Albspirit

Media/News/Publishing

Farsa e mbledhjes së Këshillit të Sigurimit

Image result for albspirit

 

Çerçiz Loloçi

 

Pas disa tentativave të policisë për arrestimin e të ashtuquajturit ‘bosi i drogës së Ballkanit’ dhe një ish zyrtari të Transporteve të emëruar nga LSI, kryetari i Kuvendit Ilir Meta ka bërë një letër publike për mbledhjen e Këshillit të Sigurimit, gjë që është miratuar nga Presidenti Bujar Nishani dhe është kundërshtuar nga Ministri i Brendshëm Saimir Tahiri.

Natyrisht që ky është një absurditet i madh dhe nëse do të kishte thelb për mbledhje të Këshillit të Sigurimit mund të ishte zhvillimi i fundit në Kosovë, pra si do të reagonte Shqipëria në një ndërhyrje të mundshme të forcave ushtarake serbe në veriun e saj. (Pavarësisht se Prishtina zyrtare ka strukturat e saj legjitime, ka edhe një sërë aleatësh perëndimorë që ndihmojnë në ruajtjen e paqes dhe sigurisë, një shtet serioz merr masat e veta të reagimit dhe të kundërveprimit në një rast lufte).

Klement Balili dhe Balilët e tjerë në të gjitha pushtetet, përfshi edhe organin më të epërm, parlamentin, nuk i solli as opozita, as shoqëria civile dhe as ndonjë organizim tjetër shoqëror. Ata erdhën me ndërgjegje të plotë nga kjo maxhorancë dhe u ndjenë të paprekur për të bërë çfarë të duan dhe si të duan. Policia e Shtetit dhe organe të tjera ligjzbatuese kanë qenë të pafuqishme jo se nuk janë në gjendje për t’i çuar ata para drejtësisë, por se janë penguar pikërisht nga kupola politike.

Në rastin e Balilit përgjegjës i drejtpërdrejt është Saimir Tahiri, i cili nuk ka dashur ta arrestojë edhe kur ia ka kërkuar policia shqiptare, ajo greke dhe ka filluar të vihet në lëvizje kur ka ndërhyrë energjikisht DEA dhe shërbimet partnere euro-atlantike.

Në këto kushte, më e pakta që mund të bënte Tahiri do të ishte dorëheqja e parevokueshme dhe t’i drejtohej drejtësisë për hetim të mëtejshme: pengim i qëllimshëm ose mosveprim për kapjen e bosëve të drogës, krimit dhe korrupsionit.

Letra publike e Ilir Metës për mbledhjen e Këshillit të Sigurimit duket aq qesharake kur Balili mund të jetë vetëm maja e ajsbergut përballë zyrtarëve të inkriminuar të përfshirë në LSI (shumë syresh janë goditur gjatë këtij mandati qeverisës) dhe që nuk ka asnjë distancim prej tyre.

Vetingu, Reforma në Drejtësi apo iniciativa të tjera nuk kanë kurrfarë vlere kur partitë kryesore janë në formë tribale, pa konkurrencë, pa garë të brendshme, pa demokraci dhe që shndërrohen në rezervuarë krimi.

Please follow and like us: