Albspirit

Media/News/Publishing

Kush ishte Kaligula, perandori famëkeq romak që shpalli konsull kalin e tij

Natasha Sheldon

Në vitin 37 Pas Krishtit, populli i Romës u gëzua kur pati më në fund një perandor të ri. Perandori Tiber kishte vdekur, ndërsa vendi ishte përfshirë nga kaosi. Tiberi, kishte nxitur një valë gjyqesh dhe ekzekutimesh për tradhti, të cilat e kishin përçarë shoqërinë. Më keq akoma, ai kishte ekzekutuar deri edhe anëtarë të familjes së tij.

Perandori i ri, qe një nga të mbijetuarit e asaj fushate spastrimesh. Gai Jul Çezar Germanikus ishte vetëm 24 vjeç. Nipi i perandorit August, ai qe ndërkohë djali i i heroit të luftës, Germanikus. Në mendjet e qytetarëve të Romës, perandori Gai mund të sinjalizonte vetëm një rikthim në kohët e mira të dikurshme.

Por e kishin gabim. Brenda 4 viteve, “shpëtimtari” i tyre vdiq, i vrarë nga rojet e tij. Historia do ta mbante mend perandorin Gai, si një nga sundimtarët më të keqij të Romës. Gjithashtu do ta kujtonte prej pseudonimit të urryer të fëmijërisë së tij. Gai Çezari, u bë “Çizmja e Vogël” ose Kaligula.

Një megalomaniak gjakatar, Kaligula ishte fajtor për blasfemi, incest, vrasje, tortura dhe grabitje të kryera nga shteti. Megjithatë, mes mizorisë dhe sadizmit, prej tij lindin episode qesharake, si

në rastin kur shpalli konsull kalin e tij të preferuar. Veprime të tilla, bënë që bashkëkohësit e  perandorit të vënë në pikëpyetje gjendjen e tij mendore. Kaligula ishte thjesht një njeri i lig apo një i çmendur?

Shtatë muajt e parë të mbretërimit të Kaligulës shkuan mirë. Perandori i ri ndoqi trashëgiminë e Tiberit, duke e kënaqur popullin romak më ndeshje të shumta mes gladiatorëve. Ai gjithashtu vendosi “demokratikisht” të konsultohej me Senatin, para të gjitha vendimeve që merrte, dhe duke shmangur shumë tituj nderi.

Kaligula ri-thirri në qytet të gjithë të dëbuarit, investoi para në shumë vepra publike, si një ujësjellës i ri në rajonin e Tiberit, dhe miratoi ligje që rivendosën kontrollin popullor mbi magjistratët. Pastaj, në tetorin e vitit 37, ai u sëmur rëndë. Për njëfarë kohe, jeta e tij ishte në fije të perit, por për gëzimin e madh të të gjithëve, ai mbijetoi.

Megjithatë, ky gëzim qe jetëshkurtër, kur u bë e qartë se Kaligula kishte ndryshuar në mënyrë dramatike. Disa nga sjelljet e perandorit, mund të konsideroheshin si të çuditshme, në mos “mizore”. Së pari ai shpalli hyjnizimin e vet. Senati kishte hyjnizuar Jul Çezarin dhe Augustin pas vdekjes së tyre.

Megjithatë, ishte e pashembullt që një udhëheqës romak i gjallë, të pretendonte një nder të tillë. Gjithsesi, Kaligula kishte vendosur të ishte një nga hyjnitë më të lashta romake, Jupiter Latiaris. Ai ngriti menjëherë tempullin dhe caktoi priftërinjë e tij. Faltorja u kompletua me një statujë të artë të përmasave reale, në mënyrë që njerëzit ta adhuronin.

Hyjnësia e Kaligulës, ishte e ndryshueshme. Një moment ai sillej në pallat si Jupiteri, i maskuar me një mjekër të rreme të artë, dhe një tridhëmbësh në duar. Ai synonte të bëhej Neptuni, ose një gjarpër kur ishte Merkerui. Kaligula vishte një fustan dhe pantoflat e gruas, kur pretendonte se ishte bërë Venusi.

Për të pasqyruar gjithëpranimin e tij hyjnor, perandori hoqi të gjithë statujat e perëndive zyrtare, duke i zëvendësuar ato me të vetat. Kur nuk imitonte perënditë, Kaligula iu nënshtrohej atyre. Por sjellja e “çmendur” e Kaligulës nuk ishte e kufizuar vetëm tek çështjet fetare. Në vitin 39, ai vendosi të shkonte në luftë. Sulmoi gjermanët, ose më mirë pemët e pyjeve të tyre. Pasi mblodhi mjaftueshëm degë pemësh si pre të “betejës”, ai u zhvendos në brigjet e Galisë. Atje, Kaligula i rreshtoi ushtarët dhe artilerinë e tij, për t’u përballur me kanalin.

Komandantët e perandorit, supozuan se ai synonte të pushtonte Britaninë. Por në vend të kësaj, Kaligula dha urdhër që ushtarët të mblidhnin guackat buzë detit. Pastaj, ushtria u detyrua të marshojë në breg të detit, duke mbushur helmetat dhe tunikat  me guacka, që u ekspozuan në gjoks si trofetë e “plaçkitjes së oqeanit”.

Sidoqoftë, gjesti më i çuditshëm i Kaligulës ishte ai me kalin e tij të preferuar, Incititus. Kali kishte stafin, shtëpinë dhe stallën e vet. Godina rruhej natën nga rojet, para se kali të garonte, në mënyrë që ai të mund të pushonte sa më mirë që të ishte e mundur. Kali flinte mbi një poste fildishi, dhe mbulohej me batanije purpurta, dhe me një shami të stolisur me xhevaire.

Kaligula nuk i mohoi asgjë Incititusit. Ai organizoi edhe bankete në emër të kalit. Por ai i kapërceu të gjitha limitet, kur një ditë e mblodhi Senatin dhe njoftoi se synonte të bënte kalin e tij një konsull.

Gjithsesi, shumica e sjelljeve të çuditshme pas sëmundjes, ishin qesharake në krahasim me bëmat e tjera. Ai fitoi një imazh të keq për imoralitet, dhunë dhe mizori ekstreme. Ndër gjestet më të neveritshme ishte incesti me të tria motrat e tij. Kur më e preferuara e tij, Drusila vdiq, Kaligula u zhyt në një dëshpërim të thellë. Ai i ndaloi të gjithë qytetarët e Romës të qeshnin, hanin apo të mbanin bankete, derisa sa zgjati periudha e zisë.

Ai madje e shpalli Drusilën perëndeshë. Nëse ai incest qe konsensual, apo një çështje mbijetese, kjo nuk dihet me saktësi. Por Kaligula ishte padyshim një grabitqar seksual. Ai e kishte zakon të rreshtonte në paradë gratë e ftuara në festat e tij, para se të zgjidhte njërën prej tyre për të kaluar natën.

Ndërsa festat perandorake u rralluan shpejt, për shkak të shpenzimeve të tij luksoze, Kaligula duhej të gjente mënyra të reja për të mbledhur fonde. Një ide ishte që pallati perandorak të kthehej në një shtëpi publike. Të gjitha gratë fisnike të martuara të Romës – dhe mjaft djemve të rinj iu kërkua të shërbenin në këtë “harem mbretëror”. Klientët ishin qytetarë që Kaligula i kishte mbledhur nëpër rrugët e Romës.

Shumë fisnikë, vendosën të vrasin veten me dinjitet, para se t’i nënshtroheshin poshtërimeve të tilla. Kaligula torturoi dhe vrau qindra zyrtarë, përfshi edhe kushërinjtë e tij, kryesisht me akuzën e tradhtisë. Zullumet e tij e patën një fund tragjik. Ai u vra nga rojet e tij.

Marrë me shkurtime nga HIstoryCollection – Bota.al

Please follow and like us: