Albspirit

Media/News/Publishing

Skemat për kryeministrin e ardhshëm dhe Ilir Meta

Nga Desada METAJ

“Ilir Meta ka aftësi të shkëlqyera për të qeverisur dhe këtë e ka treguar edhe më parë”. Deklarata këtë herë ka ardhur nga ministri i Drejtësisë, Ylli Manjani i cili ka konfirmuar zërat për ambiciet e Ilir Metës për të drejtuar qeverinë pas zgjedhjeve të qershorit. Në fakt, ka pak kohe që në rrjetet sociale të rinjtë e LRI-së postojnë pjesëza intervistash ku kuptohet qartë jo vetëm dëshira por dhe qëllimi për ta patur kryetarin e partisë së tyre në krye të ekzekutivit.

Por sa mundësi ka kjo të ndodhë? E vërteta është se deri më sot qendrimet e Ilir Metës për aleancat e mundshme parazgjedhore janë ambigue dhe pa përcaktues të qartë. Ai ka lënë të kuptohet se PS do të jetë në koalicion qeverisës me LSI, por qartas janë parë dhe lëvizjet e tij “nostalgjike” për kohët kur qeveriste me PD e Sali Berishës. Ky i fundit prej kohësh e kursen në denoncimet e tij ish-aleatin, ndërsa mosmarrëveshjet mes Ilir Metës dhe kryetarit aktual Basha duket se janë sheshuar prej kohësh.

Por si do të mund të realizohet skema fituese e Ilir Metës?

Për këtë pa dyshim rol kryesor do të luajë numri i deputetëve që LSI do të marrë në zgjedhjet e qershorit. Për këtë, strukturat e kësaj partie janë angazhuar prej kohësh dhe puna ka nisur kohë më parë se dita e zgjedhjeve të përcaktohej zyrtarisht. Dhe nëse LSI ka treguar se di ti kalojë pritshmëritë në gara elektorale kjo gjithsesi duket e pamjaftueshme për përballjen me një parti të madhe në pushtet si PS apo për partinë më të madhe në opozitë, PD-në.

Dhe pas kësaj sigurisht që duhet mendja dhe formulat “fituese” që Ilir Metës në fakt nuk i mungojnë. Pikërisht atëherë kur dukej se anija e tij do të fundosej, pas zgjedhjeve të 2009, Ilir Meta arriti jo vetëm të ishte në parlament por dhe të bashkëqeveriste me Sali Berishën. Që nga ai moment, partia që ai drejton ka qenë gjithmonë në bashkëqeverisje dhe në rritje.

Kështu që dhe ambiciet për më shumë janë ndoshta të justifikuara dhe të mbështetura fort nga anëtarësia. A do të mund Ilir Meta të luajë lojën e fortë për Kryeministër?

A do ta zhvillojë ai këtë skemë përpara zgjedhjeve apo do të presë përfundimin e tyre?

E sigurt është se përpjekjet tashmë kanë nisur dhe dy aleatët aktual të qeverisë, Rama dhe Meta prej kohësh kanë më shumë gjëra që i ndajnë se ato që i bashkojnë, kanë më shumë mllefe e inate se bashkëpunim. Ndaj çdo skemë për ta nxjerrë jashtë loje njëri-tjetrin, afrime apo largime me aleatë apo ish-aleatë duken të justifikuara në një skenar që duket të jetë finalja e ndeshjes mes dy lojtarëve të fortë që vështirë se mund të luajnë më në të njëjtën skuadër.

Please follow and like us: