Muri me Meksikën dhe imigracioni i paligjshëm
Presidenti amerikan Donal Trump po mban një prej premtimeve të tij të hershme të fushatës, ndërtimin e murit mes Shteteve të Bashkuara dhe Meksikës, si një masë që ndal emigrantët e paligjshëm. Ai nënshkroi për këtë dy urdhra ekzekutivë, njëri që i hap rrugë ndërtimit të menjëhershëm të murit në kufijtë jugor të vendit dhe tjetri që i detyron disa qyteteve amerikane të zbatojnë ligjet e emigracionit, duke i kërcënuar me heqje të fondeve federale nëse nuk pajtohen me to.
Puna për ndërtimin e murit pritet të fillojë brenda pak muajsh siç tha presidenti Trump. Por bashkë me njoftimin e këtyre vendimeve u ngritën jo pak pyetje, mbi koston, kush do të paguajë për murin dhe çfarë ndikimi do të kenë këtë vendime tek problemi i migracionit të paligjshëm.
Presidenti zgjodhi departamentin për sigurinë kombëtare, i ngarkuar me detyrën të monitorojë kufijtë, për të njoftuar vendimin e tij. Murin do ta paguajë Meksika thotë zoti Trump, por presidenti meksikan e bëri të qartë edhe dje se vendi i tij nuk ka ndërmend ta bëjë një gjë të tillë. Plus ende nuk ka një kosto për projektin. Ekspertë të fushës e përllogasirin diku tek 20 miliardë dollarë. I pyetur dje për të dhënë hollësi për murin gjatë interviste për rrjetin televiziv ABC, presidenti Trump tha se ka forma nga më të ndryshmet se si Meksika do të paguajë për murin:
“Do të jetë në një formë, ndoshta të ndërlikuar. Duhet të kuptoni se ajo që po bëj është në të mirën e Amerikës, por do të jetë dhe në të mirë të Meksikës. Ne duam një Meksikë të qëndryeshme dhe të fortë”.
Por pas këtyre komenteve të presidentit Trump, Presidenti i Meksikës Enrique Pena Nieto deklaroi se vendi i tij nuk do të paguajë për murin:
“Kur ka një emigrant meksikan në rrezik që ka nevojë për ndihmën tonë atje duhet të jemi ne dhe vendi ynë. Më vjen keq dhe jam kundër vendimit të Shteve të Bashkuara për ndërtimin e murit, që për vite na ka ndarë dhe jo bashkuar. Meksika nuk beson në ndërtimin e mureve”.
Njoftimi për murin bëhet një javë përpara vizitës së presidentit meksikan në Uashington.
Presidenti amerikan foli me admirim për popullin meksikan dhe mbrojti lidhjet e ngushta me mes dy vendeve:
“Duke punuar së bashku për kufij të sigurtë dhe bashkëpunim ekonomik, besoj vërtet se mund të forcojmë mardhëniet mes dy kombeve në një nivel që nuk ka qenë më parë dhe sigurisht brenda një kohe të shkurtër.
Përveç ndërtimit të një muri përgjatë kufirit 3200 kilometra të gjatë mes Shtete të Bashkuara dhe Meksikës si dhe rritjes së numrit të policisë kufitare, urdhri ekzekutiv shënjestron dhe 11 milionë emigrantët e paligjshëm që jetojnë në Shtetet e Bashkuara, duke synuar t’u heqë fondet federale qyteteve që i strehojnë:
“Deportimi i emigrantëve nuk do të zgjidhë problemet tona me emigracionin. Nëse kjo mund t’u pëlqejë një grupi njerëzish që e votuan, të cilët nuk e njohin problemin në rrënjë, nuk do të jetë zgjidhje e vetë problemit. Pra ka të bëjë me shumë përpjekje, kohë, para dhe burime në diçka që do të na lërë në të njëjtat kushte ku ndodhemi.
Ka njoftime se presidenti po shqyrton mundësinë e pezullimit të procesit të pranimit të refugjatëve për 4 muaj, si dhe ndalimin e hyrjes në Shtetet e Bashkuara për të paktën 30 ditë të shtetasve nga Iraku, Irani, Libia, Siria, Somalia, Sudani dhe Jemeni, të gjitha vende me shumicë myslimane. Urdhëri ekzekutiv pritet në ditët në vazhdim.
Këto do të jenë vendimarrje nën vëzhgim, nga grupet e interesit. Zyra e Komisionerit të Lartë për Refugjatët në Kombet e Bashkuara njoftoi se do të “ndjekë nga afër ndikimin” e çdo programi që synon ndërtimin e murit, mbi njerëzit që kërkojnë strehim në Shtetet e Bashkuara. Dozat e deklaratës duken më shumë kosntatuese, sesa shqetësuese.
Aktualisht ka një gardh përgjatë vetëm një pjesë të 3200 kilometrave gjatësi të kufirit me Meksikën që është parë se nuk ka funksionuar për të ndalur migracionin e paligjshëm. Aktualisht policia amerikane e mbikqyr kufirin me automjete, dronë dhe video që mundësojnë pamjet edhe natën, por edhe këto kanë qënë të pamjaftueshme. Por a jemi përballë masave që do t’i japin zgjidhje problemit kjo mbetet për t’u parë. Presidenti Trump u shpreh i sigurt se vendimet e administratës së tij do t’i kthejnë Amerikës kufijtë pasi siç nënvizoi, një komb pa kufij, nuk është një komb.