Albspirit

Media/News/Publishing

Tedi Papavrami: Si ndikoi Kadareja në jetën time

Pas koncertit dhe prezantimit të librit në Tiranë, violinisti i shquar rrëfen ditët në Shqipëri dhe marrëdhënien me shkrimtarin e famshëm. Si ndeshi në Paris librat e parë dhe çfarë ndodh me përkthimin në frëngjisht, pse ai preferon të lexojë në shqip dhe si e ndërton një ditë të zakonshmeKeni promovuar një libër, dhatë dy net koncerte, shumë intervista. A ishte kjo një ndër javët më të bukura në Shqipëri?

“Ishte shumë e veçantë, me shumë intensitet dhe me një ekuilibër interesant midis aktivitetit të vërtetë, që është koncerti dhe për mua është qendra e jetës sime, por edhe me një anë tjetër, që është ajo e promovimit, e intervistave dhe kontaktit me njerëzit, që nuk është diçka që unë e ushtroj me këtë intensitet zakonisht. Kjo më solli një lloj fryme të pazakontë në jetën time”.

Koncerti shkoi siç e prisnit?

“Koncerti shkoi ashtu siç e prisja, edhe më mirë. Nuk e kisha imagjinuar që do të kishte një skenografi kaq të veçantë, që për mendimin time përputhej shumë bukur me repertorin që unë luajta”.

Skenografia ishte një gjetje e njerëzve në Tiranë?

“Po. Kjo ishte një surprizë shumë e bukur. Unë e kisha parë asgjëkundi diçka të tillë dhe nuk e di nëse është bërë”.

Mendova që ju do ta kishit sjellë si model dhe kishit ardhur bashkë me skenografinë…

“Jo, aspak”.

Unë ndoqa natën e parë dhe me syrin tim, të një njeriu të pastërvitur, më dukeshit i përsosur. Ju ishit i përsosur, sipas vlerësimit tuaj?

“Me syrin tim, ajo që bëra i përkiste rezultatit që prisja gjatë punës që bëra”.

Megjithatë, a ka ndonjë notë që të shpëton?

“Po, ndodh, por janë gjëra relativisht të vogla, që vihen re. Për mua mund të ketë tre-katër gjëra, sepse ka aksidente gjithmonë. Sigurisht që kjo është në proporcion me punën, me nivelin e arritur dhe zvogëlohet e zvogëlohet, aq sa mund t’i duket e përsosur dikujt. Në fakt përsosmëri totale është absurde të mendosh, por mund të kërkosh diçka më tepër. Përsosmëria është diçka relative. Një impresion”.

Të luani pa partiturë, është diçka normale?

“Kur je si solist luhet pa partiturë. Kur luan me piano, ose në muzikë dhome, atëherë luhet me partiturë. Për sa i përket muzikës së Bahut është e vërtetë që është një nga vështirësitë e këtij repertori, sepse është i vështirë për t’u memorizuar dhe për të mos u zhvendosur në momentin e interpretimit. Ka një vështirësi të veçantë dhe do shumë praktikë. Unë nuk është se kam ndonjë memorie të jashtëzakonshme nga natyra. Megjithatë, mungesa e partiturës të jep një lloj lirie, që ta frenon partitura, edhe pse puna duhet bërë me partiturë për të frenuar tekstin”.

Cila është marrëdhënia juaj me librin? Ju qëllon shpesh që të ndodheni i rrethuar nga librat?

“Po, por nuk jam shumë koleksionist. Tani kohët e fundit fillova të seleksionoj pak. Në fakt kam lexuar mjaft në një periudhë të jetës sime, por edhe nga shpërnguljet që patëm, nuk i kisha ruajtur librat. Tani kam filluar t’i sistemoj dhe t’i kem pranë. Sidomos në dhomën e gjumit, më krijon paqe”.

Çfarë lexon Tedi Papavrami?

“Rilexoj shpesh Prustin “Në kërkim të kohës së humbur”.

Me rilexim keni parasysh që mund të ndodhë edhe për herë të 10-të?

“Sigurisht. Është një filozof që quhet Cioran, që thoshte: ‘Për të thënë se e ke lexuar një libër, duhet ta lexosh 4 herë’. Mendoj se ka krejtësisht të drejtë. Ndonjëherë mendoj se do të ishte më mirë të lexoje më pak, por më shpesh”.

Prusti është autori më i dashur për ju?

“Është një autor që më ndihmon shumë, pasi është ana e hollësisë psikologjike. Kam fatin që ta lexoj në frëngjisht dhe metaforat poetike janë të jashtëzakonshme. Ajo që më ka prekur kur fillova ta kuptoj rreth moshës 16-17 vjeç është hollësia e personazheve. Ka përshkrime që janë vështirë të arritshme”.

Gjuha shqipe, në krahasim me frëngjishten, është më e varfër?

“Jo, nuk është më e varfër. Ajo që më shqetëson ndonjëherë është se fjalorët kanë mungesa. Më duket se puna apo përpunimi nga institucionet sigurisht që për gjuhën frënge është shekullor dhe shumë i gjatë. Akademia Franceze ekziston prej disa shekujsh dhe kjo anë e bën pak më të qëndrueshme dhe mund të konsultohesh më lehtë. Mbase në këtë anë gjuha shqipe ka mundësi që të zhvillohet, ashtu si në fjalorët frëngjisht-shqip që ka ardhur koha të përmirësohet. Megjithatë gjuha shqipe të lejon po aq nuance sa frëngjishtja. Ka edhe gjëra që nuk janë të përkthyeshme, si në njërën anë apo tjetrën”.

Suksesi i madh lidhet me një sakrificë që duhet bërë që në fëmijëri…..

“Sigurisht. Veçanërisht në disa fusha, si violina”.

Mendoni se mund të ketë fusha ku një sukses i madh mund të vijë me një fëmijëri të zakonshme?

“Njerëzimi ka shpikur shkollën dhe një fëmijëri pa shkollë nuk ekziston. Ka lindur shumë herët ideja e përpjekjes për t’u përmirësuar, për të mësuar që në vogëli. Është e vërtetë edhe në muzikë kjo. Janë të njëjtat principe”.

Nëse sot do të ishit 8-9 vjeç do të shkonit të konkurronit në spektaklet e zbulimit të talenteve që janë shumë në modë sot?

“Normalisht kjo do të kishte qenë një zgjedhje e prindërve. Kur kam qenë i vogël, unë kam luajtur shpesh në koncerte në Shqipëri, kam luajtur shumë herë në Lidhjen e Shkrimtarëve dhe Artistëve. Në fakt ishte formuese njëkohësisht, sepse duhet të përballosh skenën”.

Ju si njeri e keni qejf garën apo ajo ju terrorizon?

“Është një përzierje e të dyjave. Nuk është diçka që e shijoj, sepse jam tepër kompetitiv. Në dy raste që kam marrë pjesë në konkurse ndërkombëtare dhe i kam fituar, në fakt i kam përjetuar jo mirë. Kam shkuar për t’i fituar dhe po të shkosh për t’i fituar, atëherë vuan. Konkursi përjetohet mirë nga ai që pranon idenë që mund të humbasë dhe merr kënaqësi nga moment. Sigurisht që jam shumë kompetitiv”.

Kam përshtypjen se mënyra si ka ecur jeta juaj, ju ka mësuar me idenë që humbja është e papranueshme. A është e vërtetë kjo?

“Jo, jam mësuar dhe i kam kaluar pranë. Ai që injoron humbjen do të thotë që i mungon diçka në formimin e tij. Edhe pse sot mund të duket sikur unë nuk e kam njohur, unë e kam ndjerë thellë. Është një dimension i domosdoshëm”.

Çfarë është Ismail Kadareja për Tedi Papavramin?

“Një njeri që ka luajtur shumë rol në jetën time”.

Si shkrimtar nga larg apo konkretisht?

“Nga të gjitha anët. Në radhë të parë ishte një emër në librat që lexonte babai im dhe e shihja që i lexonte me një etje të madhe. Kishte një lloj pasioni dhe i grumbulloheshin aty pranë krevatit, me këto emrat e çuditshëm “Ura me tri harqe”, “Pallati i ëndrrave”. Për një fëmijë kishin diçka si të çuditshme, si magjike. Kur i hapja, ngecja dhe nuk shkoja dot larg, kur isha 6-7 vjeç. Më vonë arrita ta lexoj një tregim, që nuk e kuptova mirë”.

Kur ishte momenti që e kuptove se kishe të bëje me një shkrimtar të madh?

“Ka qenë në Francë kur isha 12 vjeç. Në fakt kujtimi i parë, që vërtetë më befasoi diçka, ishte kur e lexova në frëngjisht. Isha te profesori im i violinës, të cilit babai im i kishte folur për Ismail Kadarenë dhe ai kishte blerë librat dhe u i apasionuar, si shumë francezë dhe lexues nëpër botë. I kishte blerë të gjithë librat. Një herë isha te ai dhe hapa një libër. Ishte “Kamarja e turpit” në frëngjisht dhe rashë pikërisht në pjesën që është korrieri i sulltanit, që transporton në torbën e tij kokat e prera dhe i kujtohen ato koka. Një pasha bjond, që i ndriçuar nga drita e hënës, ku e verdha e flokëve përzjehet me dritën e hënës dhe atë e kap një lloj dehjeje. Kjo më shtangu, sepse kjo është gjeniale fare. Raporti i kokës që është e ndarë nga trupi dhe krijohet një lloj dashurie shumë e çuditshme, që mund të trajtohet në shumë mënyra. Kjo bën pjesë në gjërat që në letërsi janë vërtetë gjeniale”.

Ju mund ta kuptoni një lexues të mirë që ndoshta nga ana stilistike nuk i pëlqen Kadareja?

“Për disa libra nuk mund ta kuptoj apo për një pasazh si ky. Për mua i mungon diçka atij lexuesi”.

Kadarenë e keni lexuar në frëngjisht?

“Jo, unë e kam lexuar në shqip, por ky ishte momenti i parë, pasi unë isha i vogël. Megjithatë ndjeva që bëri një jehonë të çuditshme, si diçka që të prek në nënkoshiencë”.

Cili lexim është më i shijshëm?

“Për mua është në shqip, sepse ka fjalë që Ismaili i përdor, si përshembull ‘mynxyrë’. Kur e njeh shqipen tamam dhe e di çfarë tingëllimi ka fjala është shumë vështirë ta përkthesh. Mund të ndodhi diku që fiton në sajë të frëngjishtes një nuancë nga një përkthim i mirë, por për mua sërish ka diçka që e ndjej aty që është shumë e vërtetë”.

Shqiptarët e kanë çmuar aq sa meriton Ismail Kadare apo më shumë? Apo më pak?

“Më shumë nuk besoj. Nganjëherë shoh kritika e kontradikta apo një lloj mosbesimi, që nuk arrij ta kuptoj mirë, sepse çfarëdo që të jetë shqiptarët kanë një zakon. Kur e njohin një njeri nga afër, nuk e ndajnë dot nga vepra e tij. Unë nuk e di se sa do ta kisha pëlqyer Bahun po ta njihja. Mbase do më kishte bërë nervoz, mbase nuk do ta kisha duruar apo do të kishte një zë që do të më kishte irrituar. Është vepra që ka rëndësi, pasi të gjithë kemi simpati dhe antipati për secilin. Dhe vepra është aty dhe ajo flet vetë”.

Ka disa kritika që e ndajnë Ismail Kadarenë, si shkrimtar dhe si njeri. Ju e njihni si njeri. Cili është mendimi juaj?

“Kadareja është një njeri i ndërlikuar, është një njeri me dramë, ndryshe nuk mund të shkruash për një njeri që transporton koka të prera, natën, në shekullin e 19-të në atë mënyrë, nëse je një njeri i gëzuar dhe paqësor, me një lloj natyre të lumtur. Kjo nuk më intereson. Me mua ka qenë gjithmonë shumë dashamirës dhe shumë korrekt. Nuk kam patur asnjë lloj fërkimi apo konflikti. Këtë e them sinqerisht. Për përkthimet, unë konsultohem me të, kur ka ndonjë fjalë që nuk e njoh dhe është fjalë e sajuar nga ai vetë dhe nuk ekziston. Në fakt ai më lë shumë të lirë dhe unë bëj punën time, pastaj ia nis tekstin atij dhe botuesit francez. Ismaili shikon kryesisht përputhjen me tekstin e tij, ndërsa redaktori francez shikon anët stilistike në frëngjisht. Jam ndjerë gjithmonë shumë i lirë dhe i trajtuar me shumë dashamirësi në këtë rol përkthyesi. Duket jo edhe kaq e lehtë, sepse është prona e tij dhe mund të ketë një lloj ankthi e tensioni midis krijuesit dhe përkthyesit”.

A ka shqiptarë të tjerë që çmoni dhe cilët janë?

“Ka artistë si Ermonela Jaho, që më prek shumë, Angjelin Preljocaj, që është shqiptar me origjinë. Ka personalitete të fuqishme”.

Kur i hidhni një vështrim jetës suaj, keni patur jo vetëm gëzimet e violinës, por edhe të jetës normale, apo jo?

“Padyshim, më jep gëzim jeta normale, më jep shumë gëzim natyra, më jep kënaqësi ushqimi, shoqëria. Gjithmonë duke patur një projekt të pranishëm nga ana artistike kjo është një lloj peshe, por sigurisht më duket se kam një jetë normale”.

Një ditë normale e juaja, si është? A është një ditë e mbushur me ushtrime të violinës? A është banale?

“Po sigurisht. Krejt banale. Unë zgjohem, do ha mëngjes dhe filloj të studioj. Mundohem ta filloj në orë fikse. Pastaj vjen koha e drekës. Bëj pushime gjatë kësaj kohe. Pastaj merrem me përkthim zakonisht pas drekës, pastaj rifilloj violinën, pastaj bëj sport”.

Një femër e bukur ju shushat?

“Si gjithë meshkujt, jashtëzakonisht shumë”.

Nuk e keni humbur aftësinë për t’u shushatur, sepse fama t’i bën të zakonshme situata të tilla?

“Jo, jo. Nuk i bën dhe kaq të zakonshme dhe aq më tepër nuk ndërron thelbin e një burri”.

Cila është gjëja që ju ndjell më së pari në trupin e një femre?

“Kur kam qenë më i mirë kanë qenë sytë dhe shikimi gjithmonë mbetet. Pastaj varet, sepse nëse je në rrugë ndonjëherë sheh shpinën, trupin, këmbët dhe imagjinon diçka të bukur, që mbase nuk është dhe mbase do të ishte zhgënjyese”.

Ju mendoni që femrat shqiptare janë të bukura?

“Po, janë shumë të bukura dhe janë shpesh të theksuara. Kanë tipa të ndryshëm, të larmishëm, por të theksuar, me karakter. Kjo them se është veçantia që mund të gjesh, në krahasim me vendet ku jetoj unë”.

Gruaja juaj është franceze?

“Po”.

Por mund të ishte edhe shqiptare?

“Po, sigurisht”.

Keni thënë se i keni ndërprerë studimet për t’iu dedikuar violinës. Megjithatë formimi i munguar matematik te ju nuk vihet re?

“Ndoshta, sepse atë pak kohë që jam shkolluar, kam qenë i aftë në matematikë. Nuk isha gjeni, por kisha një lloj lehtësie. Ajo që vlen mbase është më tepër predispozita se sa formimi. Gjithmonë mendoj se inteligjenca e vërtetë mund të verifikohet në matematikë. Ngaqë e kam lënë prej kohësh studimin, mbase do të isha në një nivel të arsyeshëm”.

Please follow and like us: