropole.”

E fillova këtë tekst qëllimisht me vlerësimin e Rugovës, meqë sot, pas kaq vitesh, në një ditë “In honorem Ismail Kadare” na tingëllon shumë aktual dhe njëkohësisht e kuptojmë se vlerësimi i tij ishte i motivuar dhe i bazuar në principe të mirëfillta artistike, ndërkohë që, përgjatë viteve pasuese, vlerësimet dhe mirënjohjet për autorin kanë arritur kulmin.

Është thënë e përsëritur shpeshherë se letërsia është alternativë e përhershme për shoqërinë, e disave u pëlqen të thonë se është mënyra ma e mirë e shëlbimit të një shoqërie. Kadare, përgjatë viteve të absurdit, e dëftoi ma së miri këtë alternativë. Ai mrekullueshëm e bëri punën e tij prej shkrimtari, duke rezistuar artistikisht dhe estetikisht. Dhe përgjatë atyre dekadave, shkroi një vepër letrare, e cila u shndërrua në urëlidhje, mes humbëtirës komuniste, ku ai dhe populli i tij jetonin, dhe kulturës letrare, ku e kërkonte rrugën kah çlirimi shpirtëror dhe përjetësia për të dhe Shqipërinë e tij.

Secili lexim është personal, subjektiv dhe i ndikuar nga faktorë të ndryshëm. Por, gjithashtu, secili lexim i letërsisë, ushqehet nga disa premisa, që mund të jenë letrare, kulturore, gjuhësore, politike e idenitare. Unë letërsinë e Kadaresë e kam lexuar për një sërë arsyesh, dhe për këtë rast, po i veçoj katër.

E para: Letërsia e tij më tërheq, më magjeps, pra, m’i përmbush kërkesat artistike- kënaqësinë e leximit. Kjo për faktin se dimensioni  i saj estetik, është i fuqishëm, i përhershëm e kumbues. Arti i tij ka fuqi t’i çlirojë lexuesit nga klishetë e ndryshme, sidomos ato ideologjike për njeriun e ri pa të meta dhe lumturinë njerëzore komuniste dhe të hapë para tyre horizonte të reja të kuptimit të jetës, duke i stigmatizuar mizoritë, shtypjet politike, nëpërmjet një ligjërimi të epërm.

Po ashtu, Kadare, me artin e tij, ka dëftuar se letërsia ka fuqi t’i çlirojë njerëzit nga “dalldisjet dilirante” (Harold Bloom) dhe t’i shpie ka imagjinata, e bukura, e përhershmja. Romanet e tij të rrëmbejnë me imagjinatën e pasur dhe të kapërdijnë si një lum- herë i prajshëm e herë i rrëmbyeshëm dhe të çojnë nëpër kohë e hapësirë, duke bërë ta kundrosh botën me tërë magjitë e mizoritë e saj. Një botë, ku si në një skenë teatri tragjikomik, personazhet bëjnë luftë mes të mirës e të ligës, dashurisë e urrejtjes, përbrenda një kozmosi bukurie letrare, ku fjala, figura e rrëfimi janë si dalta në dorën e një piktori të rryer.

E dyta: Letërsia e Kadaresë, në kohën kur në Kosovë përjetonim terror politik, ishte një lloj pararoje nga murtaja e gjuhës dhe vrushkujt e pushtetit që na godisnin pamëshirshëm. Vepra e tij, ndikoi që t’i mbanim të ndezura shpresat, se përtej mizorisë politike, triumfon gjithmonë e drejta e popujve, liria, si imanencë njerëzore e nevojë ekzistenciale. Këtë e kam kuptuar që nga romanet e para të tij, “Gjenerali i ushtrisë së vdekur”, “Kështjella”, “Kush e solli Doruntinën”, vepra që u bënë pjesë e identitetit tonë kulturor e letrar.

E treta: Letërsia e Kadaresë më ka bërë të ndihem krenar në raport me boten e madhe të letërsisë, atë republikën letrare, ku nuk hyhet lehtësisht. Derisa po shkruaja këtë tekst, mu kujtua vizita që pata sivjet në Irlandë,  me ç’rast mora pjesë në Festivalin e librit në Dublin. Atje, teksa po bisedonim me drejtuesit e Festivalit, për sukseset e sfidat, për pjesëmarrjen e autorëve të rëndësishëm, ata na treguan se i ftuar i tyre, në mesin e shumë të mëdhenjve, ishte shkrimtari Ismail Kadare.

Ky moment, s’ka sesi mos ta emociononte, gëzonte e ngazëllente një autor nga Kosova, që në këtë rast është i pasionuar pas veprës së tij. Sepse, për një moment, t’i mvisheh me një ndjenjë krenarie e mburrje dhe e kupton pushtetin sovran të letërsisë. Në fakt, këtë ndjenjë, nuk e kam përjetuar vetëm kësaj here. E kam përjetuar shpeshherë dhe në momente të ndryshme, sidomos përgjatë viteve kur jetoja në Suedi. Kam marrë pjesë nëpër aktivitete të ndryshme letrare, dhe thuajse në çdo takim, sa herë është kuptuar që unë jam shqiptar dhe merrem me letërsi, emri i Kadaresë ka kumbuar fuqishëm në tavolinën time. Pa mëdyshje, në këso momente, s’ka sesi të mos të përfshij ngazëllim e krenari kur e kupton se Kadare ekziston nëpër metropole.

E katërta: Letërsia e Kadaresë është kalcium jete shumë i dobishëm për kombin tonë, sidomos në aporinë e debateve pafund rreth identitetit kulturor të shqiptarëve, në kohën kur si asnjëherë më parë, në skenë kanë dalë gjithfarë karagjozësh që përbuzin identitetin shqiptar e kulturën e tij. Vepra e Kadaresë, ka tagër e fuqi, që ta injektojë lexuesin me forcë e besim te ky identitet dhe te vlera e tij evropian. Duke e njohur dhe pranuar këtë vlerë të epërme të veprës së tij, Patër Zef Pllumi shkroi “Historia jonë është një histori llogoret e sot me i madhi luftëtar në mbrojtje të kulturës, identitetit dhe integrimit evropian të shqiptarëve, është Ismail Kadareja e unë gjendem krah për krah tij në ato llogore.”

Vepra letrare e Kadaresë është zbulim e shpalim, shenjë e shënjues i identitet kulturor të shqiptarëve dhe referenca ma e qenësishme e kulturës shqiptare në botë. Si gjeni i rrëfimit dhe përdorimit të gjuhës, ai ka skalitë ma mirë se kushdo fizionominë e kombit shqiptar, atë të panjohurën, të mbuluarën, të fshehurën, dhe ka dëftuar dashuni vepruese për të. Në këtë mënyrë,  ka ndikuar që në botë të ndryshojë mendimi se kush jemi ne dhe cilët jemi në raport me tjerët.

Shkrimtari Uilliam Faulkner tha: “Unë refuzoj të pranoj fundin e njeriut” dhe sigurisht këtë nuk e tha vetëm për vete, por edhe për sivëllezërit e vet. Pa dyshim, një nga shkrimtarët më tipik që nuk e pranoi fundin e njeriut është Ismail Kadare. Ai nuk veproi, por shkroi, dhe në këtë mënyrë e sfidoi fundin e njeriut, mjeshtërisht, me magjinë e rrëfimit, me letërsi, duke mos lejuar që asnjëherë të harrojmë. Që nga romani “Gjenerali i ushtrisë së vdekur”, me një duzinë romanesh e esesh, poezish e tregimesh, ai e lartësoi gjuhën dhe letërsinë shqipe në hierarkinë e republikës letrare, ku s’ishte kurrë më përpara, dhe njëkohësisht i doli përballë murtajës së gjuhës helmuese, që vërshonte mjerueshëm nga tirania. Në këtë mënyrë, Shqipëria e zymtë, e lodhur dhe e shëmtuar, u bë pjesëmarrëse e denjë në podiumin e artit ma sublim: letërsisë.

Please follow and like us: