Aleksandër Lalo: Jetoj me një pension 167 mijë lekë të vjetra në muaj
Në një intervistë për medien kompozitori i mirënjohur “Mjeshtri i Madh “Aleksandër Lalo, autor i qindra këngëve dhe pjesëve në gjini të ndryshme, shprehet mjaft kritik për realitetin ku jetojmë. Ai pohon se gjithmonë krijuesit duhet të mbështeten në tabanin kombëtar. Një fond të veçantë për muzikën kërkon dhe kompozitori Lalo, sipas të cilit jo vetëm Ministria e Kulturës, por dhe Orkestra e RTSH duhet ta ketë në vëmendje. Për mjeshtrin Lalo, “ Muzika m’u bë si virus. Unë tani jam në pension dhe shkruaj muzikë dhe pa më kërkuar njeri vepra. Njerëzit më kanë respektuar shumë. Gjithmonë kam dashur që të jetë vetë nga institucionet titulli për mua dhe jo ta kërkoj. Populli më ka vlerësuar dhe prisja që ta bënin dhe institucionet. Atë natë pata emocione të veçanta. Ishte një mbrëmje, një ceremoni me artistët. Kur dola të marr titullin pata emocione të mëdha dhe pak gjëra thashë, midis të tjerave u shpreha: “titujt e mëdhenj nuk i bëjnë artistët e mëdhenj, janë artistët e mëdhenj, që i japin kuptim titullit”. Nëse ti si artist ke vlera, edhe titulli ka vërtetë kuptim”. Në lidhje me krijimtarinë, frymëzimin dhe origjinalitetin e tij Lalo thotë: “Unë nuk e kuptoj globalizimin, që të bësh një krijimtari që nuk dihet se e kujt autori është. Që në atë kohë u krijuan dhe personalitetet, të cilët që në tingullin e parë kuptoheshin se kush ishin autorët që kishin shkruar materialin muzikor. Jo vetëm unë, por dhe kolegët e mi janë bazuar në tabanin kombëtar, dhe i kemi qëndruar me fanatizëm kësaj”. Ndërsa kompozitorëve të rinj u këshillon: “Kompozitorëve duhet t’u ngelet krijimtaria dhe jo këto karamelet e vogla, që bëjnë gjatë ditës për të mbijetuar. Puna jonë bëhet me pasion, me dashuri. Duhet ta duash këtë zanat siç do të dashurën tënde. Kompozitorët e vërtetë nuk kanë motiv paranë. Ata shkruajnë dhe kur nuk kanë kërkesa. Shkruajnë sepse e kanë të brendshme”.
Aleksandër Lalo problemet më të madh të muzikës sot i shikon tek media e tek shteti, si rregullator që nuk krye3n funksionin e tij. “Nuk e kanë fajin autorët. Sot jemi në një treg të lirë dhe secili bën çfarë do. Problemet i kanë mediat, televizionet që i shfaqin këngët. Flitet për tekstet në këngë, nuk ka filtër dhe ka probleme. Më keq gjuha që përdoret sot në këngë. Ka degraduar. Nuk po flitet më shqip në këngë. Nuk ka poezi, nuk ka më mesazh kënga. Dëgjojmë Sanremon dhe ke kënaqësi, ke këngë me tekste shumë të bukura, të cilat dikur dhe në festivalet tona kanë ekzistuar. Merreshin poezitë nga poetët më të mirë për këngët. E kam thënë dhe më parë, nuk mund ti japim popullit mallra të skaduara. Jo skandencë, por vlera në muzikë. Duhet të kemi një filtër artistik për krijimtarinë”.
Në lidhje me gjinitë e tjera muzikore, të cilat lëvrohen më pak dhe kërkojnë më shumë investime Lalo thotë se “Ministria e Kulturës duhet t’i japë prioritet asaj fushe që mungon, por kjo kërkon një lloj strategjie”.
Në fund “Mjeshtër i Madh” Aleksandër Lalo ngre një shqetësim real që e kanë shumica e artistëve tanë: Me një krijimtari të gjatë e të suksesshme, për më shumë se katër dekada, Lalo sot jeton vetëm me një pension 167 mijë lekë të vjetra në muaj. Ky është vlerësimi real ii këtij shteti për artistët, të tjerat janë fjalë, propagandë!