Engel lavdëron Shqipërinë për muxhahedinët
Eliot Engel u tregua mjaft i ashpër me regjimin iranian në fjalën e mbajtur përpara Komitetit të Çështjeve të Jashtme në Dhomën e Përfaqësuesve.
“Kur shikon qëndrimin e Iranit, vëren fare qartë sa negativ ka qenë ai në Siri, e sa negativ ka qenë në Liban, ku ndihmon Hezbollahun”, u shpreh kongresmeni amerikan.
“Hezbollahu, – shtoi Engel, – është kukulla e Teheranit, është zgjatim i tij, është grupi i tij terrorist”. Në seancë merrnin pjesë shumë pjesëtarë të të dyja partive nga Kongresi dhe përfaqësues të komuniteteve iraniano-amerikane.
“Ata janë tmerrësisht të këqinj”, ishte reagimi i kongresmentit, kur erdhi fjala te Rojet Revolucionare të regjimit. Por demokrati nga Nju Jorku u shpreh mjaft i kënaqur me sistemimin e anëtarëve të opozitës iraniane në Shqipëri, nga kampi “Liberty” i Irakut, lëvizje për të cilën, siç sqaroi edhe vet, ka punuar prapa kuintave për të përshpejtuar procesin e për t’u siguruar që çdo person në atë kamp të largohej i qetë e i sigurtë.
Qeverisë së Irakut, Engel i kërkoi të respektojë angazhimin e marrë e t’i kthejë organizatës së muxhahedinëve të popullit iranian “MEK” paratë për 500 milionë dollarë asete të tyre në kampin e Ashrafit dhe 50 milionë asete të tjera në kampin “Liberty”, në mënyrë që të paguajnë shpenzimet në Shqipëri.
“Të gjitha shpenzimet e tyre në këtë vend shlyhen nga vet MEK, – u shpreh kongresmeni. – Ata kanë nevojë që paratë t’iu kthehen sa më shpejt të jetë e mundur. Kështu është e drejtë, e kështu është e ndershme”, ishte komenti i tij.
Sipas Engel, regjistrimi audio i dalë në dritë gushtin e vitit 2016, ku Ali Montazeri, ish-zëvendësi i kreut suprem Ajatollahut Hoseini, flet për ekzekutimet masive të anëtarëve të “MEK” dhe kundërshtarëve të tjerë të regjimit në vitin 1988, tregon se të gjitha pretendimet e muxhahedinëve të popullit kanë qenë të vërteta.