Albspirit

Media/News/Publishing

Të djathtët e Evropës i bashkon urrejtja

Partitë populiste të djathta evropiane u mblodhën në Koblenc me synimin për të krijuar aleanca për vitin zgjedhor 2017.

Armiku i armikut tim është miku im, kështu thotë një thënie e vjetër. Për pasojë konstelacione të tilla kanë çuar shpesh në aleanca mjaft të diskutueshme. Tani është partia radikale e djathtë Alternativa për Gjermaninë (AfD), që kërkon të bëjë lidhje të tilla me partië e djathta ekstreme evropiane. Si me Frontin Kombëtar francez të Marine Le Pen, Partinë holandeze të Lirisë (PVV) të Geert Wilders, atë italiane Lega Nord nën drejtimin e Matteo Salvinit, apo me Partinë austriake të e Lirisë.

Zyrtarisht nuk është AfD-ja, e cila kërkon aleanca evropiane. Udhëheqja e partisë sapo ka vendosur të mbajë një lloj distance nga Fronti Kombëtar francez. Por disa anëtarë të AfD-së e shohin këtë gjë krejt ndryshe. Sidomos Frauke Petry, kryetarja e AfD-së, e cila do të kandidojë si kandidate e vetme kryesore e partisë së saj për zgjedhjet parlamentare. Dhe i shoqi, me të cilin sapo është martuar, eurodeputeti dhe kryetari i i partisë AfD për landin Nordrajn-Vestfalen, Markus Pretzell. Ata kanë qëllime të mëdha brenda partisë.

Provokim i qëllimshëm

Mund të thuhet se Pretzell-i e organizoi pikërisht për këtë arsye takimin e grupit të tij parlamentar në Parlamentin Evropian, “Evropa e Kombeve dhe e Lirisë” në Koblenc. Një provokim i qëllimshëm ndaj konkurrentëve brenda partisë AfD. I shpallur zyrtarisht si Kongresi i grupit “Evropa e Kombeve dhe e Lirisë”, ky takim krijoi de facto vërtet përshtypjen se ishte një aktivitet i AfD-së, sikur kjo parti kishte ftuar miqtë e saj evropianë në Gjermani. Në publik kishte qindra përkrahës të AfD-së. “Kjo sallë plot me patriotë gjermanë më tregon se Gjermania nuk është e humbur”, tha holandezi Wilders në Koblenz.

ENF Tagung in Koblenz (Reuters/W.Rattay)

Sidomos e rëndësishme ishte për organizatorët që shfaqja e tyre të ishte sa më e bujshme, të tërhiqte vëmendjen dhe të prodhonte sa më tepër tituj e artikuj në gazeta. Mosakreditimi i gazetarëve të kanaleve kryesore televizive gjermane, ishte një provokim i qëllimshëm, që e nxiti edhe më tej këtë qëllim. Petry dhe Pretzell por edhe Le Pen dhe Wilders kanë mësuar shumë nga Donald Trumpi gjatë muajve të fundit. Jo pa arsye ata i dërguan Trumpit urimet më të përzemërta. Suksesi i tij u jep atyre vrull për të filluar aktivitetet në vitin zgjedhor 2017.

Përbuzje, urrejtje dhe ligësi

Duke farkëtuar një aleancë populistët e djathtë duan edhe ta tregojnë veten më të mëdhej nga sa janë në të vërtetë. Ata duan që popullariteti dhe suksesi i secilës lëvizje në vendet e ndryshme të ndikojë ndaj të tjerave. Dhe ajo që i bashkon të djathtët nga Gjermania dhe vendet e tjera evropiane është sidomos një gjë: refuzimi i një Evrope të bashkuar dhe përbuzja e atyre që mendojnë politikisht ndryshe. Këtë mund ta quash edhe urrejtje. Kjo qe tmerrësisht e dukshme në çdo prezantim në Koblenz, pavarësisht se kush dilte në skenë. Një urrejtje, e cila shfaqej me pekt të ndryshëm, shpesh e zhurmshme, shpesh direkte, por edhe e qetë dhe subtile, si në rastin e Petry-it.

Një aleancë e tillë nuk mund të jetë e përhershme. Dhe sigurisht nuk duhet atë. Ajo është vetëm një mjet për të arritur qëllimin. Nëse populistët e djathtë do të vijnë vërtetë në pushtet në vendet e tyre, atëherë ata do të nisin mjaft shpejt të distancohen prej njëri-tjetrit. Ata do të ngrenë muret dhe do të qarkullojnë vetëm në orbitën e tyre. Ata do të bëjnë ashtu si dëshiron të bëjë tani presidenti i ri amerikan Donald Trump. Ne vetëm mund të shpresojmë se elektorati evropian e njeh rrezikun dhe nuk do të lejojë të shkojë puna deri aty dhe që zgjedhësit të mos verbohen prej apologjetëve të djathtë që bëjnë sikur shpërbërja e Evropës është e pandalshme.

Please follow and like us: