Reportazhi që sfidoi diktaturën, Arshin Xhezo: Shkrim për humanizmin e shqiptarëve, jo akt rebelimi
Është një fakt i ditur botërisht tashmë se Shqipëria është ndër vendet e vetme në Evropë, ndoshta, dhe më gjerë, ku 2260 hebrenjtë e ardhur para dhe gjatë Luftës së Dytë Botërore (Sinani, 2009) gjetën shpëtim dhe nuk ranë në duart e pushtuesve nazist.
Po ashtu është e njohur se ndaj hebrenjve nuk pati antisemitizëm gjatë periudhës komuniste, ndonëse Komiteti Qendror i PPSH-së, madje vetë diktatori Enver Hoxha e konsideronte “Izraelin kobure në duart e Amerikës”
E megjithatë, pavarësisht politikës zyrtare, më 8 Prill 1988, në faqen e parë të organit kryesor të këtij Komiteti, gazeta Zëri i Popullit, me kryeredaktor Arshin Xhezon, boton reportazhin e parë mbi ruajtjen dhe shpëtimin e hebrenjve në Shqipëri.
Artikulli në fjalë, i cili mbante emrin e gazetarit Fahri Balliu, u pasua nga një akuzë politike nga zonja Nexhmije Hoxha, gruaja e diktatorit Hoxha. Kjo e fundit fajësonte kryeredaktorin e Zërit të Popullit, Arshin Xhezo, se me botimin e këtij reportazhi kishte bërë politikën amerikane. Sipas saj ky ishte dhe një shkrim kundër Enver Hoxhës i cili nuk bënte asnjë dallim mes izraelitëve dhe imperialistëve amerikanë.
Në Ditën Ndërkombëtare të Kujtimit të Holokaustit, Vizion Plus ka nxjerrë nga arkivat pikërisht këtë shkrim me titull “Streha e madhe e shpirtit të popullit”, i cili ribotohet për herë të parë pas 29 vjetësh, e bashkë me të ka rikthyer dhe qëndrimin e kryeredaktorit Arshin Xhezo, që theu heshtjen dhe sqaroi motivet e vërteta të këtij botimi në një intervistë në vitin 2012.
Reportazh – Streha e madhe e shpirtit të popullit
Berat 1942. Në lagjen “Murat Çelepia” pranë një xhamie dhe sahati troket një portë dhe një çezmë në krah. Hapet dera. Ishin dy familje hebreje. I zoti i shtëpisë që hapi derën i pa të largët e të drobitur, u qeshi e u tha:
-Bujrum!
-Samuel! – tha emrin njëri nga refugjatët.
-Ismail? Bujrum! – Ja ktheu emrin i zoti i shtëpisë dhe e tërhoqi për krahu. Tjetri nguli këmbë i habitur e s’lëvizi duke thënë me pëshpërimë.
– Çifut, çifut!
-Njeri, njeri! – belbëzoi plaku dhe mori në krahë djalin e tyre katërvjeçar. Ata e ndoqën pas. Vinin nga Hungaria ku Samueli kish parë me sy t’i digjej i vëllai me benzinë nga nazistët. Familja ku bujtën, me një tufë fëmijësh, i vendosi në njërën anë të shtëpisë dhe u hapi një derë nga ana e prapme e saj. Kjo gjë duhej bërë doemos dhe sa më parë për të siguruar të përndjekurit. Përballë kësaj shtëpie banonte një pilot fashist. Dhe një major fashist më poshtë. Por pesë vetat e fshehur jetonin sikur të mos qenë!.
Mbrëmave vonë, si në traditën e shtëpive beratase shkëmbenin vizita. Të zotët e shtëpisë gostiteshin te bujtësit me fara kungulli të pjekura – zakon i tyre.
Në një nga këto netë Samueli që ishte rrobaqepës u qepi vogëlushëve të shtëpisë nga një kostum (vishnin për herë të parë në jetën e tyre) e të nesërmen u bëri dhe fotografi. Dhe ky kujtim ruhet.
Po sot djemtë e kësaj shtëpie nuk e pranojnë kurrsesi të përmendet emri i tyre si bamirës, por thjesht si miq. Ky nuk është vetëm amanet i babait, por një zakon, një traditë.
-Nuk ziret në gojë mirësia dhe buka – përsërisnin fjalët e babait, që tani nuk është më, kur u kujton mikpritjen që u kanë bërë të përndjekurve. Ndaj dhe fotografinë edhe pse ta japin, kërkojnë që të botohet pa diçiturë, pra pa emrin e familjes së tyre që i ka ruajtur nga vdekja e sigurt.
Po në këtë kohë dhe në lagjet Mangalem e Goricë kishin ardhur familje të tjera hebreje. Sot dëshmohet se kanë qenë rreth dyzet familje të cilat kishin shpëtuar përmes masakrash e krimesh të shpikura nga nazistët. Dhe ja ç’tregoi Ysyf Qolja.
-Këtu në lagjen tonë banonte një Jakov me gruan, Sonjën, dhe vajzën Raçela. Ata luanin mendsh për ne. Pse? Ata qenë të mbyllur e të heshtur, si të mos qenë. Ja këtij Jakovit i kishin vrarë tre vëllezër dhe ndaj qenë aq të mbyllur. E ne, luftë e gjak qe, po zërin të lartë e kishim, çoku edhe shaka bënim. Ja qe një grua atje në “Murat Çelepia” që thërriste ku kishte hebrenj: “Hapini ore dyert! Mos kini frikë! Jeni mes njerëzve. S’u lëmë ne t’u gjejë gjë”.
Dhe ata qenë mes njerëzish të mirë. Njerëz aq të çiltër e kofidentë me të panjohurit. E jo vetëm kaq po s’mbahet mënd asnjë nga këtë hebrenj të bënte pazarët. Ata të përndjekur furnizoheshin me trastat e popullit të Beratit. Që nga shkurtimet e emrave nga Avram – Vane, Isak – Çuke, ndjehet familjariteti mes banorëve dhe të ardhurve.
Po ja një ditë në Berat në mes të nëntorit hynë nazistët. Ulërima e tankeve sikur e shpalosi edhe njëherë këtu katrahurën raciste. Gestapoja e informuar udhës bëri të njohura edhe një herë ligjet e saj për hebrenjtë.
Por refugjatët gjetën një popull që vetëm me një të thirur, “O i zoti shtëpisë, a don miq?” të çelte bashkë me derën e odës edhe zemrën. Të falte besë e gaz. Kur nazizmi përparonte nëpër Evropë, nën një llahtari të paparë u ngrit duman vala e çafrashitur dhe e tromaksur e hebrenjve që banonin në Gjermani, Austri, Poloni, Hungari, Jugosllavi e gjetkë.
Atë kohë, kush zbulonte dhe denonconte një hebre shpërblehej dhe konsiderohej bashmik i nazizmit që terrorizonte Evropën mbarë, kurse ata, njerëzit e thjeshtë që i mbronin, konsideroheshin armiq dhe gjithashtu “shpërbleheshin”, por në një mënyrë tjetër, sikurse vetë hebrenjtë e strehuar.
Historia e kampeve të përqendrimit, krematoriumet dhe eksperimentet çnjerëzore me organet e njeriut janë monografia e shifrës shumëmilionëshe të hebrenjve të asgjësuar. Ishte një gjah zbavitës kapja, vrasja, krimi ndaj një hebreu.
Berati s’është i vetëm që i ka shembujt e strehimit të hebrenjve. Po është Vlora, Elbasani, Korça etj., etj… Me të drejtë thuhet se Shqipëria është ndoshta vendi i vetëm në Evropë ku nazistët gjermanë nuk zunë dot asnjë hebre, sepse populli shqiptar i strehoi në shtëpitë e tij, i fshehu nga nazistët e i mbrojti si bijtë e vet.
Në bllokun e shënimeve lexojmë diçka që na e pat treguar dikur veterani Vasil Bulli: Të strehoje një hebre në kohën e nazizmit e kishe mbushur shtëpinë me dinamit. E s’të mbetej nam e nishan. Po më kujtohet një Jozef, një djalë vetullzi që rrinte i larë e i krehur aq pastër e mirë. Po erdhi nazizmi në neve e iku, Jozefit, s’i lamë t’i prishej as hekuri i pantallonave.
Ndërsa Nesti Leshnja tha:
-Hebrenjtë në Korçë erdhën nga Selaniku. Një familje prej tyre qëndroi te Kostandin Xega, profesor i liceut. Aty te profesori qëndroi, po e dinte tërë fisi i Saqellarëve e ata të lagjes. I dinte tërë Korça po se çelte gojën. E hebrenjtë këtu në Korçë u habitën fare ngaqë në mëhallë linin dyert e shtëpive hapur. E shtynje derën, futeshe brenda. Dhe krijuan besim tek ne.
Edhe Dhimitër Dinaço rreth kësaj teme kujtoi:
-Një familje hebreje burrë e grua e një vajzë u nda në dy pjesë. Nënë e bijë ndenjën këtu, kurse burri u çua në mal. Ai s’e tregoi emrin po di që qëndroi në mal.
Ylli i verdhë si damkë, dyqanet e posaçme të hebrenjve, ndalimi për ta i notit e argëtimit ishin shenja e masa të publikuara për të identifikuar hebrenjtë. Të gjithë i dinin këto, po kjo populli nuk e trembte.
Komanda gjermane bëri një përpjekje nga marsi i 1944-ës t’i grumbullonte hebrenjtë në një shesh të Beratit ku qenë vrarë pak ditë më parë 40 ushtarë fashistë. Sheshi mbeti bosh. Nisi terrori dhe bastisjet.
Hebreja Raçelë, e mbyllur në një katua qëndiste ditë natë lule e motive nga vendi i saj. E po ti shihje ato qëndisma qenë një ditar origjinal. Një Ana Frank në Berat. Por ajo nuk përfundoi në kampin e përqendrimit të Bergen Belzenit.
Veterani Sulo Muzhaka, ish kryetar i këshillit në lagjen “Murat Çelepia” tregon:
-Sa hynë nazistët në këshillat morëm porosi dhe për sigurimin e jetës së një hebreje. Një pjesë i nxuarrëm nga qyteti në drejtim të Shpiragut e pyjeve ku të mundnin.
E në ato ndarje të atyre viteve nënë Gjyfizare Qolja tregon:
-Qanin hebrenjtë kur iknin dhe thonin: A ka Berat tjetërkund? – Ka Berat se ka Shqipëri, ka shqiptarë – ja kthenin ata të këshillit
Të tjerë kujtonin një familje tjetër hebreje, atë të Baharit, që kishte djalë Asherrin, grua Irenën dhe vajzën Xhuljetë.
-Do thënë të tëra! Është çështje nderi dhe mirësie, e mirësitë s’vdesin – lexojmë përsëri kujtimet e Vasil Ballit.
E biseda kujton Isak Bezhën e strehuar në Korçë e Durrës. Ndërsa dy të tjerë të arrestuar në Elbasan nxirren prej andej dhe u shpëtohet jeta.
Dhe vetë enumeracioni i fakteve është një ngarkesë dhe ngjyresë sa poetike aq dhe realiste. Shpirti i madh i popullit është një strehë e madhe.
Gazetar: Fahri Balliu
Shënim: Reportazhi “Streha e madhe e shpirtit të popullit” në origjinal përmban fjalën “çifut” e cila është zëvendësuar me fjalën “hebre”, për shkak të konotacionit racist që përmban. Megjithatë, çdo gjykim, bëhet duke e vendosur ngjarjen në kohë dhe kontekstin kur ajo ka ndodhur.
Në dhjetor të vitit 2012 publicisti i njohur, ish-kryeredaktori i Zërit të Popullit, Arshin Xhezo në një intervistë të gjatë në shtyp, me titull “Izraelitët dhe fisnikët” flet për herë të parë për botimin e këtij reportazhi. Vizion Plus ka shkëputur vetëm arsyetimin e z. Xhezo nga kjo intervistë e konceptuar në tre pjesë.
Elvin Luku: A mund të na tregoni, si ju lindi ideja dhe thyet një tabu, duke botuar në gazetën “Zëri i Popullit” një shkrim për shpëtimin e hebrenjve në Shqipëri? Si reaguat, kur, siç kemi lexuar, zonja Nexhmije Hoxha, ju akuzoi se me këtë shkrim ju kishit bërë politikën amerikane, dhe kundër Enver Hoxhës, i cili thoshte se, “Izraeli është kobure në duart e imperializmit amerikan”?
Arshin Xhezo: Ju kërkoj ndjesë, paraprakisht, dhe dua të mos më keqkuptoni, ngaqë kjo pyetje, më bën të qesh. Kjo, sepse më kujton intervistat dhe shkrimet e jo pak trimave pas beteje, aq shumë në modë në ditët tona.
Me një paturpësi shembullore, ata, të dalluar në atë kohë, vetëm për servilizëm e lajka, sot e gjithë dita nuk pushojnë të mbushin faqet e gazetave, ekranet e TV-ve, por të botojnë edhe libra, ku tregojnë si “ia përplasën në fytyrë Enverit”, si ua “thyen dhëmbët Mehmetit e Ramizit”, dhe plot broçkulla e përralla të kësaj natyre.
Mendoni vetëm për një çast, si mund të ndihen e fyhen, duke dëgjuar këta “trima” ata, që vërtetë iu kundërvunë atij sistemi dhe e shkuan jetën burgjeve. “More, po ç’po bëhet kështu?!-mund të thonë: Si nuk i paskan varur për gjuhe për gjithë këto trimëri që paskan bërë, por që nuk i ka marrë vesh njeri në atë kohë? Po burgun, ku e kanë bërë? Në majë të Tomorit?! Se, në Spaç e në Burrel, ku kemi qenë ne, nja 15 a 20 vjet, nuk na i kanë zënë sytë?!”…
Në thelb, ngjarja që përmendët ju, është e vërtetë dhe shkrimi u botua në prill të vitit 1988. Është, gjithashtu, e vërtetë një akuzë politike që u bë. Por, nuk është aspak e vërtetë se mua më shkoi ndonjë çast nëpër mend të bëja ndonjë “akt të guximshëm” kundër sistemit. Kjo, edhe për faktin se ajo që u vërsul e nervozuar nuk ishte “Zonja Makbeth”, as “Zonja e Zezë Nexhmije Hoxha”, si e thërrasin sot, por “shoqja Nexhmije Hoxha”, domethënë, gruaja e Enver Hoxhës…
Sidoqë, sigurisht, isha i nervozuar nga absurditeti që dëgjova, i thashë, se shkrimi nuk është për hebrenjtë por për shqiptarët, për sakrificën dhe humanizmin e tyre krejt unikal në botë,- asnjë hebre në duart e nazistëve, -pra, një humanizëm i ngjashëm me atë ndaj 20 mijë ushtarëve italianë pas kapitullimit të Italisë fashiste, të cilët, edhe pse i kishin vrarë e djegur shqiptarët, nuk provuan kurrfarë hakmarrjeje, përkundrazi, shqiptarët i morën në shtëpitë e tyre, u dhanë bukë e strehë, dhe në mbarim të Luftës, i përcollën shëndoshë e mirë në Itali.
Ajo që nuk i thashë, por që e mendova më pas, kur u qetësova dhe zura të qeshja me vete për absurditetin, ishte një frazë njerëzore: “Vërtet nuk iu duket një gjë kaq e mrekullueshme”?!
Në të vërtetë, ishte edhe një gjë tjetër që mendova më pas. Para se ta firmosja atë shkrim për botim kisha një ndjesi të turbullt dhe pa logjikë, siç janë gjithnjë parandjenjat. E kam thënë, edhe një herë. I bëra atij shkrimi një redaktim të lehtë. I vura vizë vetëm emrit të një qytetari që kishte strehuar e shpëtuar në shtëpinë e tij dy familje hebreje. Ky ishte emri i tim ati…Ngjarjen në shtëpi e lashë të plotë, sa ishte, por viza e hequr mbi emrin e tim ati, m’u duk, jo mbi letër, por mbi pllakën e varrit të tij, dhe, – e vërteta – u trondita. Unë nuk kisha asnjë të drejtë t’ia mohoja këtë nderim të merituar tim ati, aq më pak, pas vdekjes. Ky peng do të më ndjekë gjithë jetën…
Shënim: Në reportazhin “Streha e madhe e shpirtit të popullit”, ish-kryeredaktori i ZP-së Arshin Xhezo ka hequr emrin e të atit, Mehmet Xhezo, për të mos shpërqendruar vëmendjen e lexuesit nga akti human i shqiptarëve për ruajtjen e hebrenjve, duke rrezikuar jetët e tyre.
E vërteta është se familja e Mehmet Xhezoz ka strehuar dy familjet e hebrenjve Samuel dhe Joakim në vitet 1943-1944, gjatë pushtimit nazist, me të cilin nis dhe reportazhi në fjalë. Në shenjë mirënjohje, këta të fundit i kanë dhuruar familjes Xhezo këtë kuti me simbolin e Yllit të Davidit./ Nga Elvin Luku