Albspirit

Media/News/Publishing

Mendimi i nje te perndjekuri: Kadare dhe komunizmi!

Adashi im gjenial

Ismail Çala

Gjenerali i ushtrisë së vdekur, Kështjella, Kronikë në gur, Prilli i thyer, Ura me tri harqe, Nëpunësi i pallatit të ëndrrave, Koncert në fund të dimrit, Dimri i vetmisë së madhe, Dosja H, Breznitë e Hankonatëve, Tri këngë zie për Kosovën, Piramida, Lulet e ftohta të marsit, Pasardhësi, Vajza e Agamemnonit, Darka e Gabuar, Aksidenti, Muzgu i perëndive të stepës…duhet të mbushesh nja dhjetë herë me frymë dhe nuk i thua dot të gjithë titujt e kryeveprave që adashi im gjenial i ka falur adashit të tij modest, popullit të tij, vendit të tij, dhe mbarë njerëzimit.
Nëse, adashin tim gjenial, për të cilin një çetë hajvanësh thonë se është shkrimtar i mirë por njeri i keq, do ta kishin internuar apo burgosur, dhe të lirë do kishin lënë adashin e tij modest, mua, për të cilin thonë se jam njeri i mirë por si shkrimtar s’vlej dy lek, në këtë kombinacion të mundshëm por fatmirësisht të parealizuar, do kishim një njeri të mirë më tepër, por një gjeni në internim ose në burg, dhe do na mungonte gjerdani i margaritarëve të paçmuar letrarë që me dhjetra vite na ka mbajtur të gjallë shijen e të lexuarit, bashkë me të edhe shpresën se dikur vuajtjet do mbaronin, nata e gjatë një ditë do zbardhte.
Unë Ismaili i vuajtjeve, persekutimeve, imternimeve, burgjeve, i uroj Ismailit të Letërsisë në ditëlindjen e tij shëndet të plotë, të gjitha mbarësitë, dhe them me gjithë shpirt; Shyqyr o Zot që kurvi nuk internoi adashin tim por adashin e adashit tim.
Çeta e rrugaçëve që ma shajnë adashin gjenial është aq e vogël sa s’ja vlen të merresh; më e mjerë se një kokrrizë rëre në shkretëtirë, dhe pa absolutisht asnjë besueshmëri, asnjë ndikim. Arsyeja pse po i shkruaj këto rradhë nuk është çeta e vogël e injorantëve në fjalë por turpi i madh i asaj çete të vogël.
Nuk kam asnjë dyshim as unë dhe askush që ka dy pare ment në kokë, se cilët janë të marrët e pacipë dhe të pament që ma shajnë adashin gjenial.
I kujtoj fort mirë ata dhe bëmat e tyre rë liga. Janë ata që nëpër mbledhjet e ndryshme nuk ndalnin së marri inicitiva rë çmendura për ashpërsim të luftës vllaveasëse të klasave, rritjen e vigjilencës ndaj armikut, dhe të tjera çudira e tmerre që kur i kujtojmë, mua që provova internimin dhe Spaçin, bashkë me familjen time, gjyshin tim, xhaxhallarët e mi, dhe krejt farefisit tim, na dridhet mishi nga turpi.
Nga stili si i sigurimit dhe mënyra e të shprehurit si e zërit të popullit dhe e librave të këqinj propagandistikë, nuk kam asnjë dyshim se ata të çetës së lehësve që ma shajnë adashin gjenial duke thënë se nuk i ka bërë kujt nder dhe e ka pas mirë me pushtetarët prandaj shkruante, më vjen aq inat dhe dua t’i bërtas fort nga Elbasani; Punë të mbarë në Paris adash.
Historia e Artit dhe Letërsisë njeh shembuj të panumurt për të provuar hajvanllëkun e çetës së shejtanbudallnjve tanë.
Sokrati i lashtësisë ishte një i çthurur i një mijë e një të zezave “morale”. Por askush s’ja përmend “moralitetin”, vetëm filozofinë.
Bajronit që bënte qef me motrën nga babai, me të gjitha kushurirat e afërta, dhe me meshkuj, i mbahen mënt vetëm vargjet e mrekullueshme.
Paganini ishte pedofil.
Krahas kryeveprave të pavdekshme Shekspiri ka shkruar edhe gjëra thjesht sa për t’i bërë qefin mbretëreshës.
Gëte ishte shkrimtar oborri. Mes tjerash, hante 40 gjellë në një vakt.
Dhe shembuj të tjerë ka plot.
Nëse për budallenjtë tanë të paguar për të sharë adashin tim gjenial, masa e pastërtisë së një artisti është në përpjestim të zhdrejtë me masën e amoraliteteve të mësipërme, adashi im gjenial është pakrahasimisht më i pastër se të gjithë ata.
Askush nuk merret me si ishte filani e fisteku.
Njerëzit e mëdhenj, mes tyre adashi im gjenial, mbahen ment, vlerësohen dhe bëhen të pavdekshëm, nga produkti, nga puna për të mirën e të tjerëve, nga veprat që lenë pas.
Unë i persekutuari i internimeve dhe burgjeve që për sa po them po të më kundërshtojë kush, e shtyp si morr, ja fus kokën në hale’, për adashin tm gjenial ndjehem sot krenar që si në të kaluarën dhe sot, qenat komunista, zagarët spiuna, bashkë me ca gjoja poetë e ca demek shkrimtarë që adashit tim nuk i arrijnë as te maja e thorit, i vë të gjithë përpara si bagëti dhe u thotë; Plehra, hiqmuni sysh.
Ka, për fat të keq, edhe disa të persekutuar trushkulur që ma shajnë adashin tim gjenial duke thënë të njëjtën gjë si sigurimi dhe klyshat që sigurimi ka lënë pas, se s’bëri internim dhe s’u burgos.
O të mjerë, kurvi dhe kurvizmi j’u bënë që të vuani, j’u lodhën e j’u sëmurën dhe ua shplanë trurin, veç tjerash edhe që sot të thoni nga këto çmendurira. Mirë që vetë ikët për lesh, dhe kurrë nuk e kuptuat se çfarë ndodhi me ju, por të paktën mos ja nxini vetes faqen duke u krruajtur me adashin tim gjenial. Ejani në vete. Thoni shyqyr që kemi edhe ne me se të krenohemi.
Paç vite të mbara për veten dhe për familjen tënde o adashi im gjenial. Por edhe për ne fatkeqët që na vlejte kur na duheshe.
Nuk e shemb dot diktaturën një shkrimtar i vetëm, sado gjenial, as sa adashi im. Nuk ka ndodhur, Nuk mund të ndodhi. Shkrimtarët nuk merren me vendin. Shkrimtarët merren me njerzit, zbusin njerëzit. Te zbutja e njerëzve mbaron puna dhe detyra e shkrimtarëve, punë dhe detyrë që adashi im e kreu më së miri. Njerëzit e butë dhe të arsyeshëm e dinë vetë çfarë bëjnë me fatet e tyre. Ta falenderojmë adashin tim gjenial që përmes Letrsisë së lartë na bëri më të butë dhe rrjedhimisht më të mirë e më të lirë. Përndryshe sot ne shqiptarët do ishim shumë më të këqij e më të zinj, dhe Shqipëria shumë më keq do t’kishte punët.
Kemi një fjalë të urtë ne këtej nga Elbasani: Nuk ndotet mali nga të pëgërat e qenve.
Kaq kisha me rastin e ditëlindjes unë adashi i Tij modest për adashin tim gjenial.

Please follow and like us: