Albspirit

Media/News/Publishing

Rama kujton 195-vjetorin e vdekjes së Luanit të Janinës, Ali Pashë Tepelena

Kryeministri Edi Rama ka përkujtuar në rubrikën e tij në Facebook Amarcord, 195-vjetorin e ndarjes nga jeta të Ali Pashë Tepelenës

“AMARCORD

195 vjet më parë jepte shpirt, jo në shtrat por duke luftuar, Ali Pashë Tepelena, Luani i Janinës.

Si personalitet historik, Ali Pasha është ndoshta nga të rrallët që përgënjeshtron postulatin e gjithpranuar se historia u jep të drejtë fitimtarëve.

Zjarri që ndezi gjeniu gjakësor i vezirit të Toskërisë, e shkrumboi aq keq rretherrotull pushtetin e establishmentit osman, sa në letrat e shkëmbimeve diplomatike, ai cilësohej si “plaga më e tmerrshme e perandorisë”.

Revolucioni grek, revoltat në Bullgari dhe në principatat danubiane që përfunduan të tëra me mëvetësinë e atyre kombeve, i detyrohen jo pak Ali Pashës në përgatitjen e tyre sociale, ushtarake e shpirtërore.

Shumë i detyrohet Ali Pashës edhe ndërgjegjësimi i krerëve shqiptarë, të cilët gjatë mesit të parë të shek. XIX, filluan ta konceptonin përfshirjen në çështjet kombëtare, siç e thotë bukur mirë studiuesi Dritan Egro, “përtej interesit të çifligjeve të tyre”.

Figura e Pashait që tronditi Portën e Lartë mbetet padyshim një nga figurat më të diskutueshme të historisë sonë, por çka nuk është diskutuar as nga detraktorët e tij më të mëdhenj, është gjenialiteti i këtij kryeneçi të madh shqiptar”, shkruan Kryeministri Rama.

Please follow and like us: