Nuhi Bytyçi: Paraqitja e parë publike e zëdhënësit të UÇK-së, Jakup Krasniqi në RTVSH
- Si e realizova dhe arrita ta transmetoj në Radiotelevizionin Shqiptar paraqitjen e parë të Zëdhënësit të Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Jakup Krasniqit dhe çfarë jehone kishte ajo në opinion kombëtar dhe atë ndërkombëtar?
Paraqitja e parë publike e zëdhënësit të UÇK-së, Jakup Krasniqit, xhirimi dhe transmetimi i së cilës mu besua mua dhe ekipit tim nga Shtabi i Përgjithshëm i UÇK-së, xhirimet e tjera për luftën e UÇK-së në mbarë Kosovën, mbijetesa e popullatës civile në zonat e luftës, u realizuan nga unë dhe nga kameramani Abaz Zeka, me një kamerë të vogël digjitale, të cilën ma pat siguruar Xhafer Shatri, ministër i Informimit i Qeverisë së Kosovës, të drejtuar nga kryeministri Bujar Bukoshi. Dhe, në saje të komunikimit dhe qasjes sime profesionale, me kolegun Asllan Bajrami dhe me ministrin Xhafer Shatri dhe me mbështetjen e përgjegjësve të ShP të UÇK-së dhe gjatë komunikimit me kryeministrin Bukoshi, pavarësisht prej mospajtimeve në mes të ShP të UÇK-së dhe Qeverisë së Kosovës në ekzil, kemi arritur që për herë të parë ta transmetojmë, në programin satelitor të TV Shqiptar në Tiranë, dokumentarin e parë televiziv kushtuar Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, si dhe një emision telereportazhi për territoret e lira të Kosovës.
Marrëveshja dhe telefonata në mesnatë për xhirimin e paraqitjes së parë publike të zëdhënësit të UÇK-së
Takimi me komandant “Pëllumbin” afër Grykës së Llapushnikut
Nga bregorja e Grykës së Llapushnikut kemi xhiruar pamje të disa fshatrave të Drenasit. Kam takuar aty komandant Shani Sokol Hotin nga Carralluka e Malishevës dhe Shefqet Buçajn-Komandant “Mësuesin” nga Lladrovci. Shaniun e kam djalë të dajës së babait, kurse Shefqetin, familjar të miqve të vëllait. Zenel Kastrati na ka lënë aty dhe është nisur të kthehet në Prishtinë, kurse dikush prej ushtarëve të UÇK-së na ka përcjellë me makinë deri afër Arllatit dhe Negrocit, jo fort larg Grykës së Llapushnikut. Diku në arat në mes të Arllatit dhe Negrocit kemi takuar komandant “Pëllumbin”. Ai u prezantua me emrin dhe mbiemrin e vet të plotë: “Nuhi, unë jam Ferat Shala nga Vuçaku”. Ai ishte i informuar për ardhjen time dhe të kameramanit Abaz Zeka. Unë nuk e njihja Feratin. Për të krijuar afërsi më të madhe mes vete, Ferati më tha: “Unë i kam xhaxhallarë Abdylin dhe Beqirin”. Xhaxhallarët e tij kishin punuar mjeshtër për ndërtimin e shtëpisë së një ish-kolegut tim nga RTP-ja, në lagjen Arbëria, disa vjet më parë. Unë i njihja ata. M’u kujtuan mirë ata. Ferati na dëshiroi mirëseardhje. E dinte qëllimin e vizitës sonë. Na tha se “zëdhënësi Jakup Krasniqi momentalisht nuk është këtu, në këtë fshat, por dikund tjetër”. Jakupi e kishte shtëpinë në Negroc. Nuk e dija as ku është shtabi dhe as shtëpia e tij. Ishte punë shumë sekrete atëherë për çdo kënd, sidomos për gazetarët. Më tha “po shkojmë në një vend.“ Më ka dërguar, në atë kohë në selinë e Shtabit të UÇK-së në fshat, të Njësitit të “Pëllumbit”, në Negroc, në shtëpinë e Halim Krasniqit. Kemi qëndruar pak kohë aty. Meqë zëdhënësi nuk ishte në Negroc, Ferati më tha se, për shkak të rrethanave, sot nuk ka gjasa ta realizojmë paraqitjen e Jakup Krasniqit.
Takimi i parë me komandant “Lulin”
Meqë i kisha miqtë e vëllait në Negroc, mora leje ta vizitoj familjen e Jetullah Halit Krasniqit – Toxhës. Kemi shkuar aty me Abazin dhe kemi fjetur. Të nesërmen pasdite ka ardhur një djalosh trupgjatë, i cili kishte veshur rroba të zeza. U përshëndet me mua dhe Abazin dhe u prezantua: “Unë jam komandant Luli”. Nuk më tregoi pozitën që kishte në UÇK. Më pyeti me mirësjellje: “Si je, baci Nuhi? A je lodh? A je mërzitë? Jemi në luftë dhe të ka rënë me pritë pak?” I thashë: “Mirë jam dhe nuk jam mërzitë aspak, sepse i kuptoj rrethanat e luftës. Për mua si gazetar është me rëndësi puna të realizohet sa më mirë e sa më sigurt”. Komandant “Luli” më pyeti: “A jeni përgatitur ta takoni dhe intervistoni zëdhënësin e UÇK-së, Jakup Krasniqin?” Ia konfirmoj dhe i them: “Gjithsesi jemi përgatit, jemi gati, sepse vetëm për këtë punë kemi ardhur dhe jemi të privilegjuar që na e keni besuar”. Më tha “një shok i yni do t’ju vozisë deri në vendin e duhur”. Më vonë kam kuptuar se komandant “Luli” ishte Kadri Veseli. Pas një kohe ka ardhur Idriz Hysenaj, një veprimtar i ilegales atdhetare dhe komandant i një njësiti të UÇK-së që ka vepruar në kuadër të njësiteve “Pëllumbi”. Unë e njihja Idrizin sepse e kisha takuar në Abri disa ditë më parë.
Si mbahej sekret selia e ShP të UÇK-së
Ishte mbrëmje. Idriz Hysenaj në uniformë të UÇK-së, me një makinë të mirë, na ka vozitur në drejtim të Arllatit. Kur e kemi kaluar Arllatin, ka vazhduar në drejtim të Malishevës. Idrizin e pyeta “ku po shkojmë?”, ndërsa ai m’u përgjigj: “Në Likoc!” E kuptova se donte ta mbante sekret vendin ku ishte ShP i UÇK-së. Kjo ishte e kuptueshme në ato rrethana. Unë nuk u durova pa qeshur. Atë rrugë e njihja mirë. Nëpër atë rrugë nga Prishtina për në fshatin tim udhëtoja shumë shpesh. Unë i thashë kameramanit: “Abaz, këndej qenka Likoci, a?” Idrizi ma ktheu: “Të lutem, zoti gazetar, asnjë koment! Është e ndaluar të dini ku po shkojmë dhe ku është selia e ShP të UÇK-së. Më vjen keq t’jua lidh sytë, sepse ashtu janë rregullat ushtarake”. Ishte e kuptueshme të ishte shumë sekret vendi ku ndodhej shtabi, por si gazetar nuk u durova pa pyetur. Desha t’i tregoj se unë e di mirë atë rrugë. Këtë e dinte edhe ai, por ashtu ishte vendimi i ShP të UÇK-së, që mos të përmendej vendi ku ishte selia e ShP të UÇK-së.
Në hyrje të fshatit Tërpezë, afër një depoje të materialeve ndërtimore, Idrizi e ndali makinën. Aty ka ardhur Haxhi Shala – komandant “Topi”, bashkëpunëtori kryesor i Fatmir Limajt – komandant “Çelikut”. Jemi nisur përpjetë rrugës, një terreni shumë të vështirë dhe të bukur. E dija se është Tërpeza, por kësaj pjese nuk më ishte dhënë rasti të kaloja kurrë më parë. Rruga ishte e shtruar me rërë. Ishte mbrëmje vonë, e 13 qershorit 1998. Kemi mbërritur në një kodrinë piktoreske, me male të bukura, me plot gjelbërim. Të nesërmen nga komandant “Çeliku” kuptova se isha në Kleçkë të Lipjanit, pikërisht në odën e familjes së madhe të Hafir Shalës, të dëshmorit Sadik Shala. Fatmiri kishte besim në mua dhe më tregoi për këtë vend, duke më sugjeruar mos t’ia tregoj askujt, as familjes sime. Në Kleçkë fillimisht ishte Shtabi i Njësitit “Çeliku”, më vonë i Brigadës 121 i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, komanduar nga Fatmir Limaj, i pasuar nga Haxhi Shala.
Takimi dhe biseda me komandant “Çelikun”
Në Kleçkë patëm rastin të rrimë më gjatë me komandant “Çelikun” – Fatmir Limajn. Ai më dëshiroi mirëseardhje në Kleçkë. Më tha: “Baci Nuhi, të njoh mirë prej Televizionit të Prishtinës. Edhe gjatë kohës së studimeve të mbaj mend me një makinë ‘Zastava 128’. E vlerësoj shumë pozitivisht punën tënde si gazetar. Unë dhe familja ime dhe shumë shokë të mi të kemi votuar ty në Komunën e Malishevës kur kanë qenë zgjedhjet për deputetë të Kuvendit të Kosovës në vitin 1992”. U befasova dhe më erdh mirë që rinia e trevës sime më paska mbështetur, ma paska dhënë besimin për deputet, por ja që ai parlament nuk funksionoi kurrë. E falënderova Fatmirin për besimin që kishte në mua. Me Fatmirin krijuam menjëherë afërsi, sikur të ishim njohur shumë vjet më përpara. Ai na solli ushqim dhe çaj. Në odën e madhe të familjes Shala reflektohej bujari e theksuar shqiptare. Takuam aty edhe bashkëluftëtarët e Fatmirit, Haxhi Shalën – “Topin”, Sadik Shalën, Sabit Shalën, Bajram Shalën, Naser Shalën – “Ftyrën”, Çerkin Dukollin – “Yllin”, Shpëtim Telakun, Naser Krasniqin-“Bashkim Finon” dhe luftëtarë të tjerë. Një kohë aty ka qëndruar edhe Shukri Buja. Ai kishte nofkën “Gazetari”. Dhe, sapo dikush thoshte “gazetar”, unë menjëherë përgjigjesha: “Urdhëroni! Çfarë ka?” Më thanë “se nuk po të thërrasim ty, por këtë komandant Shukriun që e ka nofkën ‘Gazetari”. Shukriu sa kishte qenë në Zvicër kishte shkruar për gazetën “Zëri i Kosovës”, prandaj gjatë luftës e mbante këtë nofkë. Nga Zvicra kishin ardhur edhe Agim Bajrami dhe Metush Zenuni dhe bashkëkombës tjerë me një vullnet të jashtëzakonshëm për të luftuar për çlirimin e Kosovës. Aty kam takuar edhe studenten, veprimtaren e Unionit të Pavarur të Studentëve të Universitetit të Prishtinës, gazetaren e “Botës së re”, Hyrije Veliun. Ajo kishte lënë përkohësisht studimet dhe e kishte veshur uniformën e UÇK-së. Kjo dëshmonte mbështetjen që gëzonte UÇK-ja nga rinia studentore.
Si u realizua paraqitja e parë publike e zëdhënësit të UÇK-së, Jakup Krasniqit
Nga oda e madhe, ku vepronte komanda dhe ushtarët e Njësitit “Çeliku”, hyhej në një dhomë të veçantë, e rregulluar mirë me dërrasa dhe në mes një oxhak i improvizuar, por që dukej bukur. Aty afër ishte një tavolinë e mbi të një kompjuter. Pas mesnatës, në orët e para të 14 qershorit 1998, aty takuam zëdhënësin e UÇK-së, Jakup Krasniqin. Bashkë me të ishin Kadri Veseli, Ferat Shala dhe Fatmir Limaj. Kishte ardhur enkas nga selia e ShP të UÇK-së, që gjendej në fshatin Divjakë, për ta dhënë intervistën, paraqitjen e parë publike si zëdhënës. Ishte kjo një kënaqësi dhe ndjenjë e veçantë për mua dhe për Abazin. Kisha fatin, nderin dhe përgjegjësinë që të jem gazetari i parë që po kontaktoja drejtpërdrejt dhe po e realizoja paraqitjen e parë publike të tij si zëdhënës i një ushtrie që luftonte për lirinë e Kosovës. Unë e kisha përgatitur një koncept, kisha bërë disa teza për çfarë do të mund të fliste zëdhënësi i UÇK-së për herë të parë, që ishin me interes për opinionin. Jakupi m’u drejtua: “Nuhi, cilat janë pyetjet tua që do të m’i shtrosh?” Dëshironte të dinte përafërsisht çfarë do të flasim. Iu përgjigja: “Unë kam nderin, privilegjin dhe kënaqësinë që jam gazetari i parë që e realizoj intervistën me ju në cilësinë e zëdhënësit të UÇK-së. Unë kam përgatitur disa teza, në vend të pyetjeve, në të cilat ju duhet të flisni, të përgjigjeni. Për shkaqe sigurie mendoj se nuk është mirë që unë të dukem në xhirim bashkë me ty”. Kjo ishte për atë kohë zgjidhja më e sigurt, meqenëse jetoja në Prishtinë dhe e kisha familjen në Prishtinë. Rreziku më i madh ishte për familjen time të ngushtë në Prishtinë, për djalin dhe bashkëshorten, por edhe për atë të gjerë në Shkozë të Malishevës. “Për të mundur që unë ta kryej misionin tim të gazetarit në zonat e luftës edhe më tutje për një kohë më të gjatë, deri në fund të luftës, dhe mos të zbulohem që në fillim nga policia serbe, dhe për të mos u penguar puna ime, mos të rrezikohet edhe me gjithë pasojat e mundshme, duhet ta ndërrojmë strategjinë. Nëse jeni ju të gatshëm të më siguroni mua kushte që unë t’i xhiroj këtu të gjitha emisionet dhe t’i montoj, mos me pas nevojë të shkoj në Prishtinë apo në Tiranë, unë me kënaqësi dal para kamerës”, – i thashë Jakupit. Por, ai më tha “ShP i UÇK-së nuk kishte mundësi të mi siguronte ato kushte që duheshin për montim në zonat e luftës”. Jakupi u pajtua plotësisht për këtë mënyrë të punës. E vazhduam realizimin e paraqitjes së parë publike të tij. Ai i lexoi tezat e mia, të cilat ishin: Kush është UÇK-ja, kush e përbën atë, për çfarë lufton ajo, cili është betimi i saj, kush e mbështet UÇK-në, kush e financon, mesazhi i ShP të UÇK-së për oficerët e karrierës dhe popullin që t’i bashkëngjiten dhe mbështesin luftën e UÇK-së. Jakup Krasniqi u pajtua plotësisht me konceptin, tezat e mia. Para se të fillonte xhirimi i paraqitjes së parë publike të tij, e testuam disa herë tonin dhe fotografinë. Ne e kishim vetëm një kamerë digjitale Mini DVC Sony dhe nuk kishim ndriçim të posaçëm. Frikohesha mos s’po del xhirimi sipas standardeve profesionale për shkak se ishte natë, terr. Konsideroja se duhet të kishim një reflektor, ndriçim special për intervista të tilla historike, të cilën llogarisnim ta transmetonin edhe televizionet më të njohura botërore. Madje, duke kërkuar ndonjë zgjidhje për ndriçim, ushtarët na ofruan edhe një dritë që ishte vendosur në hyrje të odës së familjes Shala. Ajo ishte një dritë më shumë për ndriçim të thjeshtë, te lulet në hyrje të odës. E provuam, por nuk bënte dritë të mjaftueshme për xhirim cilësor. E provuan një dritë tjetër të ndriçimit të luleve. Ushtarët na ndihmonin ta mbanin dritën që intervista të dilte sa më e ndriçuar. Në një moment, kur përgatiteshim që tia nisim xhirimit historik, kur pas Jakup Krasniqit u paraqitën Fatmir Limaj dhe Ferat Shala me uniformë dhe me armatim, u habita, sepse kisha skepticizëm se, ndoshta për shkak të paraqitjes së tyre me armë, këtë xhirim nuk e transmeton Televizioni Shqiptar. Kisha dilemën mos do ta konsideronte këtë paraqitje shumë militare. Jakupi më tha ne ashtu jemi marrë vesh, kemi marrë qëndrim në Shtabin e Përgjithshëm që në këtë mënyrë të realizohet paraqitja e parë publike e zëdhënësit të UÇK-së. Pasi e xhiruam paraqitjen e parë publike të Krasniqit, e kontrolluam a ka dalë zëri mirë. E kontrolluam dy-tri herë edhe pamjen, edhe zërin. Zëdhënësi u prezantua në mënyrë të denjë. Të gjithë kishin emocione. Në veçanti unë kisha shumë emocione. Isha i vetëdijshëm për rëndësinë e prezantimit dinjitoz të UÇK-së, që ajo të gëzojë sa më shumë mbështetjen e gjithë popullit shqiptar, por edhe të opinionit dhe të faktorëve ndërkombëtarë. Për herë të parë kishim një ushtri të organizuar mbi baza vullnetare, por me program dhe synim të qartë: luftën për çlirimin e Kosovës dhe të viseve të tjera të pushtuara shqiptare.
