“Valë” largimesh nga Departamenti i Shtetit, ikën edhe Nuland
Katër diplomatë amerikanë që përbëjnë pjesën kryesore të ekipit të lartë drejtues në Departamentin amerikan të Shtetit dhanë papritur dorëheqjen, vetëm disa ditë para se kandidati i presidentit Donald Trump për postin e Sekretarit të Shtetit të marrë konfirmimin në Senat.
Largimi i nënsekretarit të Shtetit për Menaxhimin Patrick Kennedy të premten ishte njoftuar më parë. Sipas gazetës Washington Post, Kennedy kishte kërkuar të vazhdonte punën nën drejtimin e sekretarit të ardhshëm të Shtetit, për menaxhimin e buxhetit dhe logjistikës së Departamentit të Shtetit.
Gazeta Washington Post dhe agjencia Associated Press njoftuan se dy ndihmës sekretarë të tjerë dhanë gjithashtu dorëheqjen të mërkurën. Ndihmës Sekretarja për Administrimin Joyce Barr dhe Ndihmës Sekretarja e Shtetit për Marrëdhëniet Konsullore Michele Bond, së bashku me ambasadorin Gentry Smith, drejtor i Zyrës për Misionet e Huaja, janë diplomatë karriere.
Dorëheqjen e dha edhe Victoria Nuland, ndihmës Sekretare e Shtetit për Marrëdhëniet me Evropën dhe Euroazinë. Duke konfrimuar largimin, Mark Toner, zëdhënësi në detyrë i Departamentit të Shtetit, tha në një deklaratë se këto pozicione janë emërime politike, që kërkojnë emërimin nga presidenti dhe konfirmimin nga Senatit. /VOA