NATO, RUSIA DHE POLITIKAT E FRENIMIT
NATO ende nuk ka një strategji të qartë frenimi ndaj kërcënimit rus për vendet baltike, thonë analistët Kristin Ven Bruusgaard dhe Michael Kaufman. Gjatë një diskutimi në Qendrën Woodrow Wilson në Uashington, ata thanë se dërgimi i trupave dhe pajisjeve në vendet baltike është më shumë një masë simbolike për të siguruar këto vende se Nato nuk do t’i braktisë ato në rast të një ndërhyrje të mundshme ruse.
Ndërhyrja e Rusisë në Ukrainë dhe aneksimi i Krimesë kanë rritur tensionet mes Perëndimit dhe Moskës. Veprimet ruse në Ukrainë shkaktuan shqetësime të mëdha tek anëtarët e NATOs që kufizohen me Rusinë, si Polonia dhe vendet baltike. Kjo ka shtyrë NATO-n që të shtojë masat frenuese duke dërguar trupa dhe mjete ushtarake në këto vende dhe duke rritur gatishmërinë përmes stërvitjeve ushtarake me anëtarë të ndryshëm të aleancës. Analistja Kristin Ven Bruusgaard e Institutit Studimor Norvegjez për Mbrojtjen, thotë se NATO nuk ka ende një strategji të qartë për frenimin e Rusisë.
“Brenda NATO-s duket se nuk ka një konsensus mbi synimet e Rusisë. Shumica e analistëve në Perëndimi janë dakord se Rusia është më e paparashikueshme, më e rrezikshme se më parë dhe ka aftësi të reja në arsenalin e saj që i kanë bindur vendet perëndimore të shtojnë masat frenuese. Por synimet përfundimtare të Rusisë janë ende të paqarta. Disa mendojnë se Rusia ka për qëllim të pushtojë vendet baltike për të shkatërruar NATO-n, të tjerët, përfshirë mua, nuk e shohin këtë si një veprim racional.”
Për zonjën Ven Bruusgaard në kohën kur NATO po përpiqet të hartojë strategjinë e saj për të përballuar kërcënimin rus, paqartësia rreth synimit përfundimtar të Kremlinit në lidhje me vendet baltike është problematik.
“Pra duket se qëllimi i NATO-s është të parandalojë një sulm të mundshëm rus ndaj vendeve baltike, ndërkohë që ajo nuk është e sigurt nëse Rusia do të ndërmarrë një veprim të tillë. Politikat frenuese të Natos synojnë të mos lejojnë Rusinë të shfrytëzojë dobësite e aleancës si dhe të tërheqë vende aleate drejt synimeve politike të Moskës”.
Të gjitha këto masa janë pjesë e përpjekjeve të NATO-s për të përmirësuar tre shtyllat kryesore të aftësive të saj frenuese, pra mbrojtjen bërthamore, atë konvencionale dhe mbrojtjen nga raketat, shtoi zonja Ven Bruusgaard.
Por, analisti Michael Kaufman nga Instituti Kennan i Qendrës Woodrow Wilson, thotë se veprimet e Nato-s në vendet baltike nuk janë masa frenuese konvencionale për thjesht veprime simbolike për t’i siguruar dhe qetësuar këto vende anëtare se NATO nuk do t’i braktisë ato.
“Masat frenuese janë të kushtueshme, kurse veprimet simbolike për të siguruar vendet e shqetësuara nuk janë shumë të kushtueshme. Dhe në këtë aspekt, unë mendoj se NATO ka ndërmarrë masat të duhura. Pra, Nato e kupton se dërgimi i 4 batalioneve ushtarake me rotacion ka një kosto më të ulët se sa përpjekjet për të frenuar kërcënimin konvencional të Rusisë ndaj këtyre vendeve duke dërguar atje aftësi strategjike për t’iu kundërvënë Moskës”.
Zoti Kaufman thekson se Rusia po i shfrytëzon masat frenuese të NATO-s, për politikën e saj të brendshme.
“Rusisë i pëlqen kërcënimi nga NATO sepse po e përdor atë për mobilizim të brendshëm politik. Veprimet e NATO si dërgimi i trupave dhe pajisjeve në vendet baltike e ndihmon Rusinë të justifikojë veprimet e saj para publikut rus”.
Përpjekjet e Rusisë për modernizimin e aftësive të ushtarake, veprimet e saj agresive dhe retorika e ashpër janë të ngjashme me metodat e përdorura gjatë Luftës së Ftohtë. Analistët Kaufman dhe Ven Bruusgaard, në diskutimin e zhvilluar në Qendrën Woodrow Wilson, theksuan se Rusia tani po përdor gjuhën e kohës së Luftës Ftohtë ndërsa NATO ka ndryshuar qasjen e saj dhe në këtë aspekt komunikimi mes tyre është problematik. Megjithatë, dy analistët janë dakord se veprimet e NATO-s dhe të Rusisë janë më shumë një përpjekje për të ruajtur sferat e tyre të influencës se sa përgatitje për një luftë të vertetë.