“UÇK-ja lufton për çlirimin e Kosovës dhe për bashkim kombëtar”
Zëdhënësi i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Jakup Krasniqi, qysh në fillim tha: “UÇK-ja është një lindje e natyrshme, e domosdoshme për ta mbrojtur nderin, dinjitetin kombëtar, për ta mbrojtur popullin e robëruar dhe atdheun e okupuar. UÇK-ja përbën tërësinë e forcave të armatosura të Kosovës e cila lufton për çlirim dhe bashkim kombëtar. Ajo njeh për ideologji vetëm shqiptarizmin. Shtabi i Përgjithshëm i UÇK-së është i mendimit që në këtë fazë pluralizmi politik është luks. Populli ynë ka nevojë për një forcë politike, ushtarake, që lufton për liri dhe bashkim. UÇK-ja është e gatshme për të luftuar deri në fitore të plotë. ShP u bënë thirrje të gjithë bashkëkombësve kudo që janë, të gjithë luftëtarëve të lirisë, të gjithë profesionistëve dhe specialistëve të artit ushtarak, që t’i përgjigjen zërit të atdheut. Do t’i pranonim bisedimet Prishtinë – Beograd vetëm pasi të jenë krijuar kushtet: 1. Pasi të largoheshin forcat e armikut nga trojet tona; 2. Pasi të sigurohej mbikëqyrja ndërkombëtare nga një faktor i jashtëm dhe me ndikim; dhe 3. Pasi të bëheshin përgatitje serioze për ato bisedime”. Jakup Krasniqi theksoi se “përshëndesim angazhimin e Shqipërisë dhe të institucioneve të saj ndaj çështjes së pazgjidhur shqiptare dhe do të dëshironim që ky angazhim të jetë gjithëpërfshirës. Nga ShBA-ja dhe vendet e demokracisë perëndimore kërkojmë të angazhohen seriozisht për vendosjen e lirisë dhe të paqes në trevën e Ballkanit. Ftojmë popullin shqiptar të qëndrojë në trojet e veta së bashku me luftëtarët e lirisë, së bashku me pjesëtarët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në mbrojtje të atdheut, të lirisë, të nderit dhe të dinjitetit kombëtar dhe të jetë i sigurt se të bashkuar rreth UÇK-së, e cila diti dhe mundi që brenda një kohe të shkurtër të krijojë një territor të gjerë, të lirë dhe të dijë të mbrojë dhe të krijojë hapësira të reja të lira deri në çlirim të plotë”. Në pjesën e fundit të paraqitjes, zëdhënësi i UÇK-së theksoi: “Do të dëshiroja me këtë rast që të gjitha familjeve të dëshmorëve, në emrin tim dhe të ShP të UÇK-së, t’u shpreh ngushëllimet e sinqerta, posaçërisht familjeve të atyre dëshmorëve që ranë në ditët e para të luftës dhe që s’patëm mundësi, për shkaqe që dihen, t’u japim nderimet e merituara”.
Dilemat se a do të transmetohet e plotë paraqitja e Jakup Krasniqit në RTSh
Në Shtabin e UÇK-së në Kleçkë dhe kthimi në Prishtinë
Më 14 qershor 1998 e kam marrë kasetën nga Ekran Dobërçani dhe e kam shkuar te Agjencia “Meti Turs”, e cila, sikurse disa agjenci të tjera, transportonin udhëtarë në linjën Prishtinë – Tiranë dhe anasjelltas. E kërkova shefin e saj të cilin nuk e njihja. Kuptova se ishte Ahmet Kaçiu nga Lupçi i Poshtëm i Llapit. Hyra në zyrën e tij dhe i tregova se unë jam Nuhi Bytyçi, gazetar, dhe i thashë se e kam një kasetë me rëndësi, duke e lutur ta përcjellë deri në Tiranë për Televizionin Shqiptar. Ai më pyeti menjëherë “çfarë xhirime ka në kasetë?” Duke qenë i vetëdijshëm për situatën dhe rreziqet e mundshme, duke qenë shumë i sinqertë dhe korrekt, i tregova drejt. I thashë “në këtë kasetë është Ushtria Çlirimtare e Kosovës”. Kur e kam përmendë UÇK-në, në fytyrën e tij pashë emocione të veçanta, por njëkohësisht edhe frikë, që ishte e natyrshme në ato rrethana. I sqarova se “në të është e xhiruar Zëdhënësi i UÇK-së“, që ta dijë më mirë çka ka në të, çfarë rëndësie ka, që shoferët e tij ta fshehin më mirë kasetën dhe mos të zbulohet dhe merret nga policia serbe gjatë kontrollit në kufi. Unë i thash Ahmetit se “pasi që për këtë punë shumë me rëndësi unë me kolegët e mi kemi rrezikuar deri këtu, nëse rrezikon edhe ti me punëtorët e tu për ta dërguar deri në Tiranë, puna kryhet me sukses.” Më tha se “do të bëjnë gjithçka që është e mundur për ta dërguar kasetën me kohë“. Aty erdhi edhe shoferi që voziste autobusin për në Tiranë, Elmi Gashi nga Kishnica. Ahmeti një njeri i pjekur dhe i vendosur, pasi u mat mirë e mori kasetën dhe më tha “të lutem, dil më shpejtë nga zyra, që mos të vërehesh nga policia”, sepse si jam informuar më vonë nga Ahmeti dhe kolegët e tij, këtë dhe agjencitë tjera turistike që qarkullonin me autobusë nga Prishtina për Tiranë e anasjelltas shpesh i vizitonin ata të Shërbimit të Sigurimit Shtetëror serb. Më thanë “mos ke dert, kasetën a dërgojmë te Asllani në TVSh.” I falënderova për këtë Ahmetin dhe Elmiun. Madje, Elmi Gashi më konfirmoi se “e njoh personalisht Asllanin, e kam edhe numrin e tij të telefonit dhe do ta kryej porosinë me kënaqësi.” Kështu fitova bindjen se kjo punë do të kryhet me sukses. Asllanin e kam marrë në telefon dhe i kam treguar se nesër në mëngjes vjen autobusi dhe shoferi ta sjellë një kasetë me përmbajtje tejet të rëndësishme. E kam lutur ta shikojë ta transmetojë në edicionin e lajmeve të Kosovës, por edhe në lajmet qendrore të TVSh-së. Për shkak se mund të përgjohej biseda nga sigurimi serb, s’e kam përmendur emrin e askujt. Dhe, të nesërmen në mëngjes, pas orës 07:00, ka mbërritur kaseta në Tiranë. Asllani e kishte shikuar xhirimin e paraqitjes së parë publike të zëdhënësit të UÇK-së, Jakup Krasniqit.
Jehona e paraqitjes së parë publike të zëdhënësit të UÇK-së
Paraqitja e parë publike e zëdhënësit të UÇK-së është transmetuar në lajmet e orës 18:35 në TVSh, më 15 qershor 1998, në programin satelitor. Por, ishte shkurtuar në dy vende, aty ku përmendet LPK-ja si themeluese e UÇK-së dhe ku përmendet se Fondi “Vendlindja thërret” e ndihmon financimin e luftës së UÇK-së. Përmbajtjet e tjera janë transmetuar ashtu si janë xhiruar. Unë e ndjeva veten gazetar i shkathtë dhe profesionist për ta kryer me sukses misionin tim shumë të rëndësishëm për publikun. Ishte ky një sukses imi dhe i ekipit tim në rrethana lufte. Deklarata e parë publike e Jakup Krasniqit u publikua në të gjitha mediat botërore. E publikoi edhe revista “Zëri” si paraqitje ekskluzive, në marrëveshje me mua ia mundësova këtë Flurim Gashit, meqë ai më kishte ndihmuar të lidhem drejtpërdrejt me ShP të UÇK-së. Më 16. 6. 1998 këtë paraqitje të Jakupit nga TVSh-ja e kishin marrë edhe gazeta “Bujku” dhe “Koha ditore”, edhe media të tjera shqiptare dhe ndërkombëtare. Pa u transmetuar në Televizionin Shqiptar nuk ishte serioze që këtë paraqitje të rëndësishme t’ia jepnim dikujt tjetër. Mediat botërore e kishin marrë atë nga Televizioni Shqiptar. Aty nuk përmendej fare emri im, as i Abaz Zekës si autorë të kësaj ngjarje me rëndësi publike. Mosarsyet i kam sqaruar më herët. Është mbajtur në mënyrë shumë sekrete e gjithë ajo punë me shumë rreziqe për neve dhe familjet tona. Qëllimi im kryesor ishte që mos të reklamohem pa nevojë dhe mos të zbulohem nga policia serbe, por të punoj edhe më tepër në prezantimin sa më të denjë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, si ushtri moderne, properëndimore, e cila kishte kapur armët për ta çliruar përfundimisht Kosovën nga Serbia. Po atë kohë i dëgjoja opinionet, komentet në Prishtinë, pyetjet se kush ka mundur ta bëjë intervistën me zëdhënësin e UÇK-së e komente të tjera. Unë krenohesha me punën që kisha bërë, por nuk ishte momenti të tregoja se unë e kam bërë intervistën. Kolegët dhe komshinjtë e mi flisnin me admirim për paraqitjen e parë të zëdhënësit të UÇK-së. Ky për mua ishte provim shumë i madh, shumë i rëndësishëm jo vetëm profesional, por edhe kombëtar. Pas transmetimit të kësaj interviste krijova kredibilitet të madh dhe m’u hap rruga për të vazhduar më tutje, për të kontribuar për informimin e tërë asaj që ndodhte në zonat e kontrolluara nga Ushtria Çlirimtare e Kosovës. Menjëherë kontaktova me Hashim Thaçin, Kadri Veselin, Jakup Krasniqin, Fatmir Limën, Rexhep Selimin, Lahi Brahimajn, Fehmi Lladrovcin, Xhevë Lladrovcin, Ramush Haradinajn, Sylejman Selimin, Sami Lushtakun, Sokol Bashotën, Bekim Berishën – Abejën, Bedri Shalën, Ramë Bujën, Adem Grabovcin, Bislim Zyrapin, Agim Çelajn, Rrahman Ramën, Ismet Jasharin-Kumanovën, Naim Malokun, Musa e Sahit Jasharin, Bashkim Jasharin, Shaban Shalën, Tahir Sinanin, Rrustem Mustafën-Remin, Emrush Xhemajlin, Faton Mehmetajn, Shukri Bujën, Haxhi Shalën, Salih Veselin, Jahir Demakun, Besim Malën, Ferid Berishën, Irfete Spahiun, Ilaz Kodrën, Shaban Dragajn, Kadri Kastratin, Gani Krasniqin, Isni Kilajn, Isa Kastratin, Shemsi Sylën, Smajl Latifin, Binak Gashin, Dervish Çadrakun dhe me komandantë e luftëtarë të tjerë trima, të gatshëm për sakrifikuar për lirinë e popullit tonë. Tash kisha fituar besim te të gjithë drejtuesit dhe ushtarët e UÇK-së. Kisha mbështetjen e jashtëzakonshme të Shtabit të Përgjithshëm dhe të Drejtorisë për informim të xhiroja në zona të luftës, njëkohësisht kujdesesha ta ruaja etikën profesionale dhe të jem në shërbim të plotë të publikut.
(Fragmente nga “Libri i luftës” i autorit Nuhi Bytyçi, botuar në mars 2019)