Albspirit

Media/News/Publishing

Shqipëria kujton Holokaustin

Nën kujdesin e Ministrit të Punëve të Jashtme Ditmir Bushati dhe në bashkëpunim me Këshillin e Evropës dhe Bashkinë e Tiranës, Ministria e Punëve të Jashtme organizoi disa aktivitete me rastin e Ditës Ndërkombëtare të Përkujtimit të Holokaustit.

Për të nderuar të gjithë ata qytetarë shqiptarë që rrezikuan jetën e tyre në shpëtimin e hebrenjve, MPJ në bashkëpunimin me Bashkinë e Tiranës dhe Ambasadën e Izraelit në Tiranë, përuruan lulishten “Të Drejtët midis Kombeve”.

75 familje shqiptare janë renditur mes “Të drejtëve midis Kombeve” në Qendrën Ndërkombëtare të Përkujtimit të Holokaustit.

Ministri Bushati dhe Ambasadori i Izraelit në Tiranë, gjatë inaugurimit të parkut, vunë në dukje gjestin fisnik të shqiptarëve në shpëtimin e hebrenjve gjate ditëve të errëta të Luftës së II-të Botërore.

Në këtë aktivitet morën pjesë ministra të kabinetit qeveritar, përfaqësues të Trupit Diplomatik të akredituar në Tiranë, deputetë, përfaqësues të bashkësive fetare dhe shoqërisë civile, si dhe pjesëtarë të familjeve të mbijetuara gjatë holokaustit.

Në fjalën e tij gjatë kësaj ceremonie, Ministri Bushati vuri theksin në rëndësinë e memories historike të një prej ngjarjeve më të errëta të njerëzimit, si mënyra më e mirë për të parandaluar kudo dha nga cilido, cënimin e të drejtave të njeriut.

Gjithashtu, ai shprehu vlerësimin e tij për të gjitha ato familje shqiptare që pavarësisht rrezikut maksimal, dëshmuan botës vlerat më të mira shqiptare, duke strehuar dhe mbrojtur hebrenjtë gjatë luftës.

Në vijim, në bashkëpunim me Universitetin e Tiranës u organizua konferenca me temë “Ne përkujtojmë: Promovimi i të Drejtave të Njeriut përmes lenteve të Holokaustit dhe Kujtesës”.

Në fjalën e tij, Ministri Bushati vuri në dukje faktin që sistemi arsimor mbetet shumë i rëndësishëm në parandalimin e ngjarjeve të kësaj natyre dhe se Shqipëria mbetet e përkushtuar në betejën për mbrojtjen e vlerave universale duke qenë pjesë dhe një prej organeve më të rëndësishme në këtë drejtim, Këshillit për të Drejtat e Njeriut.

“Besa e lidhur midis shqiptarëve dhe hebrenjve mundësoi jo vetëm atë që asnjë hebre në Shqipëri nuk u dorëzua te nazistët, por i dha frymë miqësisë tashmë të konsoliduar midis dy popujve tanë.

Ne shqiptarët krenohemi me sakrificat e baballarëve dhe gjyshërve tanë, të cilët ndonëse nën kërcënimin e vdekjes, mikpritën hebrenjtë e përndjekur anembanë Evropës”, u shpreh Ministri Bushati.

Panelistët e ftuar në konferencë u ndalën në rëndësinë që ka edukimi si një garanci solide për mos përsëritjen kurrë më të kësaj tragjedie të njerëzimit, si dhe sollën fakte historike mbi kontributin që dhanë shqiptarët në shpëtimin e hebrenjve që jetonin para Luftës se II-te Botërore dhe atyre që gjetën strehë ne Shqipëri gjatë luftës.

Please follow and like us: