Yanis Varoufakis: Një marrëveshje e re për ta shpëtuar Evropën
“Nuk më intereson sa do të kushtojë. Ne e morëm mbrapsht vendin tonë!” Ky është mesazhi krenar që dëgjon kudo nëpër Angli që nga referendumi Brexit i qershorit të shkuar.
Dhe është një kërkesë që po jehon nëpër të gjithë kontinentin. Deri së fundmi, çdo propozim “për të shpëtuar” Evropën shihej me simpati, pavarësisht skepticizmit të fizibilitetit të tij. Sot, skepticizmi lidhet me idenë nëse Evropa ia vlen të shpëtohet apo jo.
Ideja evropiane po shkon drejt zhbërjes nga forca e kombinuar e mohimit, kryengritjes dhe një falsiteti. Mohimi i establishmentit të BE-së se arkitektura ekonomike e Unionit nuk u projektua kurrë për të mbështetur krizën financiare të 2008-s ka rezultuar në forca deflacioni që delegjitimojnë projektin evropian. Reagimi i parashikueshëm ndaj deflacionit ka qenë një rritje e partive antievropiane në kontinent.
Dhe ç’është më tepër shqetësuese, establishmenti është përgjigjur me falsitetin se “integrimi më i ngushtë” mund të pengojë valën nacionaliste.
Nuk mundem. Përpara krizës së euros, evropianët rrëqetheshin nga ideja e dhënies së më shumë pushteti mbi jetën dhe komunitetet e tyre te Bashkimi Evropian. Një bashkim politik evropian, me një buxhet të vogël federal dhe disa përfitime, humbje dhe borxhe të përbashkëta mund të ketë qenë i dobishëm në 1999 kur lindi monedha e përbashkët.
Por tani, nën peshën e humbjeve të mëdha bankare dhe borxheve të trashëguara , të shkaktuar nga arkitektura me të meta e euros, integrimi më i ngushtë (propozuar nga kandidati francez për president Emmanuel Macron) është paksa shumë vonë. Do të bëhej Bashkimi i përhershëm i Kursimit që ministri gjerman i financave Wolfgang Schäuble ka kërkuar për vite. Nuk do të kishte dhuratë më të mirë për “Ndërkombëtaren Nacionaliste” të sotme.
E thënë thjesht, progresivët duhet të bëjnë pyetje të drejtpërdrejta: përse ideja evropiane po vdes? Përgjigjet janë të qarta: papunësia jovullnetare dhe migracioni jovullnetar brenda-BE-së.
Papunësia jovullnetare është çmimi i investimit të pamjaftueshëm brenda Evropës, që vjen prej kursimit dhe forcave oligopolistike që kanë përqendruar vendet e punës në ekonomitë me bilanc pozitiv të Evropës gjatë periudhës së deflacionit. Migracioni jovullnetar është çmimi i nevojës ekonomike në periferinë e Evropës. Shumica e grekëve, bullgarëve dhe spanjollëve nuk shkojnë në Britani apo Gjermani për klimën; ata zhvendosen sepse duhet patjetër.
Jeta për britanikët dhe gjermanët do të përmirësohet jo duke ndërtuar kufij me gardhe dhe duke u tërhequr në gjirin e shtetit-komb, por duke krijuar kushte të denja në çdo vend evropian. Dhe kjo është pikërisht ajo që duhet për të ringjallur idenë e një Evrope të hapur, demokratike. Asnjë vend evropian nuk mund të gëzojë qëndrueshmëri dhe begati nëse evropianët e tjerë janë të zhytur në depresion. Kjo është arsyeja përse Evropa ka nevojë për një marrëveshje të re përpara se të fillojë të mendojë për federatë.
Në shkurt, lëvizja “DiEM25” do të zbulojë një marrëveshje të re evropiane që do të linçohet muajin e ardhshëm në përvjetorin e Traktatit të Romës. Ajo marrëveshje e re do të bazohet në një parim të thjeshtë: të gjithë evropianët duhet të gëzojnë në vendin e tyre të drejtën e një pune që paguan aq sa për të siguruar jetesë, strehim, kujdes shëndetësor të cilësisë së lartë, arsim dhe një mjedis të pastër.
Ndryshe nga Marrëveshja e Re origjinale e Franklin Delano Roosevelt në vitet 1930, një marrëveshje e re evropiane duhet të realizohet pa mjetet e një federate funksionale, por duke u mbështetur te institucionet ekzistuese të BE-së. Ndryshe, disintegrimi i Evropës do të përshpejtohet duke çuar në federatë.
Marrëveshja e Re Evropiane duhet të përfshijë pesë synime të sakta dhe mjete për t’i arritur ato nën traktatet ekzistuese të BE-së, pa një centralizim të pushtetit në Bruksel apo humbje të mëtejshme të sovranitetit.
Investim i gjelbër i shkallës së gjerë do të financohet nga një partneritet mes bankave të investimit publik në Evropë dhe bankave qendrore për të kanalizuar deri në 5% të të ardhurave totale evropiane në investime në energji të gjelbër dhe teknologji të qëndrueshme.
Një skemë garancie punësimi për të ofruar punë që sjellin të ardhura jetese në sektorë publikë dhe jofitimprurës për çdo evropian në atdheun e vet, të disponueshme për këdo që i kërkon. Me kushtin që skema të mos zëvendësojë punët e sektorit civil, të mos mbajë mandat apo të zëvendësojë përfitimet ekzistuese ajo do të krijonte një alternativë për të zgjedhur mes mjerimit dhe emigracionit.
Një fond antivarfëri që ofron nevoja bazike kudo në Evropë, që gjithashtu do të shërbente si bazë për një bashkim të mëvonshëm përfitimesh.
Një dividend bazik universal për të socializuar një pjesë më të madhe të përfitimeve në rritje në kapital.
Mbrojtje të menjëhershme antidëbim, në formën e një rregulli të të drejtës për të marrë me qira që lejon pronarët e shtëpive që përballen me dëbim të qëndrojnë në shtëpi për një qira të arsyeshme të vënë nga bordet e komunitetit lokal. Në term afatgjatë, Evropa duhet të financojë dhe garantojë strehim të denjë për çdo evropian në atdhe duke kthyer modelin e strehimit social që është zhbërë në kontinent.
Si skema e punësimit dhe programi antivarfëri duhet të bazohen në një version modern të një praktike të vjetër: veprime bankare me qëllime publike, financuar nga një reformë pragmatike, por radikale e monedhës brenda Eurozonës dhe BE-së, si dhe në vendet evropiane jashtë BE-së. Veçanërisht të gjitha përfitimet nga hedhja në qarkullim e parave të bankave qendrore do të përdorej për këto qëllime.
Përveç kësaj, një mekanizëm elektronik publik veprimet me depozitat dhe pagesat (jashtë sistemit bankar) duhet të krijohet në çdo vend. Llogaritë e taksave do të shërbenin për të pranuar depozita, për të marrë pagesa dhe për të lehtësuar transfertat përmes veprimeve bankare online, aplikacioneve të pagesës dhe kartave të debitit të lëshuara publikisht.
Bilancet e punës më pas mund t’i jepen fondit që mbështet punësimin dhe programet e antivarfërisë dhe do të sigurohej nga një skemë evropiane e sigurimit të depozitës dhe deficiteve të mbuluara nga obligacionet e bankës qendrore, ofruar me norma të ulëta nga qeveritë kombëtare.
Vetëm një marrëveshje e tillë e re evropiane mund ta pengojë disintegrimin e BE-së. Çdo vend evropian duhet të stabilizohet dhe të bëhet i begatë. Evropa nuk mund të mbijetojë as si një vend i lirë për të gjithë dhe as si një Union i Kursimit ku disa vende, fshehur pas federalizmit, dënohen me depresion të përhershëm dhe borxhlinjve u mohohen të drejta demokratike.
Për “të marrë mbrapsht vendin tonë” ne duhet të kërkojmë dinjitet të përbashkët dhe të kthejmë ndjesinë e bashkimit në Evropë. (Project Syndicate)