Urdhër i ri ekzekutiv kundër refugjatëve thuhet se po shqyrtohet nga Presidenti Trump
Ndërsa Presidenti Donald Trump nënshkroi këtë javë një seri urdhërash ekzekutivë që synojnë forcimin e zbatimit të ligjeve për emigracionin, në media po qarkullon teksti i një urdhëri tjetër ekzekutiv, që sipas shtypit, Presidenti Trump po e shqyrton për ta miratuar dhe që do të kishte ndikim tek të huajt.
Urdhëri presidencial në fjalë, do të kufizonte programin e refugjatëve dhe do të ndalonte hyrjen në SHBA të shtetasve nga shtatë vende.
Ndonëse nuk është e qartë nëse ky urdhër do të nënshkruhet në këtë formë, pjesa më e madhe e ndryshimeve të parashikuara, janë në përputhje me retorikën elektorale dhe pozicionet e mbajtura nga zoti Trump.
Këto ndryshme do të ndikojnë tek emigrantët, vizitorët dhe refugjatët nga vende me shumicë myslimane, duke synuar, siç thuhet në titullin e dokumentit, “Mbrojtjen e Vendit [SHBA] nga Sulme Terroriste të Shtetasve të Huaj”.
Presidenti Trump u pyet rreth këtyre raportimeve në media gjatë një interviste të mërkurën me kanalin ABC News. Ai nuk konfirmoi detaje, por tha se masat synojnë përmirësimin e sigurisë së Shteteve të Bashkuara.
“Vendi ka mjaft probleme edhe pa i lejuar këta njerëz të hyjnë, të cilët shpesh vijnë me plane për të na shkaktuar dëme të mëdha”.
Madeleine Albright akuzon për paragjykime
Gjatë një bisede dje me gazetarë dhe anëtarë të një komuniteti refugjatësh, ish-Sekretarja e Shtetit, Madeleine Albright, tha se ky urdhër do të ishte “një nga gjërat më të këqija që kanë ndodhur prej një periudhe shumë të gjatë për vlerat e Shtetet e Bashkuara”, dhe shtoi se “nuk ka asnjë dyshim se ky urdhër paragjykon myslimanët”.
Një version i draftit, botuar në internet nga gazeta LA Times, përmbledh synimet e urdhërit që mund të nënshkruhet brenda kësaj jave:
- Të pezullojë për 30 ditë emigracionin dhe udhëtimin drejt Shteteve të Bashkuara, të shtetasve të Iranit, Irakut, Libisë, Somalisë, Sudanit, Sirisë dhe Jemenit.
- Të ndalojë për 120 ditë pranimin e refugjatëve, duke lejuar përjashtime për refugjatët anëtarë të pakicave fetare në vendet e tyre.
- Të ulë tavanin e kuotës për refugjatët për këtë vit fiskal, nga 110 mijë, në 50 mijë.
- Ndalimin pa afat për refugjatët sirianë.
- Krijimin e “zonave të sigurta” në Siri dhe në rajon për të zhvendosurit dhe refugjatët.
- Zbatimin e sistemit të të dhënave biometrike të udhëtarëve në hyrje dhe në dalje nga SHBA-ja.
- Pezullimin e Programit të Heqjes së Vizave dhe detyrimin për intervistim të çdo aplikanti për viza.
- Detyrimin e Departamentit të Sigurisë për botimin e një raporti çdo 6 muaj mbi “individët e lindur jashtë vendit” të cilët janë “radikalizuar”, kanë kryer akte dhune gjinore, ose janë akuzuar apo dënuar për akte të lidhura me terrorizmin.
E paqartë periudha kohore
Nuk është e qartë se si dhe kur do të zbatohen këto politika. Agjensitë e refugjatëve në SHBA patën shtuar personelin, bazuar tek kuota e refugjatëve e përcaktuar nga administrata Obama në muajin shtator. Punonjësit që merren me refugjatët që tashmë kanë mbërritur në SHBA, thonë se ata janë të shqetësuar se nuk do të pranohen të vijnë familjarët e tyre.
Rreth 32 mijë refugjatë kanë mbërritur që nga fillimi i vitit fiskal, më 1 tetor.
Lavinia Limon, kryetare e Komitetit të SHBA-së për Refugjatët dhe Emigrantët, tha se gjatë dekadave të punës me çështjet e refugjatëve, ka parë shumë gjëra të pakuptimta që kanë kaluar.
“Mendoj se me kohë, edhe kjo do të kalojë, por ndërkohë, është demoralizuese”, tha ajo.