Holokausti: Lista shqiptare e Shidlerit, hidhet dhe idea e një filmi
Oskar Schindler, ishte një biznesmen gjerman që ndihmoi në shpëtimin e më shumë se 1 mijë jetë hebrenjsh gjatë Holokaustit. Atë e njohin të gjithë pasi filmi “Lista e Schindler-it” me regji të Steven Spielberg e ka bërë të famshëm dhe të adhuruar në gjithë botën këtë histori.
Por, për listat e qindra apo mijëra hebrenjve që shpëtuan shqiptarët, familjet dhe shteti shqiptar i asaj kohe, nuk njihen botërisht. Me të drejtë filozofi amerikon-hebre Steven T. Katz tha dje në Tiranë që ju keni bërë një gjë të jashtëzakonshme, por që pak e dinë. Katz madje tha se duhet të reklamohet ky humanizëm i shqiptarëve ndaj hebrenjve ndoshta dhe me një film hollivudian pasi nga 10 milionë hebrenj sot vetëm 10 mijë prej tyre mund të jenë në dijeni të kësaj historie.
Për këtë histori është folur vonë pas rënies së regjimit komunist, por e vërteta është se Shqipëria e ka listën e saj të Shidlerit.
Në ditën e kujtesës për viktimat e Holokaustit, Drejtoria e Arkivave ka publikuar dy dokumente që vërtetojnë ndihmën që u dhanë shqiptarët hebrenjve gjatë Luftës së Dytë Botërore.
Dita e Kujtesës së Holokaustit përkon me çlirimin e kampit të Auschwitz nga Armata e Kuqe. Mes kombeve të botës, shqiptarët ishin ata që dolën nga Lufta II Botërore me më shumë hebrenj nga sa strehonin para lufte.
Ndërkohë, Predenti Nishani ka dekoruar me titullin “Nderi i Kombit” të gjitha ato familje shqiptare që mbajtën e shpëtuan hebrenj gjatë luftës. Por aty vihet re që famija Kristidhi e cila përmendet tek dokumentet nuk është në listën e dekorimeve që ka bërë kreu i shtetit.
Ja lista e Presidencës:
Presidenti i Republikës i akordoi Dekoratën “Nder i Kombit”: “Në vlerësim të aktit heroik e të pashembullt njerëzor për shpëtimin e hebrenjve nga përndjekja naziste në Shqipëri; për rolin dhe kontributin e paçmuar në lartësimin e vlerave të rralla e tradicionale shqiptare të mikpritjes, bujarisë dhe Besës si dhe për konsolidimin e harmonisë dhe bashkëjetesës shumëshekullore fetare të kombit tonë”:
Familjes Balla (Destan dhe Lime);
Familjes Biçaku (Mefail dhe Njazi);
Familjes Boriçi (Shaqir, Qamile dhe Bahrije);
Familjes Budo (Shyqyri dhe Xhemile);
Familjes Çiftja (Agostin dhe Gjysepina, Margarita, Qezarina, Gjovana dhe Gjon);
Familjes Frashëri (Yshref, Emine dhe Mehmet);
Familjes Hoti (Fife Gjylbegu, Hasan, Çele dhe Vehbi Hoti);
Familjes Hoxha (Rifat dhe Fejzie); Nuro Hoxhës (pas vdekjes);
Familjes Hoxha (Shaban, Savet dhe Hilmi);
Familjes Kadiu (Besim dhe Aishe);
Familjes Kasapi (Zyrha dhe Hamdi);
Mikel Kilicës (pas vdekjes);
Kasem Jakup Kocerrit (pas vdekjes);
Familjes Kona (Vasil dhe Kristina);
Mihal Lekatarit (pas vdekjes);
Familjes Meça (Sulejman dhe Zenepe);
Muasil Dulajt (pas vdekjes);
Familjes Myrto (Abdulla, Ije dhe Shyqyri);
Familjes Nosi (Vasil, Kelkira, Stiliano dhe Adelina);
Familjes Orgocka (Paskal dhe Lefkothea);
Familjes Panariti (Isuf dhe Niqi);
Familjes Pilku (Njazi dhe Liza);
Beqir Qoqjës (pas vdekjes);
Asllan Rezniqit (pas vdekjes);
Familjes Ruli (Metin, Aziz, Shpresa dhe Ali);
Familjes Sharri (Faik dhe Sabrije);
Familjes Sheko (Stavro dhe Nora);
Ali Sheqer Pashkaj (pas vdekjes);
Familjes Shkurti (Petro dhe Magdalena);
Eshref Shpuzës (pas vdekjes);
Familjes Toptani (Atif dhe Ganimet);
Familjes Veseli (Hamid, Xhemal, Vesel, Fatime dhe Refik);
Familjes Xhyheri (Qamil dhe Hanume);
Familjes Zyma (Besim dhe Hiqmete).
1- Listë e hebrenjve të ndodhur në Shqipëri në vitin 1941
2- Leje-qëndrimi e lëshuar nga Prefektura e Tiranës për hebreun Joseph Camhi
3- Fotografi e Camhi-t me Anetën dhe Margaritën, vajzat e doktor Kristidhit, kur strehohej në shtëpinë e këtij të fundit në vitin 1942.